“Babai”, një dramë e kujtesës, dashurisë dhe humbjes që prek thellë shpirtin njerëzor

Nga Albert Vataj
“Teatri nuk është pasqyrë e realitetit, por çekiçi që e formëson atë”, shkruante Bertolt Brecht, duke e parë skenën si një laborator të ndërgjegjes njerëzore. Dhe pikërisht këtë mision sjell në vëmendje Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me premierën “Babai” të Florian Zeller-it, një dramë e thellë që ndriçon skutat më të ndjeshme të shpirtit njerëzor, për të zgjuar tek secili prej nesh vetëdijen, dhe për ta kthyer emocionin në një akt reflektimi.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell premierën e radhës që pritet të lërë gjurmë në publikun shqiptar: “Babai” të dramaturgut francez Florian Zeller, një prej autorëve më të vlerësuar të teatrit bashkëkohor evropian.

Premierë më 9 tetor, ora 20:00, dhe do të vijojë më 10, 11 dhe 12 tetor, në arTurbina, Salla 150, nën regjinë e Erson Zymberit, në një bashkëpunim të ndjerë dhe artistikisht të përkorë mes aktorëve dhe gjithë stafit krijues.
Në këtë vepër, Zeller eksploron me ndjeshmëri të thellë temën e demencës dhe rrëzimit të kujtesës, përmes figurës së André-së, një burrë që humbet dalëngadalë orientimin mes kujtimeve dhe realitetit. Ndërkohë, vajza e tij Ana përpiqet ta mbajë të lidhur me botën, duke u përballur me dhimbjen e shuarjes së ngadalshme të njeriut që e ka rritur.
Në skenë do të interpretojnë mjeshtrit e aktrimit shqiptar, ata që i japin zë dhe përjetim këtij komunikimi, këtij eteri të shpirtit njerëzor. E kryeson këtë kastë i madhi, ai që përfaqëson jo vetëm gjeneratën e vjetër të artit skenik, por edhe ai që guxon të mos i nënshtrohet ligjësive të jetës, duke i’u kundërvënë me rini dhe vitalitet, Viktor Zhusti. Për të vijuar me, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani dhe Adriana Tolka, të cilët do të mbajnë një peshë teatri në këtë sfidë.
Me muzikën e ndjeshme të Endri Sinës, skenografinë e Bekim Korçës, kostumet e Sofi Karës dhe koreografinë e Mariel Brahimllarit, kjo shfaqje ndërton një univers emocional që lëkundet mes kujtesës dhe harresës, mes dashurisë dhe humbjes, mes realitetit dhe iluzionit.
“Babai” nuk është vetëm një histori për demencën, por një pasqyrë e ndjeshme e gjendjes njerëzore, ku njeriu lufton të ruajë dinjitetin e vet përballë kohës dhe sëmundjes. Është një tragjikomedi intime, që flet me një ndriçim poetik për dashurinë e pastër mes babait dhe bijës, për atë dritë që mbetet gjallë edhe kur kujtesa fiket.
Ky produksion, që vjen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, është një ftesë për të reflektuar, për të parë në sytë e një realiteti që na prek të gjithëve, dhe për të kuptuar se edhe në errësirën e harresës, dashuria mbetet dritë e pashuar.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?