Banesa shkodrane Jubani, thesar i arkitekturës
Banesat shkodrane njihen për vlerat arkitekturore, kulturore dhe historike që ato mbartin. Gjithnjë e më shumë këto banesa janë në vëmendjen e institucioneve përkatëse për t’i mirëmbajtur, në mënyrë që të ruajnë këto vlera dhe të jenë atraksione të denja turistike.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër bën të ditur se po kryen punime mirëmbajtje në banesën e Mati Jubanit, e shpallur “Monument kulture” në 1973. “Çdo ditë me monumentet. Punime mirëmbajtje në banesën Mati Jubani, qendra historike e qytetit të Shkodrës. Monument kulture i kategorisë së I”, thekson DRKK, Shkodër.
Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjendet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për t’i shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Në këtë banesë lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia ka vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma, të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën përmes një çardaku. Dy nga odat janë pajisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips.
Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme, ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.