Aromë qytetarie, Bujar Qamili mahnit publikun me spektaklin e dhuruar në Pallat të Kongreseve
Mjeshtri i madh i këngës qytetare Bujar Qamili solli recitalin e tij të radhës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Mbrëmjen e së dielës mes shumë të ftuarve të muzikës dhe humorit shqiptar, ai përcolli për publikun në skenë 18 hite muzikore, nga të cilat pjesa më e madhe vijnë nga repertori i përzgjedhur dhe tejet i larmishëm i këngës qytetare Shkodrane.
Të ftuarit në recitalin e këngëtarit shkodran Bujar Qamili ishin emra artistësh ndër më të njohurit dhe të vlerësuarit nga publiku, e si gjithmonë nuk munguan artistët e humorit.
Krahas këngëtarit Bujar Qamili interpretuan këngëtarët Shkëlzen Jetishi, Mateus Frroku, ku nuk mungoi as humori brilant i mjeshtrave shkodranë Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Dana Xhaj dhe Muhamed Çekini.
Recitali i titulluar “Këndo Bujar me të bukurin zá” erdhi nën moderimin e prezantueses së mirënjohur, Silvana Braçe.
Bujar Qamili është ndër këngëtarët më të mirë të këngës popullore shqiptare e veçanërisht të asaj shkodrane. Fillimisht ka kënduar në koncertet e fëmijëve, që organizoheshin në atë kohë në shkollë. Këtu lindën edhe shkëndijat e para të talentit të tij në muzikë. Më pas, aktivizohet në “Grupin e Rinisë”. Për herë të parë në skenë është ngjitur në vitin 1974./a.a/ /a.g/atsh/.