Arben Bajraktari flet për prapaskenat e filmit famëkeq për shqiptarët

Arben Bajraktari ka ardhur në Tiranë për premierën e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, dhe ka dhënë një intervistë për revistën “Bordo”

A ju bezdis fakti që shpesh ju identifikojnë me shqiptarin e keq?

Aktori nuk duhet gjykuar nga roli. Unë kam luajtur edhe role kriminelësh, por askush nuk ma ka bërë këtë pyetje, pse luajte rolin e një shqiptari. Një aktor serb luajti rolin e një shqiptari, ashtu si unë kam luajtur rolin e një kozmonauti rus apo të një doktori. Një rol mund të jetë filozof dhe vrasës, ndaj nuk duhet gjykuar aktori nga personazhi. Para së gjithash një aktor duhet të pranojë identitetin e tjetrit, duhet të kemi empati ndaj tjetrit. A është vrasës? Jo, sepse ne për këtë punë jemi, të veshim petkun e personazhit.

E njëjta gjendje ka qenë edhe për rolin e Besnikut?

Në malësi ishte fantastike, ajri i pastër, por edhe energjia që të jep ai vend janë unike. Ti zgjohesh dhe e gjen veten aty, i vetëm me Zotin. Roli i Besnikut ka pasur tre shtylla që në fillim: e para shtylla fizike që ka qenë e rëndësishme, e dyta shtylla psikologjike dhe e treta shtylla emocionale. Të treja kalojnë nga njëra në tjetrën sipas situatave. Ana fizike është e rëndësishme sepse duhet të përgatisësh trupin për të hyrë brenda. Edhe pse çdo aktor ka mënyrat e veta të përgatitjes fizike, ka një rregull kryesor: kur kamera është gati për xhirime, ti duhet të jesh një personazh, duhet të marrësh frymë me të, ndaj përgatitem shumë më përpara, bëj ushtrimet e mia, edhe kur nuk luaj. Duhet që të fle mjaftueshëm në mënyrë që të mos reflektohet lodhja në gjendjen time fizike.

Si u gjendët në filmin e Robert Budinës?

Në atë periudhë kam qenë me xhirime në Prishtinë. Roberti më dërgoi skenarin, pasi e kam lexuar jemi takuar dhe kam vendosur për të qenë pjesë e filmit. Nganjëherë në jetë vijnë disa role që nuk i pret, dhe unë nuk e prisja. Me disa role ke një identifikim të menjëhershëm, sepse tek Besniku ishin disa detaje që më pëlqyen. Personazhi im është shumë shpirtëror. Kur vjen në moshën 40 vjeçare, çdo mashkull e kërkon anën e tij shpirtërore. Unë kisha lexuar në këtë periudhë të gjithë librat e shenjtë dhe ky dimension spiritual që ka pasur personazhi ka qenë i madh, madje edhe heshtja e tij më ka prekur shumë. Këto kanë qenë pikat që më kanë dhënë menjëherë shenjë që duhet të kisha këtë rol. Po ashtu ishte një detaj tjetër që më tërhoqi, ishte roli i një bariu, duke më sjellë pranë fëmijërinë time. Sepse kur kam qenë fëmijë kam pasur fatin të shikoj ngjitjet në bjeshkë të bagëtive gjatë verimit dhe kjo ndihet edhe në film. Por sado që unë kam një lidhje emocionale, duhet që të mos teprohet me emocionet, duhet të mbaja distancë në çdo situatë.

Ky rol ju ktheu pas në kohë, si u ndjetë kur shkuat në vende që veç i kishit dëgjuar?

Koha ka ndryshuar, odat e burrave nuk ekzistojnë, shumë fenomene të së shkuarës nuk janë më, edhe personazhi është i vetëdijshëm. Personazhi është katolik, por dëshiron të kthehet pas në kohë, dëshiron që gjërat të jenë si dikur dhe kjo është një dramë e fortë. Tek unë të gjitha këto kujtime kanë qenë brenda meje, janë ato gjëra që secili prej nesh merr me vete nga e shkuara jonë.

Besniku është një burrë i fortë malësie, por i butë kur sheh aspektin shpirtëror?

Kjo është një klishe për burrat e malësisë, sepse në këto anë banorët janë besimtarë të devotshëm, përtej besimit të një feje. Ndoshta nga fakti që kanë qenë të izoluar, doemos janë të lidhur me natyrën më shumë se ne laikët. Personazhi kryesor është një malësor, por ama dimensioni i tij shpirtëror është unik. Edhe pse ai është një bari, raporti i tij spiritual është shumë i fortë. Kjo duket edhe me njerëzit që janë aty.

Vendosët menjëherë për rolin apo ju desh të mendoheshit?

Po menjëherë, edhe pse xhironim gjatë Marsit dhe Prillit dhe mund të kishim befasi kohore dhe na ndodhi që ra borë. Nga ana profesionale unë nuk shoh nga vjen produksioni dhe përse bëhet, vetëm duhet të di skenarin dhe ekipin me të cilin duhet të punoj, universi i gjuhës me të cilin punoj. Filmi është film, nuk ka rëndësi se ku bëhet. Për mua ka rëndësi nëse është rrëfimi dhe personazhi. Shqipëria është shumë e vogël, ku nuk ka industri kinematografike, sepse filmi ka shumë kosto, por unë jam ndierë mirë, ekipi i imazhit ka qenë nga Rumania dhe jam ndierë shumë mirë. Ku është film autorial dhe liria e interpretimit është më e madhe.

