Bashkëshortja e Lalos rrëfen parandjenjën, mesazhin që nisi t’i shkruante dhe telefonatën e fundit: Jam në spital…

ANILA DEDAJ/ Një ngacmim ndiente në zemër, një ditë para ngjarjes. Në mbrëmje vonë, bën t’i shkruajë “Të dua!”. Marga dhe Aleksandër Lalo nuk shkëmbenin asnjëherë mesazhe, por atë mesnëntori të 2017-s, e saja kishte qenë një parandjenjë.

Gjithmonë të pandarë, ajo stomatologe e ai ndër më të mirët kompozitorë, për njerëzit krijonin tablonë e çiftit perfekt. Asnjëherë nuk i lëshuan dorën njeri-tjetrit.

Në cepin e dhomës, pianoja qëndron si dëshmitare e dashurisë së tyre, por edhe e muzikës që Lalo la pas. Aty janë bërë provat e pjesëve që mjeshtri krijoi, për të rritur e fëmijë, për Orkestrën. Komshinjtë nuk janë ankuar kurrë, tregon e shoqja, pasi Lalo dinte t’i bënte pjesë të festës së tij muzikore. Pastaj, ai kishte atë aftësinë magjike për t’i bërë njerëzit për vete. “Pianon ia ka dhuruar Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve pas ‘Dimrit të fundit’. Sandri tregonte se muzika e atij filmi kishte tërhequr shumë vëmendjen e Mehmet Shehut”, thotë Marga.

Fizarmonikën, ndryshe nga pianon, vitet e fundit e kishte lënë disi mënjanë, por pa e harruar. Rrugëtimin e tij drejt muzikës e pati nisur me këtë instrument. “Më tregonte se kur kaceku i saj çahej, ai e ngjiste me letra dhe brumë. E pasandaj dilte për të luajtur te vila dykatëshe pranë Pazarit të Ri. Ka qenë fëmijë i ndrojtur, edhe e gjente këtë si mënyrë për t’u shprehur”, rrëfen bashkëshortja e Lalos. Fëmijët qenë pjese e pandarë e krijimtarisë së tij, e fundit partiturë për ta qe krijuar për filmin “Ne kemi diellin”, të Petrit Rukës. Madje, Lalo qe i pari kompozitor që bëri bashkë të rriturit dhe fëmijët në një skenë në Shqipëri.

lalo

Gjithmonë i sinqertë e plot karizëm, energjik e me dëshirë për të kontribuuar, aq sa “i gënjeu” të gjithë, e askush nuk e mendoi se nëntori i 2017-s do të ishte i fundit për të. Ato të diela, Lalo ishte bërë pjesë e mbrëmjeve tona, përmes ekranit. Dhe ngjarja ka lënë shenjë. Marga shmang shikimin nga televizori ku nipi i madh, Joeli, ka lënë përgjysmë filmin vizatimor. “Qëkur ai iku, nuk e shikoj më…” E ka të vështirë teksa rrëfen ditët e tij të fundit, kur Lalo kishte nisur të takojë në ëndërr njerëzit e munguar.

Lotët i mbytin fjalët herë pas here. Prania e Joelit e bën të mbledhë veten. Sandrin e saj e kërkon edhe tek ai, te djemtë, në kujtime, te muzika që la pas. E gjen tek artistët apo njerëzit e thjeshtë, të cilët i shprehin dashamirësinë ndaj Lalos… Gjurmët e pashlyeshme që la, e mbajnë Sandër Lalon në jetë.

Emrin tuaj, Aleksandër Lalo e gdhendi në muzikë. Si lindi kënga “Marga ime”?

