Antonio Gramsci, urë lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë
Nga Sardegna në Gramsh për binjakëzimin e tre bashkive të lidhura me figurën e mendimtarit të shquar Antonio Gramsci. GUS Albania pati nderin të organizojë më 20 maj vizitën e delegacionit italian që po punon për binjakëzimin midis qytetit të Gramshit dhe qyteteve italiane të Ghilarza-s dhe Ales-it, të trija të lidhura me figurën e mendimtarit global me origjinë arbëreshe Antonio Gramsci.
Delegacioni, i cili vizitoi Gramshin për të kryer këtë iniciativë dhe shkëmbime të tjera kulturore, drejtohej nga Prof. Luigi Berlinguer, ish Eurodeputet dhe ish Ministër i Arsimit në Itali. Pjesëtarë të tjerë të grupit të punës ishin: Alessandro De Frassu, Kryetar i Bashkisë Ghilarza, Roberto Rampi, Senator i Republikës Italiane dhe Luigi Manías, President i Biblotekës Gramshiane, një OJQ që përmbledh më shumë se 6000 vëllime mbi figurën e Gramscit.
Me bindjen se figura e Antonio Gramscit pasqyron më së miri larmishmërinë, bashkëjetesën dhe solidaritetin që janë edhe parime qenësorë të identitetit tonë shqiptar dhe europian, GUS Albania punon me intensitet për të rritur frymën Evropiane të Shqipërisë.
Takim mbi marrëdhëniet Italo-Shqiptare në një perspektivë Europiane
Më 19 maj GUS Albania organizoi një sesion të hapur diskutimi me Prof. Luigi Berlinguer, ish Eurodeputet dhe ish Ministër i Arsimit në Itali, dhe Ambasadorin italian në Shqipëri Alberto Cutillo, me titull “Marrëdhëniet Shqiptaro-Italiane në një perspektivë evropiane”. Takimi u moderua nga Arlinda Dudaj, drejtore e shtëpisë botuese Dudaj.
Nisma, që u zhvillua në hapësirën COD të Kryeministrisë, pati nje pjesëmarrje te gjerë dhe tërhoqi akademikë, gazetarë, politikanë, studentë dhe shumë qytetarë të cilët diskutuan tema që kanë të bëjnë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e rrugës shqiptare drejt BE-së.
Gjatë takimit u fol gjerë mbi shtyllat themelore të konceptit të Europës së paqes, respektit dhe dinjitetit njerëzor, të larmishmërisë kulturore, të lirisë, demokracisë dhe barazisë që ndërthuren më së miri me vlerat që Shqipëria mbart dhe përcjellë. Në këtë sens u nënvizua përkatësia e Shqipërisë brenda familjes Europiane si dhe mbështetja italiane në procesin integrues. Nga ana tjetër u theksua roli pozitiv i Shqipërisë në përcjelljen e harmonisë dhe dialogut ndërfetar, mikpritjes, angazhimit për paqen dhe bashkëpunimin né rajon. Një theks i veçantë ju dha dhe diskutimit mbi sfidat, rrugën e integrimit dhe rëndësinë e hapjes së negociatave për antarësimin e Shqipërisë në Europë.
GUS Albania organizoi këtë aktivitet dhe një sërë nismash të tjera mbi këtë temë pasi e cilëson Integrimin në Europë si kurorëzimin e një procesi përfitues për te dyja palet. Organizata jonë kontribuon në mënyrë aktive në adresimin e çështjeve sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe beson te roli ndërmjetësues midis individit dhe institucioneve që shoqëria civile duhet të ndërmarrë gjatë këtij rrugëtimi.