Asgjë pos të vërtetës: Trashëgimia e Orwellit dhe “1984”
Telegrafi më poshtë ua sjell një pjesë të veprës së autorit Dorian Lynskey, “The Ministry of Truth: A Biography of George Orwell’s 1984” (Ministria e së Vërtetës: Biografia e ‘1984’-shit të George Orwellit”, që do të dalë në shitje më 30 maj të këtij viti.
Dhjetor 1948. Një burrë është pranë një makine shkrimi, në shtrat, në një ishull të largët, duke u munduar që ta mbarojë librin që për të ka vlerë më shumë se gjithçka tjetër. Libri do të përfundojë e, një vit e pak më shumë, po ashtu edhe ky burrë.
Janar 2017. Një burrë tjetër qëndron para një turme e cila nuk është aq e madhe sa do të donte të ishte, në Uashington DC, teksa betohej si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sekretari i tij i shtypit tha se “ishte publiku më i madh prezent ndonjëherë në inaugurim, aty dhe në mbarë globin”. I pyetur për të arsyetuar një gënjeshtër kaq të pahijshme, këshilltari i presidentit e përshkruan deklaratën si “fakt alternativ”. Gjatë katër ditëve të ardhshme, shitjet në SHBA të librit të burrit të vdekur do të rriten me pothuajse 10 mijë për qind, duke e bërë bestsellerin Nr. 1.
Kur George Orwell e botoi për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar veprën “1984 -, më 8 qershor 1949, në mes të shekullit XX – një kritik mendonte sesi një libër i tillë do të ushtronte fuqi tek gjeneratat që do të vinin. 35 vjet më vonë, kur e tashmja u ballafaqua me të ardhmen e Orwellit dhe kur bota nuk ishte makthi që kishte përshkruar, komentatorët sërish parashikuan se popullariteti i tij do të bie. Edhe 35 vite kaluan që atëherë dhe “1984” mbetet libri të cilit i kthehemi kur e vërteta gjymtohet, kur gjuha shtrembërohet, kur fuqia abuzohet, kur duam të dimë se sa keq gjërat mund të bëhen. Ende mbetet – sipas fjalëve të Anthony Burgessit, autorit të veprës “A Clockwork Orange” (Portokalli mekanik) – “një kodeks apokaliptik për frikën tonë më të keqe”.
“1984” nuk ka shitur vetëm dhjetëra milion kopje; është infiltruar në ndërgjegjen e njerëzve të panumërt që nuk e kanë lexuar kurrë. Frazat dhe konceptet që Orwelli i ka nxjerrë janë bërë pjesë esenciale e gjuhës politike, të fuqishme edhe pas dekadave të përdorimit dhe të keqpërdorimit: lajmet, Big Brother (Vëllai i Madh), Policia e Mendimit, Dhoma 101, Urrejtja Dyminutëshe, Dymendimi, Nënpersoni, Vrima e Kujtesës, Tele-ekrani, 2+2=5 dhe Ministria e së Vërtetës. Titulli ishte për të përcaktuar një vit kalendarik, derisa fjala “Orvellian” e ka kthyer emrin e autorit në një sinonim të madh për gjithçka që urrente dhe kishte frikë.
Vepra është përshtatur në kinematografi, televizion, radio, teatër, operë dhe balet dhe ka ndikuar në novela, filma, shfaqje televizive, stripa, albume, reklama, fjalime, fushata zgjedhore dhe kryengritje. Njerëzit kanë kaluar vite të tëra në burg vetëm pse e kanë lexuar. Asnjë punë letrare nga shekulli i kaluar nuk i afrohet gjithëpranimit kulturor dhe peshës që ende ka ajo. Zërat kundërshtarë si Milan Kundera dhe Harold Bloom kanë thënë se “1984” është në të vërtetë një roman i keq, me karaktere të dobëta, prozë humdrum dhe një komplot i padurueshëm, por që të gjitha këto prapë nuk mund ta mohojnë rëndësinë që ka.
Romani është përvetësuar nga socialistët, konservatorët, anarkistët, liberalët, katolikët dhe libertarianët, dhe përshkrimi që mund të jetë aty – siç pretendonte Kundera – është thjesht “mendim politik i maskuar si roman”. Por, proza shkëlqyeshme e Orwellit fsheh një botë komplekse. E menduar normalisht si distopi, “1984” është gjithashtu – në masë të debatueshme – satirë, profeci, paralajmërim, tezë politike, vepër fantastiko-shkencore, triler spiunësh, horror psikologjik, makth gotik, tekst postmodern dhe një histori dashurie. Shumica e njerëzve e lexojnë kur janë të rinj dhe ndjehen të prekur nga kjo – sepse ofron më shumë vuajtje dhe më pak siguri se çdo tekst tjetër i shkollës së mesme apo të lartë – por nuk ndjehen të detyruar që ta rizbulojnë në moshë madhore. Sa keq. Është shumë më e pasur dhe më ndryshe sesa e kujtoni.
