At Gjergj Fishta,Vende-Vite-Vepra (monografi) e autorëve Tonin Çobani dhe Ndue Ballabani
Me rastin e 150-vjetorit të lindjes
Dy fragmente nga vepra
1.
… Gjergj Fishta është, së pari, poet (poet epik, lirik, dramatik dhe satirik), por është edhe prozator (eseist, kritik letrar, polemist dhe komediograf-sipas Molierit). Poeti ynë Kombëtar ka qenë, po ashtu, publicist (Themeloi dhe drejtoi revistën Hylli i Dritës, si dhe drejtoi gazetën Posta e Shqipnisë; bashkëpunoi dhe mbështeti revistat “Zani i Shna Ndout” e “Gruaja shqiptare”, si dhe bashkëpunoi me revistën Albania të Faik Konicës etj.)
Gjergj Fishta ka qenë artist i spikatur (ai na ka lënë piktura, projekte arkitekture të realizuara; ka bërë regjisorin e Teatrit të Fretenve, skenografin dhe organizatorin e shfaqjeve). Ai që nga viti 1902 ka qenë një pedagog i përkushtuar (futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, unifikoi alfabetin latin të shqipes së shkruar, të cilin e kemi edhe sot e kësaj dite, themeloi teatrin që foli shqip dhe konsolidoi bazat e oratorisë shqiptare).
Por Gjergj Fishta ka qenë edhe diplomat e politikan (Sekretar i delegacionit zyrtar të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris; Mis në Konferencat Ballkanike të Athinës, Stambollit, Bukureshtit; anëtar i Parlamentit të parë shqiptar dhe nënkryetar i tij, si dhe negociator kryesor për njohjen e Shqipërisë nga SHBA).
Mbi të gjitha Gjergj Fishta është Shqiptari i Madh (si shkrimtar e artist, si mësues, pedagog dhe Akademik, si diplomat e politikan, si qytetar e klerik, famullitar a Provincial në krye të françeskanëve të Shqipërisë)… (At Gjergj Fishta,Vende-Vite-Vepra, f.285-386)
2.
Një Polemikë për Vargun Kombëtar të Poezisë Shqipe
Gjergj Fishta, si duket, nuk ka pasur ndonjëherë as më të voglin dyshim për përkatësinë e Eposit të Kreshnikëve, të kënduar, si thotë ai vetë, me “Lahutë, Tambërr apo me kërcim ‘valle’”. Në këngën e tretë të blenit të dytë, “Vranina”(1907), ai ka inkorporuar Këngën e Gjergj Elez Alisë në tetërrokëshin e gjithë poemës “Lahuta e Malcis”. Në titujt e veprave të Fishtës në dorëshkrim zë vend edhe përmbledhja me prozë popullore titulluar “Gjashtë net Kazanash” me shtatë përralla, tri prej të cilave kanë qenë botuar.
Më vonë, më 1935, Fishta ka marrë pjesë në një polemikë publike për folklorin kundër një teze të hedhur me nxitim prej Zef Valentinit (Zalvi), një jezuit i ditur dhe bashkëpunëtor (e drejtues) i revistës LEKA që botohej në Shkodër.
Shi në atë revistë Valentini kishte botuar një shkrim (Vargje heroike shqiptare), sipas tij, për vargun kombëtar të shqiptarëve. Dhe ky varg kombëtar, përsëri sipas tij, na qenka dhjetërrokëshi i huazuar prej rapsodive sllave. Me qenë se Fishta i kishte shkruar të dy blenet e parë të “Lahutës së Malcis” në tetërrokësha, sipas Valentinit, ai nuk po shkruante një epos kombëtar. Aq më keq, kur ky tetërrokësh i Fishtës nuk ishte gjithherë i numruar mirë dhe, gjithsesi, bëhej monoton.
Për këta mangësi, gjithnjë sipas Valentinit, vargjet fishtjane nuk mund të rekomandohen për mësim nëpër shkolla, sepse na ia prishkan shijet nxënësve me vargje jo të nivelit kombëtar (dhe klasik). Një ide të përafërt kishte pasur më parë edhe jezuiti tjetër, At Fulvio Cordignano në veprën e tij “Epopeja Kombëtare e popullit shqiptar” (Shkodër, 1925). Këtë e mësojmë nga letra e Fishtës drejtuar Pal Dodajt, kur i ankohet për Justin Rrotën. Nëse me Cordignanon, Fishta i ishte shmangur polemikës, me Valentinin ai shtrëngohet me argumente estetike dhe artistike kundër tezës absurde se tetërrokëshi nuk mund të jetë varg heroik kombëtar… Por ai (Fishta) duket se nuk ka pranuar as Cordignanon, i cili në një kapitull të studimit të vet për “Lahutën…”, qysh në titull shtron pyetjen: “A ndoq poeti gjurmët e rapsodive sllave e të malcorëve?” (Kapitulli XLVII):
“Asht thanë e përsëritë sa herësh, – shkruan Cordignano, – se poemi i A. Fishtës asht punue, mostjetër në disa pjesë m(b)i modele slave…”
Konkluzione të tilla Fishta i ka quajtur provokime (“provokimet e At Cordignano-s”), por, siç i shkruan At Pal Dodajt më 1934 (ndërsa po përgatiste, me sa duket, argumentet kundër Zalvit), nuk i është përgjigjur, mbasi nuk e shqetësonte aspak “t’ashtuquajturit lavdi letrare”. Si duket polemikën me Zalvin (Zef Valentinin), të botuar disa muaj më vonë (1935), Fishta e justifikon për të arritur në një konkluzion teoriko-praktik përtej veprës së vet, dhe për të formuluar idenë se “‘varg heroik shqiptar’ asht tetërrokëshi i ‘Lahutës së Malcis’ e jo dhjetërrokëshi i sllavëve kufitarë tanë e se ‘Lahuta e Malcis’ asht shkrue mbas një metrike të paracaktueme e të preme mbas natyrës së gjuhës shqipe.”
Gjergj Zhej në një studim të fillimviteve ’90 shkruan për tetërrokëshin e “Lahutës…”:
“Ka në tetërrokëshat e Lahutës një rregullsi dhe kadencë gati fikse që çon deri në ndarjen thuajse të rregullt të vargjeve në hemistikë ashtu si e hasim te Noli e, më vonë, te Asdreni e ndonjë tjetër… Megjithatë kjo rregullsi dhe rreptësi strukture, nuk shket kurrë në monotoni, një rrezik jo i lehtë për t’u shmangur në të tilla raste. Dhe kjo ndodh mbasi Fishta di të jetë i larmishëm, di të gjejë harmoninë e përshtatshme për secilin rast. Dhe kësaj ai ia arrin me anë të mjeteve të instrumentimit tipike popullore, të përdorura me shije dhe efekte të rrallë.” (At Gjergj Fishta,Vende-Vite-Vepra, f. 33-35)