Artisti i vogël
Erion Kristo
Për të mbyllur triptikun do të trajtojmë një figurë tejet të rëndësishme në çfarëdolloj shoqërie, por jo në tonën. Besoj se shpesh, secili prej nesh i ka thënë ndonjë fëmije të talentuar: u bëfsh artist i madh!
Por, a bëhen vërtet artistë të mëdhenj fëmijët tanë të talentuar? Flasim për ata që nuk e kanë fatin të kapërcejnë detin. Sepse artistë të shquar, Shqiptaria ka plot sot. Për të mos folur për shqiptaret e Kosovës që s’po lënë çmim botëror pa marrë në muzikë. Por, nuk është ky dimensioni më i rëndësishëm i artistit. Të shpalosësh talentin në maksimum, nuk do të thotë se je artist i madh.
Këtë mund ta shohim rëndom në jetën tonë shoqërore. Kemi artistë të njohur, por pak syresh janë artistë të mëdhenj. Madje shumica e tyre janë artistë të vegjël. Dhe këtu hyjnë dy kategori artistësh: ata që ia kanë dalë t’i imponohen tregut dhe ata që nuk kanë mundësi për t’u imponuar, ngase nuk ka treg. Për shembull, në muzikë, ka plot artistë shumë të njohur, me një apo dy këngë, ose më tepër që janë të njohur në treg. Ata gjithsesi mbeten artistë të vegjël. Ata duhen nga publiku, por vetëm për muzikën e tyre.
E njëjta gjë mund të thuhet për teatrin, ku kemi shumë artistë me dhjetëra role, që ende nuk janë artistë të mëdhenj, ose të paktën nuk kanë fituar ndonjë gjë nga tregu, sepse tregu i teatrit është inekzistent. Të marrësh ca para të shpifura nga ndonjë projekt, nuk e bën askënd një artist të afirmuar në treg. Paratë që shteti jep për teatrin, paratë për artet pamore, paratë për muzikën klasike, paratë për baletin apo për operën, janë kaq qesharake, sa dhe skafisti më i rëndomtë do ia plaste gazit. Të japësh për gjithë njerëzit e artit dhe kulturës pak a shumë 1 milion euro në vit, është si të ushqesh gjithë kafshët e pyllit me një tas me fara.
Pikërisht për këtë arsye, artistët tanë nuk bëhen dot të mëdhenj. Nuk ekziston asnjë shans ekonomik që ata të marrin dimensione. Dhe dimensioni më i rëndësishëm i artistit të madh është t’i imponohet shoqërisë, dhe jo vetëm lëmit të vet artistik. Nuk po sjellim shumë shembuj, përpos Adriano Çelentanos. Ai ka ditur t’i imponohet shoqërisë italiane përmes artit të vet. Por, edhe Spike Lee, për ta mbyllur këtu me emrat. Me këtë nuk duam të themi se në Shqipëri nuk ka artistë që i kundërvihen politikës. Artistë të tillë kemi plot. Ndonjëherë qëllimet e tyre janë dhe intelektuale ose qytetare, por më së shumti, qëllimet e tyre janë thjesht kulisa politike, anshmëri ose përllogaritje.
Le të marrim artistët e artit pamor. Sa skulptorë apo piktorë njihen nga publiku i gjerë? Sa syresh mbajnë peshë të madhe publike kur i flasin publikut. Sa syresh tronditin me veprën e tyre ndërgjegjen publike? Përgjigjen e dini vetë.
Le të marrim këngëtarët e muzikës komerciale. Sa syresh janë figura të rëndësishme në trajtimin e çështjeve publike? Sa prej tyre përdoren nga politika? Sa prej tyre e shkundin publikun me qasjen e tyre qytetare? Ju i dini më mirë.
Le të marrim artistët, balerinët, këngëtarët lirikë. Janë shumë të paktë ata njerëz që arrijnë të zgjojnë ndërgjegjet e fjetura të qytetarëve të këtij vendi. Nuk jemi kategorikë që mungojnë, përkundrazi ka disa kokrra. Por përdorimi politik i tyre është ai që shfaqet më së shumti.
Situata e artistit është një nga situatat më delikate në shoqërinë shqiptare. Shumica e arteve kanë nevojë për skena publike ku të shprehet arti vetjak i artistit. Dhe këto skena publike kontrollohen jo vetëm politikisht, por dhe administrativisht nga të ashtuquajturit administratorë, që kanë dhe dorë. Një artist mund të ketë një kohë të pakufizuar për të shprehur veten, por mund të ketë dhe një kohë të kufizuar. Nëse brenda këtij harku kohor nuk shpreh brendësinë dhe talentin e vet, ai mund të quhet fare mirë si një investim i djegur. Mundësia e pakët i ka bërë shumë syresh që të largohen prej këtij vendi. Dhe s’ka asnjë çudi në këtë mes: ata vazhdimisht shkëlqejnë; bota mbarë i admiron.
Vetëm një gjë e vogël duhej bërë: largimi. Dhe me largimin, qenia e tyre artistike ka lulëzuar. Por duhej që një pjesë e mirë e këtyre njerëzve të ngacmonin ndërgjegjet shqiptare. Të pavarur financiarisht dhe larg goditjeve klanore apo politike, ata mund të ishin një shpresë e vërtetë për këtë vend. Por kjo shpresë mungon. Përkundrazi, lëpirja dhe përdorimi mbizotërojnë.
Do të donim që artistët shqiptarë të ishin më të mëdhenj, që të dilnin jashtë kategorisë së ulët, të madhështoheshin. Artistët e mëdhenj krijojnë kombe të mëdha. Por artisti nuk është i madh vetëm se ka zë të madh. Ai është i madh kur e vë zërin e vet (apo penelin) në dispozicion të kombit të vet, të vendit të vet, të njerëzve të vet. Duke i dashur dhe çmuar së tepërmi kokat shqiptare që kanë shkëlqyer në botë, duhet thënë përsëri se ata pak e ushqejnë këtë popull. Ata mund të jenë të mëdhenj, por ushqimi i tyre është i vogël. Një desantim një herë në vit apo një herë në hënëz, nuk janë ushqim i mjaftueshëm. Me këtë nuk duam assesi të përbaltim ndihmesën e tyre të vyer. Ata janë një pasqyrë e bukur ku ne mund të shihemi dhe të ëndërrojmë. Por kjo nuk duhet të na bëjë në të njëjtën kohë të harrojmë apo të anashkalojmë ata qëndrestarë që na ushqejnë këtu me artin e tyre.
Mirënjohja për artistin duhet të jetë në shkallën më të lartë. Qoftë për artistin shqiptar qoftë për shqiptarin artist në botë. Fjalët tona mund të jenë të hidhura, por realiteti ynë jetësor është edhe më i hidhur. Dhe kjo hidhësi ka një ilaç të vetëm: artin. Arti është shërues, arti është lartësues. Përmes artit ne mund të kemi jo vetëm një jetë më të mirë, por dhe një botë shqiptare më të mirë. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm artistët që marrin dimension intelektual dhe i flasin shoqërisë fort dhe bukur. Në pritje të tyre, duhet të kënaqemi veç me artin e tyre të vogël.