Orwelli ndjente se jetonte në kohë të mallkuara. Ai fantazonte për një jetë tjetër në të cilën mund t’i kalonte ditët në kopsht dhe të bënte letërsi, në vend se “të detyrohej të bëhej pamfletist”. Por, kjo do të ishte humbje emadhe. Talenti i tij i vërtetë ishte për ta analizuar dhe shpjeguar një periudhë të trazuar të historisë njerëzore. Në letër, vlerat e tij mund të duken të paqarta për të bartë një peshë kaq të madhe – ndershmëri, mirësjellje, liri, drejtësi – por askush tjetër nuk luftoi aq shumë, privatisht dhe publikisht, me atë se çfarë ato ide kishin qëllim gjatë ditëve më të errëta të shekullit XX. Ai gjithmonë u përpoq të tregonte të vërtetën dhe i admironte të gjithë ata që vepronin ashtu. Asgjë e ndërtuar mbi gënjeshtër nuk mund të kishte vlerë. Në qendër të ndershmërisë së tij ishte angazhimi për të punuar përherë për atë që mendonte dhe pse e mendonte atë, dhe kurrë nuk pushonte së rivlerësuari mendimet. Për të cituar Christopher Hitchensin, një nga admiruesit më mëdhenj të Orwellit: “Nuk ka rëndësi çfarë mendoni, por si mendoni”.
Për herë të parë kam hasur te “1984” si një adoleshent i rritur në jugun periferik të Londrës. Siç ka thënë Orwelli, librat që lexoni kur jeni të rinj mbesin me ju përgjithmonë. E perceptova si tronditës dhe bindës, por kjo ishte rreth vitit 1990, kur komunizmi dhe aparteidi po binin, optimizmi mbretëronte dhe bota nuk ndjehej shumë si orvelliane. Edhe pas 11 shtatorit, rëndësia e librit ishte fragmentare: aplikohej në gjuhën politike, ose në media, ose në survejim, por jo në tërësinë e tij. Demokracia ishte në rritje dhe interneti u konsiderua si një forcë për të mirë.
Në vitin 2016, bota ndryshoi. Kur Trumpi merr Shtëpinë e Bardhë, Britania voton Brexit-in dhe populizmi përfshin Evropën, njerëzit nisën të flasin me shqetësim rreth përmbysjeve të viteve 1970 dhe, për më keq, të viteve 1930. Raftet e librarive nisën të mbusheshin me titujt, si: “Si mbaron demokracia, “Rruga drejt jolirisë” dhe “Vdekja e së vërtetës”, shumë prej të cilave e cituan Orwellin. “Origjina e totalitarizmit” e Hannah Arendtit meritonte një botim të ri, i cili u quajt “mbajtësja për librin ‘1984’”. I tillë ishte romani i vitit 1935 i Sinclair Lewisit, për fashizmin amerikan, “Nuk mund të ndodhë këtu”. Adaptimi televiziv i veprës së Margaret Atwoodit, “Rrëfimi i shërbëtores”, ishte alarmues aq sa një dokumentar. “Isha në gjumë më parë”, thotë Offred, karakteri i aktores Elisabeth Moss. “Kështu e lëmë të ndodhë”. Epo, nuk jemi më në gjumë. Më kujtohet diçka që Orwell shkroi për fashizmin në vitin 1936: “Nëse pretendon se është thjesht një lajthitje që do të kalojë, po e ëndërroni një ëndërr nga e cila do të zgjoheni kur dikush t’ju godet me shkop gome”.”1984” është një libër i menduar për t’ju zgjuar.