Kompozitorët frymëzohen edhe prej dashurisë, e krijojnë për të. Përjashtim nuk mund të bënte as Sandri. Mirëpo, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ai deshi që kënga të mbante emrin tim. Kur Jorgo Papingji shkroi tekstin e këngës “Marga ime”, unë këmbëngulja që emri të shmangej ose të zëvendësohej, edhe pse nuk do të ishte Sandri ai qe e këndonte. Pra, do të ishte këngëtari, në këtë rast Kastriot Tusha që thoshte “Marga ime”. Mirëpo, u bë siç Sandri dëshironte, padyshim. Kështu, një ditë kur po kthehesha nga puna, sapo bëj të hyj në shtëpi dëgjoj Kastriotin duke bërë prova e duke kënduar mjeshtërisht këngën. Ishte një emocion i veçantë të dëgjoja pjesën që Sandri më dedikoi, por njëherazi edhe një lloj ndrojtjeje, teksa dëgjoja emrin tim. M’u mbushën sytë me lot dhe nuk gjeta guximin të hyja brenda. Më ka emocionuar shumë edhe interpretimi i këngës në “C’est la vie”, nga Ori Koçi.

Ditët e fundit ishte protagonisti i padiskutueshëm i “C’est la vie”. Publikun e kishte të gjithin për vete, si i përjetonte këto momente?

Është e vërtetë që njerëzit e donin shumë. Emocione të mëdha i kanë dhuruar që nga “Kënga ime”. Dilnim e ndalonin, duke e mbuluar me komplimente, e takonin me përzemërsi. Madje, ka edhe një episod shumë interesant. Një ditë, një polic në Rrugën e Elbasanit, kur ne ishim me makinë, ndalon makinat dhe na hap rrugën duke bërë me shenjë që të kalonim. Të jem e sinqertë, mua më erdhi shumë turp. Por ai e kishte takuar Sandrin, e për t’i treguar sa shumë e respektonte dhe e kishte përzemër, i kishte thënë: “Kur të kalosh ti, do ndaloj të gjitha makinat!” Propozimin për t’u bërë pjese e emisionit “Kënga ime” e priti me shumë entuziazëm, ndërsa te “C’est la vie”, si duket, kishte nisur të ndiente shenjat e lodhjes dhe fillimisht ngurroi. Por ndihej shumë mirë që e ingranonin. Pastaj stafi i Klanit e respektonte shumë. Frangaj i thoshte shpesh: “Në çdo juri për muzikën, ti do jesh i pari!”

Një ditë para ngjarjes, askush nuk e mendonte largimin e tij…

Një ditë para largimit të tij fizik, unë isha në Sarandë me motrën dhe të shoqin për një çështje familjare. Në mbrëmje, teksa po shikoja emisionin “C’e posta per te”, çuditërisht më pushton një ndjesi për t’i shkruar “Të dua”. Ne nuk komunikonim asnjëherë me mesazhe, por vetëm me zë. Nuk arrija as vetë ta kuptoja se nga vinte kjo dëshirë, ky mendim për t’i shkruar, aq sa më dukej sikur po ta bëja diçka të tillë, do të ndillja të keqen. Më vonë e kuptova se ajo ndjesi, atë mbrëmje e pashpjegueshme, ishte një parandjenjë për atë që do të pasonte.

Capture

Çfarë ndodhi në 19 nëntor të 2017-ës?

Sandri kishte dalë me Petrit Rukën për të pirë kafe, diku pranë “Pedonales”. Petriti do të shkonte në një mbledhje veteranësh ku ishte i ftuar. “Lëre fare, mos shko! Eja të kthehemi bashkë!”, i kishte thënë Sandri. Si të gjithë ne, Petriti, pa pasur as dyshimin më të vogël të asaj që do ndodhte, kishte thënë: “Po shkoj meqenëse më kanë lajmëruar disa herë e u thashë se do vij!”. Kështu ndahen. Duke u kthyer, te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit Sandri ndihet keq. Më telefonon e më thotë: Marga, nuk jam mirë, më merret fryma. I them ulu diku dhe mos ec se po i them Marinit të vij të të marrë. Ndërkohë, shkëputet telefoni, pa më thënë se ku ndodhej. Unë e ritelefonoj pa pushim, po ashtu kontaktoj edhe djalin e i them: Babi nuk është mirë, duhet të shkosh tek ai, po nuk më tha se ku gjendej.

