“Armory Show” me artin që godet politikën

Panairet e artit në mënyrë tipike janë çështje konservative. Punëtorët e galerive me karta të biznesit grabisin pjesën më të madhe të mallrave. Por me përmbysjet politike në botë, një pikturë e bukur për ta varur mbi kolltuk është gjëja e vetme për të cilën dikush mund të mendojë, theksohet në shkrimin e The Guardian, që sot e transmeton “Koha Ditore”. Edicioni i këtij viti të “Armory Show” në New York – njëjtë sikur panairet e tjera të artit të këtij qyteti – është i mbushur me politikë, prej karaokes me imituesin e Kim Jongut deri tek pikturat e Harvey Weinsteinit. “Ne jemi të përkushtuar që të shpalosim vepra artistike kritikuese në këtë klimë kulturore që po ndryshon”, ka thënë drejtori i “Armory Show”, Nicole Berry. Por gjërat nuk përfundojnë këtu. Veprat e shpalosura prekin edhe çështje si kontrolli i armëve, ngacmimet seksuale e portretet presidenciale dhe lajmet e rrejshme.

Postimet e Facebookut të përkrahura nga Rusia arritën 126 milionë klikime gjatë zgjedhjeve presidenciale në ShBA, të cilat janë pika fillestare për disa seri nga artisti holandez Constant Dullaart. Qindra kartela SIM mëtojnë të simbolizojnë ushtritë online të ndjekësve të rrejshëm – të cilët janë të verifikuar përmes profileve false në Facebook. “Kartelat SIM janë nënprodukte të kompanive që ofrojnë llogari telefonike të verifikuara për të krijuar llogari për shumë përdorues, që kryejnë punën e pasaportës për identitet të ri”, thotë artisti. “Zhvillimi i luftës kundër Facebookut nëpërmjet masmedias, kartelat SIM janë mbetje të një ushtrie online”, ka shtuar ai. Nuk ka dyshim se Shtëpia e Bardhë ka qenë vend për argëtim gjatë viteve të fundit dhe nuk është vetëm për shkak të imitimit që Melissa McCarthy ia ka bërë ish-sekretarit për media Sean Spicer në “Saturday Night Live”. Replika e Macon Reed për dhomën e medieve të Shtëpisë së Bardhë në “Spring/Break” nuk është vetëm për ekspozim, por edhe si thirrje për aktivizëm. “Pressing Conference” ka qenë aktive gjatë gjithë javës me ligjërata për publik të mbajtura nga folës të ndryshëm si Rebecca Kelly Golfman, e cila foli për grupet e margjinalizuara në teatër dhe Mackenzie Reynolds, i cili foli për politikat rezistuese në judaizëm. “Kam dashur që të përfshij zëra të njerëzve që janë prekur nga vendimet nën administratën e tanishme dhe njerëzve që u janë përgjigjur atyre vendimeve”, ka thënë artisti. “Kam dashur të shpreh solidaritet”. Kjo sallë ka karrike, secila prej tyre e etiketuar me emrat e gazetarëve që janë persekutuar apo vrarë, si Jan Kuciak, gazetari hulumtues sllovak, i cili u vra më 25 shkurt. “Trump vazhdimisht po i sulmon mediat”, ka thënë Reed. “Ka shumë satirë para se regjimi autoritar të zërë vend. Është e vështirë të imagjinohet se këto gjëra janë rrugës duke u realizuar”.

Lart në “Independent Art Fair” artistja nga Los Angelesi, Christine Wang ka portretizuar Harvey Weinsetinin dhe Louis CK, dy figura që janë akuzuar për sulm dhe ngacmim seksual nga disa gra gjatë vitit të kaluar. Wang nuk ka dashur që vetëm t’i pikturojë ata, ajo po ashtu i ka bashkëngjitur edhe slogane në fytyrat e tyre: “Do të doja të isha i bardhë”. Kjo ka bërë që shumë njerëz që e kanë vizituar panairin të vënë në pikëpyetje motivin prapa këtyre fjalëve. “Po i ndiqja lajmet dhe u shokova se sa gjatë këta burra kanë arritur që të bëjnë atë që kanë bërë”, ka thënë Wang. “Nuk është se dua të jem njeri i bardhë, dua të jem qenie njerëzore; ata kishin mundësinë të bëjnë diçka të keqe, por shumë njerëz nuk e kanë atë privilegj të zgjedhjes”.

Nëse ndonjë prej artistëve ka arritur që të prekë paragjykimet e Trumpit, atëherë është artistja Cynthia Daignault, e cila ka paraqitur një seri prej 15 portreteve të presidentit amerikan të marra nga ballinat e gazetave amerikane. Një prej ballinave të “Los Angeles Times” shkruan “Fitore mahnitëse e Trumpit”, derisa “Boston Globe” ka shkruar “Shokuesi Trump”, me fotografinë ku presidenti mban gishtat lart. Daignault vë në pah ndarjen politike, se si disa gazeta glorifikuan triumfin e Trumpit, derisa të tjera minimizuan fitoren e tij. “Roli i Trumpit, lajmet sensacionale dhe roli i medieve në raportimin e së vërtetës dëshmojnë se gazetat mund të jenë industri e së vërtetës, por në të njëjtën kohë është biznes”, ka thënë ajo. Të shtënat e fundit në Florida kanë nxitur debate mbi kontrollin e armëve. Në “Scope Art Fair” artisti britanik Johan Andersson ka shpalosur një përzgjedhje të fëmijëve të braktisur në serinë që e ka quajtur “Toy Guns”, ku secili prej tyre mban në dorë nga një revole lodër. “Sa njerëz të tjerë duhet të vdesin para se të bëhet ndonjë ndryshim?”, pyet Andersson. “Fëmijët meritojnë të mësojnë në shkolla pa glorifikimin e armëve”. E çka duhet bërë për përdorimin e armëve nga policët? Në “New Art Dealers Alliance” në New York, Alexandra Bell shpalos një vepër të titulluar “A Teenager With Promise”. Artistja e ka edituar faqen e parë të “New York Times” të vitit 2014, ku shihet Michael Brown, një adoleshent i paarmatosur i vrarë nga policia e Fergusonit në vitin 2014. Vepra e Bellit fillimisht ka qenë art rruge në New York, që çoi më pas tek një op-ed me kërkim falje nga redaktori i “New York Times”, por këtu ai artikull është prezantuar në kornizë.

SHKARKO APP