Ishte romani i parë distopik që u shkrua me dijeninë se distopia ishte e vërtetë. Në Gjermani dhe në Bllokun Sovjetik, burrat e kishin ndërtuar atë dhe i detyruan burrat e grat tjera të jetonin dhe të vdisnin brenda kufijve të hekurt. Këto regjime janë zhdukur, por libri i Orwellit vazhdon të definojë ankthet tona, madje edhe kur ato zhvendosen dhe ndryshojnë. “Për mua është si një mit grek, ta marrësh dhe të bësh çfarë të duash me të – të ekzaminosh veten”, më tha Michael Radford, regjisor i adaptimit filmik të “1984”-shit. “Është një pasqyrë”, thotë një personazh në adaptimin skenik të vitit 2013. “Çdo moshë e sheh veten të reflektuar”. Për këngëtarin dhe kompozitor Billy Bragg, “sa herë që e lexoj, del të jetë diçka tjetër”.
Kur shfaqja jepej në “West End”, secila prej tri shfaqjeve kishte kontekst të ndryshëm politik – e treta u dha gjatë referendumit të Brexit-it, pak para vrasjes së deputetit Jo Cox nga një terrorist i ekstremit të djathtë. Gjatë shfaqjeve në teatrin “Hudson” të Nju-Jorkut, që nisi më 18 maj 2017, regjisorët vërejtën se reagimi i audiencës çdo natë prekej nga çfarëdo që Donald Trump kishte bërë atë ditë. Në natën pasi Trump shkroi një fjalë kot në Twitter, fjalën “covfefe”, kishte aq dëshirë për humor se që një aktor u trondit: “Kam qenë në komeditë që kanë pasur më pak të qeshura se kjo”. Një natë lajmet ishin aq të këqija saqë publiku ishte neglizhent. Në shfaqjen e tretë, kur shefi kryesor antagonist i Winston Smithit, O’Brien, pyet se “çfarë viti është?”, një grua bërtet: “Është viti 2017 dhe ia kanë q… n…”!
Duhet thënë se Trumpi nuk është Vëllai i Madh. Pavarësisht ringjalljes së frazave të tilla toksike, si “Amerika së pari ” dhe “armiku i popullit”, ai thjesht është një rikthim në vitet 1930. Ai e ka urrejtjen dhe urinë e pushtetit të një diktatori, por jo disiplinën, intelektin apo ideologjinë. Pararendësi i tij më i afërt letrar është ndoshta Buzz Windrip, populisti i ngathët nga “Nuk mund të ndodhë këtu”. Në botën reale, paraardhësi i Trumpit është Joseph McCarthy, i cili kishte nivele të krahasueshme të narcizmit, pandershmërisë, pakënaqësisë dhe ambicies së ashpër, si dhe një aftësie të ligë për t’i bërë gazetarët që të kërcejnë me melodinë e tij edhe pse e urrenin. Orwelli do ta kishte njohur këtë soj. “Them se babai do të zbavitej nga Donald Trumpi, në mënyrë ironike”, ka thënë më 2017, djali i Orwellit, Richard Blai. “Mund të kishte thënë: ‘Ja soji i njeriut për të cilin kam shkruar vite më parë”
Ka precedentë në shkrimin e Orwellit. Gjatë fushatës së Trumpit kundër Hillary Clintonit, ishte e vështirë të shihje kandidatin që nxiste përkrahësit në thirrjen “Mbylleni!” pa e kujtuar Urrejtjen Dyminutëshe. Presidenti po ashtu plotëson shumicën e kritereve të përkufizimit të Orwellit të vitit 1944 për fashizmin: “Diçka mizore, e paskrupullt, arrogante, obskure, anti-liberale dhe anti-klasës punëtore… pothuajse çdo person anglez do të pranonte ‘kaun’ si sinonim për ‘fashist’”. Orwelli pretendonte se këta njerëz mund të dalin në krye vetëm kur status quo-ja nuk ka arritur të kënaqë nevojat e qytetarëve për drejtësi, liri dhe vetëvlerësim, por fitorja e Trumpit kërkoi një përbërës shumë të rëndësishëm.
Ai nuk e ka marrë pushtetin përmes revolucionit apo puçit. Ai nuk u forcua nga recesioni apo mizoria terroriste, e lëre më lufta bërthamore apo kriza e fertilitetit. Rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë kaloi përmes “Versionland”-it amerikan, që është emri që eksperti i çështjeve ruse, Luke Harding, ka vënë për politikën e post-vërtetës në Rusinë e Vladimir Putinit. Në Versionland, gënjeshtrat flagrante bëhen “fakte alternative”. Trumpi e krijon realitetin e tij dhe e mat fuqinë e tij me numrin e njerëzve që pajtohen me të: sa më e ashpër gënjeshtra, aq më shumë fuqi tregon. Është me të vërtetë orvelliane fraza se “lajmet e rreme” është futur nga Trumpi dhe kolegët e tij autoritarë për të përshkruar lajmet e vërteta që nuk e kanë pëlqimin e tyre. Avokati i Trumpit, Rudy Giuliani, dha aksidentalisht një moto të rëndë për Versionlandin amerikan kur u kurthua nga një intervistues: “E vërteta nuk është e vërteta!”
