Ansambli i Egjiptit me një folklor plot ngjyra në kalldrëmin e Gjirokastrës
Një atmosferë festive u krijua fundjavën që lamë pas përmes shfaqjes kulturore, që mblodhi qindra vizitorë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Pjesë e kësaj shfaqje ishin rreth 30 artistë të Ansamblit Kombëtar të Egjiptit dhe Ansamblit “Lunxhëria”, të Gjirokastrës, të cilët sollën një atmosferë të ngrohtë dhe festive në “Qafën e Pazarit”. I cilësuar si takimi i dy kulturave, kjo shfaqje çeli siparin e një sërë aktiviteteve kulturore, që “TID”, një organizatë lokale në Gjirokastër do të sjellë përgjatë të gjithë sezonit turistik në qytetin e gurtë, raporton atsh.
Këngë dhe valle egjiptiane, si dhe polifonia dhe vallet popullore të Jugut të interpretuara nga artistët, si dhe veshjet tradicionale egjiptiane me një larmi ngjyrash mahnitën turistët dhe vizitorët që ndodheshin në Gjirokastër, duke iu bashkuar festës.
Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Gjirokastra zgjon gjithnjë e më shumë interesin e turistëve të huaj për ta vizituar pasi ka vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.