Autori Enkelejd Lamaj rikthehet me thrillerin e ri “Gjithçka që dua”, që premton të trondisë deri në palcë
Pas suksesit të romanit “Gjithçka që ke”, shkrimtari Enkelejd Lamaj vjen sërish për lexuesin, këtë herë me një histori që nuk të le të marrësh frymë deri në faqen e fundit. Në vitin 2021, Lamaj tërhoqi vëmendjen e lexuesve me thrillerin e errët “Gjithçka që ke”, i cili solli edhe vrasësin e parë serial në Tiranë, me historinë drithëruese të Adelinës, një grua që luftonte për të mbijetuar mes dhimbjes dhe terrorit. Libri u vlerësua për tensionin narrativ dhe stilin unik të autorit, duke e rikonfirmuar atë si një nga zërat më të veçantë të zhanrit horror dhe thriller në letrat shqipe.
Katër vjet më vonë, historia vazhdon… por tani, mes Tiranës dhe Prishtinës. Një zhdukje, një seri krimesh dhe një e shkuar që nuk vdes kurrë. Romani “Gjithçka që dua” rikthen në qendër të rrëfimit gazetaren Sidorela Ejlezi, e cila disa vite më vonë pas ngjarjeve në romanin e parë, ka ndërtuar një jetë të re si shkrimtare e njohur. Por, gjithçka merr fund një natë, kur bashkëshorti dhe djali i saj zhduken pa lënë gjurmë.
Një vit më pas, Tirana dhe Prishtina tronditen nga një valë krimesh të përbindshme: vajza të reja gjenden të masakruara në mënyrë barbare, ndërsa në banesat e viktimave përsëritet një detaj enigmatik: fotografi të djalit të Sidorelës, të vendosura mes librash që ajo i njeh shumë mirë. Çfarë fshihet pas këtij misteri? Një thirrje për ndihmë, një kërcënim, apo diçka shumë më e errët, e lidhur me të shkuarën?
Me stilin e tij, tashmë të pangatërrueshëm, Lamaj ndërthur mjeshtërisht atmosferën e zymtë psikologjike me një narrativë që të tërheq në çdo faqe. Sidorela duhet të përballet me demonët e saj, të zbresë në territore ku kufiri mes reales dhe paranojës mjegullohet, dhe të ndjekë gjurmët e një mendjeje të sëmurë… ndoshta edhe të vetes.
Një thriller që të merr frymën ngadalë… si një dorë në fyt
Kur lexojmë një thriller, gjithmonë lind pyetja: a është më e frikshme ajo që shohim, apo ajo që imagjinojmë? Një hije që kalon në mur apo një frymëmarrje që nuk i përket askujt, shpesh janë të mjaftueshme për të na ngrirë gjakun. Por, me romanin “Gjithçka që dua”, frika nuk fshihet pas qosheve: ajo ecën përpara nesh, e prekshme, e vërtetë, e pashmangshme. Në faqet e tij, nuk e kemi më luksin e misterit të padukshëm, por detyrohemi ta shohim përbindëshin drejt e në sy, derisa kuptojmë se ndoshta ai ka qenë aty, brenda nesh, gjatë gjithë kohës.
“Gjithçka që dua” është një roman i errët, hipnotik dhe tronditës, që e zhyt lexuesin në një botë ku frika nuk ka emër dhe e kaluara kafshon më fort se kurrë.
Për të mësuar më shumë, ditën e premte, datë 12 Shtator, prej orës 17:00, te instalacioni “Reja”, lexuesit do të kenë mundësinë të takohen me autorin Enkelejd Lamaj, në një bisedë të lirshme, për të hedhur një sy nga afër në zemrën e librit dhe për të zbuluar së bashku sekretet pas frymëzimit, emocioneve dhe udhëtimit krijues të tij.

KOHA JONË SONDAZH