Si ndodhi kjo? Në prag të vitit 1984, shkrimtarja e fantashkencës, Marta Randall, tha se një gjë që Orwelli nuk e parashikoi ishte përhapja e cinizmit: “Do të ishte shumë e vështirë për Vëllain e Madh të bindte dikën për ndonjë gjë në kohën post-Watergate dhe post-Vietnami”. Në vitet 1980, sugjeroi ajo, synimi i Orwellit do të ishte trivialiteti i mediave të lajmeve. “Mund të mos bazohemi te tërë lajmet ‘autoritative’”. Me kalimin e kohës, ky mosbesim ndaj narratives së establishmentit shtyu shumë njerëz të kërkojnë të vërtetën, e shumë të tjerë zgjodhën “të vën në “Ministrinë e së Vërtetës me sistemet e ML-së [makinë-mësimit]”, por duke mos vepruar në kohë, Facebook-u i lejoi “aktorët e këqij”, siç është Agjencia ruse e Kërkimeve në Internet, për të përhapur dezinformatat e pakontrolluara
Problemi ka gjasa të përkeqësohet. Rritja e imazheve “shumë të rreme”, që kombinon grafikën kompjuterike dhe inteligjencën artificiale për të prodhuar imazhe artificialiteti i të cilave mund të identifikohet vetëm nga analizat e ekspertëve, ka potencialin për të krijuar një labirint paranojak në të cilin, sipas paragjykimit të shikuesit, imazhet e rreme kalojnë si të vërteta e ato të vërtetat eliminohen si të rreme.
Gjatë një fjalimi në korrik 2018, Trump tha: “Ajo që po shihni dhe ajo që po lexoni nuk është ajo që po ndodhë”. Një rresht nga “1984” u përhap në formë virale: “Partia ju tha të refuzoni dëshminë e syve dhe veshëve tuaj”.
Dikush mund të jetë i etur për ditët kur Vëllai i Madh ishte shaka dhe kur Orwelli “fitoi”, siç menduan shumë komentatorë pas rënies së Murit të Berlinit. Një epokë e goditur nga populizmi i ekstremit të djathtë, nacionalizmi autoritar, dezinformimi i shfrenuar dhe rënia në besimin ndaj demokracisë liberale, nuk e eliminojnë lehtë “1984”-shin
Orwell ishte shumë pesimist dhe jo sa duhet pesimist. Nga njëra anë, Perëndimi nuk iu nënshtrua totalitarizmit. Konsumerizmi, jo lufta e pafundme, u bë motori i ekonomisë globale. Por, ai nuk e donte prirjen për racizmin dhe ekstremizmin fetar. As nuk parashikoi se burri dhe gruaja e zakonshme do të përqafonin Dymendimin me entuziazëm aq sa intelektualët dhe, pa nevojën për terror ose torturë, do të zgjedhin të besojnë se dy plus dy është çfarëdo që duan që ajo të jetë.
“1984” flet për shumë gjëra dhe shqetësimet e lexuesve diktojnë se cila është më e rëndësishmja në çdo moment në histori. Gjatë Luftës së Ftohtë ishte një libër për totalitarizmin. Në vitet 1980 u bë paralajmërim për teknologjinë. Sot mbi të gjitha është një mbrojtje e së vërtetës.
Frika e Orwellit, që u mboll gjatë muajve që kaloi duke luftuar në Luftën Civile të Spanjës, se ” koncepti i së vërtetës objektive po venitet në botë”, është në zemrën e errët të “1984”-shit. E kaptoi atë para se të dilte me Vëllain e Madh, Oqeaninë, Njuzpikun apo tele-ekranet, dhe është më e rëndësishme se secila prej tyre. Në analizën e vitit 1949, “Life” saktë e identifikoi thelbin e mesazhit të Orwellit: “Nëse njerëzit vazhdojnë të besojnë në faktet që mund të testohen dhe të nderojnë frymën e së vërtetës në kërkim të njohurive më të mëdha, ata kurrë nuk mund të skllavërohen plotësisht”. Shtatëdhjetë vjet më vonë, kjo ndjehet me të madhe. /Telegrafi/