Apartamenti i Kadaresë kthehet në muze. Ja si do funksionojë

Pas tre muaj punimesh, apartamenti ku ka jetuar shkrimtari i madh Ismail Kadare përgjatë viteve të sistemit totalitar, është kthyer në muze.

Bashkia ka bërë gati gjithçka, që nga restaurimi e deri te çmimet e biletave. Një “OK” në Këshillin Bashkiak të kësaj të premteje i hap rrugë kthimit të vendit ku Kadare shkroi disa nga kryeveprat e tij, në muze. Ideja për të është hedhur përpara një viti me blerjen e apartamentit dhe konkretizohet sot me “Shtëpia Studio Kadare”, një muze që pritet të tërheqë shumë turistë të huaj.

Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart në ndërtesën e famshme të para viteve ’90, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete.

FUNKSIONIMI

Muzeu do të prezantojë për publikun vendës e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit dhe përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).

Përmes këtij të fundit, bashkia është kujdesur që të maksimizojë fitimet duke shitur libra të autorit, stilolapsa me emrin e Kadaresë, stema me portretin e tij, çanta me figura të veprave letrare, bluza të stampuara, blloqe shënimesh dhe ndarëse librash me titujt e romaneve të Kadaresë.

Përveç kësaj, drejtorit të muzeut i lejohet të kërkojë dhe përfitojë donacione dhe financime nga institucione shkencore, organizata fitimprurëse dhe individë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin që deri më sot nuk e ka pasur, rrit numrin e turistëve si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit me famë ndërkombëtare.

SHKARKO APP