Djali po e kërkonte, unë i bija telefonit, por pa më shkuar në mendje tek e keqja. Pas afro gjysmë ore më hap telefonin dhe unë i them: Si mbyll telefonin pa më thënë ku je? “Të ta them se ku jam?”, më përgjigjet. Për një çast mendova se mos po tallet, mos kërkon të më bëjë merak. “Jam në spital Marga, më ra të fiktë në rrugë dhe njerëzit kanë lajmëruar urgjencën. Po tani jam mirë, më kanë vënë oksigjen e më kanë bërë serum. Mos alarmo njeri!”. Ne u mblodhëm menjëherë atje edhe ndërsa i bëjnë vizitat, në EKG del se para 5-6 ditësh kishte kaluar një parainfarkt.

Në fakt, ai kishte disa ditë që ankohej nga një dhimbje e shpinës. Madje, në një prej këtyre ditëve, ndërsa unë po kthehesha nga shtëpia e djalit të madh, më thotë: Marga, kthehu në farmaci dhe më merr ndonjë ilaç për kurrizin se më dhemb shumë. Mirëpo, ai gjithë jetën është ankuar nga dhimbja e shpinës, pasi nga pozicioni i pianos dhe fizarmonika, shtylla kurrizore i kishte pësuar një shtrembërim. Dhe ne gjithmonë mendonim se bëhej fjalë për këtë shqetësim. Kështu unë i marr një qetësues për dhimbjen e shpinës dhe kur e piu, më thotë: “Marga, më lehtësoi”. Por, në fakt kishte qenë parainfarkt.

Si ishte gjendja e tij kur ju shkuat në spital?

Kur unë mora vesh që bëhej fjalë për parainfarkt, ishte e diel pasdite, në këtë ditë në spitalin civil zakonisht gjen vetëm rojet. Megjithatë, Sandrit i shërbyen me përkushtim. E çuan te dhoma e mjekëve, ku dy mjekë hynin e dy dilnin. E njihnin dhe kishin shumë respekt. Një nga mjekët del e i thotë Marinit: “A e di se çfarë babe ke?”. Ndërkohë, Sandri dukej sikur po e merrte veten, i thoshte doktorit: “Mbylle një çik derën të të tregoj një barsoletë. Edhe kështu ndodhte”. Pra, aty i bënë të gjitha ç’mundën. Gjendja e tij paraqitej e mirë, kishte tensionin 13, ngjyra po i vinte dhe ndoshta qe ky shkaku që deshën të prisnin të nesërmen për t’i bërë koronaren.

Megjithatë, meqenëse ishte punë zemre dhe ne kishim një eksperiencë të mirë me një spital privat, plus ishte edhe e diel, vendosëm të shkonim aty për të shpejtuar kohën. Kështu bëjmë, mirëpo ndodh që ndryshe nga ç’na u tha, mjeku që ne kishim kërkuar, nuk gjendej në Tiranë, por ishte me një shërbim në Shkodër. Gjendja e përgjithshme e mirë e Sandrit do të gënjente dhe këtu, ndaj stafi nuk e përshpejtoi punën. Përpos kësaj, ai gjendej në reanimacion, ku nuk më lejohej t’i qëndroja te koka. Dhe këtë e kam peng…

Patët mundësi të bisedonit me të?

Në një moment, unë munda të hyja dhe më thotë: “Marga, lajmëro pak Pandi Laçon, që nesër nuk mund të shkoj në emision”. Unë e marr Pandin dhe i them të marrë masa për jurinë, se Sandri është në spital. “Si është gjendja, – më pyet,- ka nevojë të vij unë?”. Mirë duket, i them. Megjithatë, ai vjen dhe bëhemi gati të hyjmë të dy. Një infermiere na bën me dije se mund të hyjë vetëm një. Shkon Pandi i pari dhe rri pak minuta. Në kohën që del, ende pa u mbyllur mirë dera, nxitoj të hyj unë se dera ishte me kod. Sapo futem në dhomë, shikoj se Sandri po dridhej. E pyes e alarmuar: Sandri, çfarë ke? “Marga, s’jam mirë, – më thotë, – si atëherë kur…”. Nuk e mbaroi fjalinë. Unë thërras mjekët: Shpejt, se Sandri nuk është mirë. U mblodhën 2-3 veta dhe mua më larguan nga dhoma. Ai ndërkohë kishte pësuar arrest kardiak. Nuk e kam të qartë se ç’bënë më vonë, por e dëgjova të rënkojë.