Si ishte bashkëpunimi me aktorët e tjerë?

Jam shumë i kënaqur, me disa prej tyre kisha luajtur, me disa të tjerë jo. E rëndësishme është që u bëmë miq, kasti kanë qenë të mrekullueshëm, edhe fëmijët edhe banorët e Valbonës. Por çuditërisht edhe kafshët: dhitë që janë personazhe, kanë qenë të jashtëzakonshme. Është një detaj: ne po xhironim dhe ato duhet të bënin atë që donim, të na ndiqnin. Kam kaluar një kohë bashkë edhe me dhitë dhe ato mendonin sikur isha bariu i tyre.

Si ju duk premiera në Tiranë?

Shumë mirë, u ndjeva mirë që ishin edhe disa banorë të Valbonës. Për mua ishte kënaqësi që erdhën shumë njerëz që e ndoqën filmin, sepse për ne kjo është shumë e rëndësishme. Kam vënë re nga jashtë se ka një lëvizje në lidhje me produksionet filmike dhe kjo është pozitive. Dalëngadalë filmi që flet shqip po ekziston dhe kjo është diçka që duhet nxitur për t’u ndihmuar.

Arritja juaj e parë ishte pjesëmarrja e filmit në Estoni?

Do të këtë edhe më tej pjesëmarrje të tjera, sepse ka një temë unike. Dy fe në të njëjtin tempull nuk ekzistojnë në asnjë vend në botë. Për ne kjo është një e vërtetë, edhe pse për disa vende është e rrezikshme, jo më të ruhet.

Çfarë ju ka ndihmuar të mbani gjallë gjuhën shqipe?

Aktori është i lidhur fort me gjuhën. Edhe pse të gjithë filmat i kam bërë në gjuhë të huaja, edhe në gjuhë që nuk i di fare. Kam qenë në një shfaqje në Prizren dhe aty zbulova se duke folur shqip, çdo gjë më dukej më e lehtë. Sepse teknikën e vendosjes së zërit e kam më të lehtë në shqip. Aq më tepër që duhet të flas në dialektin e fshatit tim Isniq. Ne kemi një avantazh në gegnisht, sepse gjuha është shumë muskuloze, është ekspresive, imediate, ka tingëllimë.

Si u gjendët në filmin “Taken”?

Kam qenë pjesë e një audicioni i cili u bë në Paris të cilin e fitova. Kur ke përballë një aktor me përvojë si Liam Neeson ndihesh dyfish më i detyruar të jesh profesionist. Ky është një avantazh, sepse prej tij edhe mund të mësosh shumë. Edhe pse filmi nuk ka shumë fjalë, duhet të përfshihesha shumë në situatë. Me aktorët anglezë, të cilët jo rastësisht kanë fituar më shumë çmime Oscar, kishte një respekt të ndërsjelltë.

Keni luajtur edhe krah Zherard Depardie, si është të punosh me të?

Shumë thonë që është një aktor i vështirë, por me mua nuk ka ndodhur aspak kjo. Kemi kaluar shumë mirë, kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe më ka dhënë edhe këshilla. Edhe pse secili ka teknikën e vet, ai më ka këshilluar shumë për të shmangur teknicitetin. Të bëhen gjërat sepse duhen bërë. Kjo është e vështirë, sepse ti duhet t’ia fillosh nga zero, duhet të përshtatesh.

Keni filluar në Ballkan, pastaj në Europë e më pas në Hollivud, si kanë qenë këto tre faza të karrierës tuaj?

Secila ka qenë e lidhur me tjetrën. Njëra shtyn tjetrën dhe ti e gjen veten aty. Ndoshta me kalimin e kohës, je në kërkim të një tjetër eksperience. Në çdo rol për një aktor para së gjithash, mjeshtëria jonë është e lidhur me jetën. Nuk mund të injorojmë atë që jetojmë. Sepse personazhet pavarësisht se cilët janë ata, detyra jonë është t’u japim atyre jetë. Nuk mund të gënjejmë gjithmonë para kamerës, por edhe duhet të japim një pjesë të asaj që është jeta jonë.

Teatri apo kinemaja, cilën preferoni?

Unë nuk i veçoj, sepse janë dy procese pune të ndryshme. Vitin e shkuar kam pasur tërë kohës shfaqje teatri, ndërsa sivjet vetëm filma. Në Francë, për të qenë në teatër vlen ajo shprehja: ka pak të thirrur, por pak të zgjedhur. Për mua është e rëndësishme që të zgjedh një larmishmëri rolesh, nuk ka rëndësi nëse është teatër apo film.

A e ruani raportin me shqipen përmes përkthimit të autorëve shqiptarë?

Kam pasur disa eksperienca në përkthim bashkë me Teki Dervishi. Tani do të përkthej një dramë, por e kam më shumë si një pasion, qoftë nga shqipja në frengjisht dhe anasjelltas. Sepse përkthimi është një lloj interpretimi.

A ka ndonjë pasion tjetër që mbush jetën tuaj?

Merrem me meditim, me joga. Ndoshta është efekti i 40 vjeçarit. Më përpara merresha me artet luftarake por i kam lënë. E dua shumë poezinë, shkruaj. Shpesh me miqtë mblidhem dhe interpretoj. Bëj ato që themi ne: bëj ato që i kam për kokërr të qejfit…!

SHKARKO APP