Artistët në Kuvend për teatrin: Është si të shembësh Shtëpinë e Pavarësisë ose Mësonjëtoren

“Jemi pro vendimit të ekzekutivit për një teatër të ri dhe dinjitoz, por jo mbi kockat e Teatrit Kombëtar”. Kështu ka deklaruar përfaqësia e artistëve përpara Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, i cili ia kushtoi seancën e djeshme çështjes së Teatrit Kombëtar.

Tre përfaqësues të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Alert Çeloaliaj, Kastriot Çipi dhe Taulanda Jupi, ndanë shqetësimin e tyre me deputetë të majtë e të djathtë. Takimi nisi me shqetësimin e shprehur nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, për mospranimin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, për t’u paraqitur në seancat dëgjimore.

Ai i kërkoi kryesisë së komisionit ta zgjidhë këtë çështje. “Do të kërkoja nga ky Komision gjetjen e një modaliteti të ministrave në seancë dëgjimore, pasi është një nga funksionet tona, jo vetëm ngritja e dorës për ligje të caktuar. Duhet të vijë në seancë menjëherë. Kjo tregon frikën ndaj artistëve”, u shpreh Boçi.

“Ia kam shprehur shqetësimin tim kryetarit të Kuvendit dhe në dijeninë time, zoti Ruçi i ka dërguar shkresë zv.kryeministres Mesi dhe i ka kërkuar që të merren masa, që kjo gjë të mos ndodhë më. Do t’i kërkoj sërish kryetarit të Kuvendit që të marrë përsipër që të rregullojë funksionet”, deklaroi kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.

Më pas e mori fjalën kryetari i SASE, Alert Çeloaliaj, i cili u detyrua ta ndërpresë fjalën e vet, pasi kryetarja Vokshi kërkoi ndërprerje të seancës, meqë televizionet nuk ishin “live”, pasi po transmetonin drejtpërdrejt nga selia e PD-së, dhe, sipas saj, do kishte qenë mirë që kjo seancë të shihej nga të gjithë.

I pranishëm në takim, por, me sa u mor vesh, i paftuar, kryetari i Sindikatës së Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi, u largua nga seanca meqë nuk ishte e pranishme ministrja Mirela Kumbaro. Pas një ndërprerjeje prej rreth 30 minutash, seanca rinisi me fjalën e Çeloaliajt.

Artistët

Në fjalën e mbajtur përpara deputetëve, kryetari i SASE, Alert Çeloaliaj, shprehu edhe një herë vullnetin e artistëve në lidhje me çështjen e shembjes së godinës së TK. “Qysh prej datës 8 shkurt të këtij viti, jemi shprehur se ideja për prishjen e TK dhe TKES është e papranueshme. Pasqyruar kjo edhe me 90 firma të datës 8 shkurt, të komunitetit teatror, drejtuar Ministrisë së Kulturës, ku kërkonim debat të hapur publik për këtë temë, por MK akoma nuk ka pranuar që të ulet apo t’i japë përgjigje komunitetit teatror”, tha ai.

Duke iu referuar argumentit të MK, për gjendjen e rëndë të godinës së TK, Çeloaliaj u shpreh se “argumentet që jepen janë fluide edhe pa bosht dhe mbi të gjitha, gjykuar edhe nga parimi i veprimit apo mosveprimit i ekzekutivit, ndoshta edhe janë penalisht të dënueshme. Thuhet se TK është në rrezik shembjeje dhe zjarri, edhe ndërkohë nuk merret asnjë masë, duke vënë në rrezik jetën e spektatorëve dhe të trupës. Nëse nuk ekziston ky rrezik, kjo quhet përhapje paniku. Nëse rreziku ekziston, atëherë përse nuk merren masa? Por nuk ka asnjë dokument që vërteton pariparueshmërinë e TK”, tha Çeloaliaj.

“Sa i takon dosjes që ministrja nuk na i vë në dispozicion, po ju them se të shtunën dhe të dielën, në sallën e Teatrit Eksperimental janë tri shfaqje fëmijësh dhe mbi 600 fëmijë rrezikojnë jetën në këtë godinë dhe askush nuk bën asgjë, mua kjo më duket e papranueshme”, tha Alert Çeloaliaj. Ai preku ndër të tjera edhe partneritetin publikprivat, përmes të cilit pretendohet të ngrihet Teatri i ri Kombëtar.

“Na është thënë se nuk ka para të mjaftueshme për TK, edhe se zgjidha e vetme është shembja e TK dhe nëpërmjet PPP të ngihet një teatër më i vogël dhe më modern, ndërsa pjesa tjetër e teatrit të kompensojë investimet private për ndërtimin e teatrit të ri. Komuniteti teatror është shprehur kundër kësaj ideje që në vitin 2002, pikë së pari, sepse në qendër të kësaj ideje, thuajse 30-vjeçare, do të mund që të kishim kursyer aq sa të rikonstruktonim një TK”. Ai u shpreh kundër ndërmarrjeve të qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës, që kanë restauruar më parë Teatrin e Korçës apo teatro të tjerë përpara atij Kombëtar.

“Për vlerat që ka për komunitetin teatror dhe kombin shqiptar, shembja e tij do të ishte e vlefshme me shembjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe apo të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë. Të gjithë ata që do të vendosin pro shembjes së TK, duhet që të kuptojnë se trashëgimia politike që do të lënë do të jetë e barabartë me atë të shembjes së kishave edhe xhamive në vitet ’60. Ftoj zotin Pandeli Majko, i vetmi Kryeministër shqiptar që ka bërë vërtet diçka për TK, që ashtu si në vitin 2002, mbështetur nga 65 deputetë të të gjithë spektrit politik, të prononcohet pro ruajtjes dhe restaurimit të TK dhe TKES”, tha ai.

Pedagogia dhe regjisorja Taulanda Jupi shprehu shqetësimin e artistëve në lidhje me buxhetin e ulët që i akordohet kulturës, krahasuar me çdo vend të rajonit, por edhe për Ligjin për Artin dhe Kulturën, që ka jo pak mangësi.

“Ligji aktual është shumë i përgjithshëm, prandaj duhet që të krijohet patjetër një ligj për Teatrin, në të cilin të përcaktohet qartë statusi i TK, struktura dhe buxheti i tij. Statuset e teatrove në rrethe dhe krijimi i teatrove rajonale që janë në varësi të pushtetit lokal, ku buxheti i tyre përcaktohet me anë të një përqindjeje të përcaktuar nga buxhetet lokale edhe jo sipas dëshirës së drejtuesve lokalë, si dhe rikrijimi i Qendrës Kombëtare për Artin Skenik”, tha ajo ndër të tjera.

SHKARKO APP