Asistoi mjeku kirurg, për të cilin ju shkuat në spital?

Fillimisht erdhi reanimatori, nuk arrija të shikoja mirë se ç’ndodhte pasi dera ishte me grila dhe unë nga një cep i saj arrija të shikoja vetëm pjesën e fundit të shtratit. Në fund erdhi dhe mjeku dhe na thotë: Po e fus një herë për të bërë koronaren. Zakonisht, në raste të tilla, ata lejojnë edhe një të afërm të qëndrojë në një dhomë ngjitur, për të parë në kamerë se ç’ndodh. Mua nuk më lejuan…

Çfarë ju shkonte ndër mend në ato momente?

Prisja me ankth që të mbaronte, por ndarjen e tij nga jeta as që e shkoja nëpër mend. Mendoja se një shoku i vet që pati bërë bypass është për bukuri, po ashtu edhe kunati im që pati ndërhyrje në koronare është shumë mirë. Kush e di sa enë të bllokuara ka dhe sa unaza do i vendosin, thosha me vete. Mendoja nëse pas këtyre ndërhyrjeve do ta lejonin të shkonte në Piqerras, fshatin prej nga jam me origjinë. Ne kemi një shtëpi atje dhe Sandri e adhuronte atë vend. Kështu që unë pyesja veten nëse do të mund të bëjë plazh apo nëse do të mund të rrinte në diell, se ai e kishte pasion peshkimin. Në fund del mjeku dhe na thotë: Po bëjmë të pamundurën, por zemra nuk reagon. Unë përsëri nuk e konceptoja se ai po na lajmëronte se Sandri u nda nga jeta. Nuk doja ta besoja. I thosha: Mos ka nevojë për bypass dhe jo për koronare. Kam qenë gati jokoshiente për atë ç’po ndodhte. Ndoshta ka qenë kjo mënyra që Zoti ka zgjedhur që unë ta përballoja situatën. Ndryshe do të kishte qenë e vështirë ta menaxhoja. Kur si të themi u çmpiva, u ndërgjegjësova, se Sandri nuk ishte më, dhimbja ka qenë tepër e madhe.

Gjithmonë të pandarë, si ka qenë kjo periudhë pa të?

Ka qenë shumë e vështirë. Vazhdon të jetë e tillë. Përpiqem ta përtyp dhimbjen e të gjejë kurajë te forca që ai tregonte në çaste të vështira. Më mungon pa masë. Sandri nuk ngurronte të më shprehte dashurinë në çdo çast. Më mungon ta shikoj në piano apo kur qëndronte aty në divan e më shprehte dashurinë. “Magda, sa me fat jam që të kam ty”, më thoshte (përlotet)… Kujtimet e tij më shoqërojnë. E donin realisht shumë njerëzit, edhe miku ynë i ngushtë, Petrit Ruka, thotë se rrallëkujt i është bërë një përcjellje si Sandrit nga personalitete të artit dhe kulturës, me kaq dashamirësi të madhe nga populli. E kam ndjerë këtë, pasi shumë nga njerëzit më ndalonin në rrugë për të më shprehur ngushëllimet e tyre.

Cilat qenë punët e tij të fundit?

Përpos veprës së krijuar për Orkestrën Simfonike, që ende nuk është luajtur, po punonte me Petritin për filmin me metrazh të shkurtër për fëmijë, “Ne kemi diellin”, të cilin e mbaroi më së miri një kompozitor i ri.

PANORAMA

SHKARKO APP