“Au fil du temps”, në fije të kohës

Një fije që ngjit historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi. Aktualiteti i së tashmes dhe historia në sfond, ky është thelbi i asaj që artëdashësit do të gjejnë në ekspozitën ndërkombëtare të artit, “Onufri”.

Do të jetë Galeria Kombëtare e Arteve që më datë 20 Dhjetor do të hapë për publikun dyert e saj edicionin e 23-të  të kësaj ekspozite ndërkombëtare me titullin, “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale”. E veçanta e  kësaj ekspozite është fryt i artistëve shqiptarë, por edhe të huajve ndërsa kurimi, sipas ATSH-së vjen nga kritiku dhe kuratori, Gaetano Centrone. Pas shumë studimesh, kuratoi Centrone doli në konkluzionin se historia mbizotëron në punën e të dhjetë artistëve të mbledhur në këtë ekspozitë.

Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet. Dhe po ashtu dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekziston një, apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë? Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve. Kuratori është shprehur se, “për zgjedhjen e titullit ne kërkuam një shprehje të mrekullueshme të gjuhës frënge: au fil du temps. Në italisht, për shembull mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës”. Kjo është një nga pasqyrat më të reja të artit, të cilën e ofron Tirana në prag festash. Pse jo një ftesë shumë e bukur për të gjithë ata që dinë ta shijojnë e meditojnë mbi artin e bukur të pikturës.

SHKARKO APP