Berat, kisha e Shën Nikollës do të kthehet në identitet
Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, duke ndërhyrë në kthimin në identitet të shumë monumenteve dhe objekteve të kultit.
Në qytetin e Beratit pritet të fillojë së shpejti restaurimi i kishës së Shën Nikollës, e ndodhur në lagjen Kala, e cila prej shumë kohësh ishte në listën e objekteve të rrezikuara për shembje dhe degradim total.
Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat dhe me mbështetjen edhe të instancave qendrore të specializuar si IMK dhe KKR, u miratua ditët e fundit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Ky projekt i hap rrugën tashmë zbatimit të punimeve të restaurimit me specialistët e ateliesë duke restauruar plotësisht këtë monument kulture.
Sipas specialistëve, ndërhyrjet e restaurimit konsistojnë në punimet për konstruksionin e çatisë, zbërthimin me kujdes të elementëve të saj, zëvendësimin e trarëve dhe elementëve përbërës së strukturës.
Gjithashtu do të trajtohen muret e brendshme duke restauruar pjesët e degraduara me llaç – gëlqere dhe më pas trajtimin e tyre me sherbet gëlqere. Tavani do të zbërthehet me kujdes dhe do të trajtohet duke restauruar me kujdes elementin e rozetës në qendër të saj.
Kjo e fundit do të rilevohet me kujdes gjatë punimit dhe do ti kryet një projekt i veçantë për restaurimin e pjesëve të ornamentikës prej druri nga specialistë të sektorit të artit dhe mjeshtrat marangozë. Përpara ndërhyrjes projekti i kësaj të fundit do të konsultohet me sektorët përkatës në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
Në pjesën e jashtme do të ketë ndërhyrje në pastrimin e inerteve, eliminimin e bimësisë të ulët e të lartë të cilat kanë prekur konstruksionin e monumentit, injektimin, plotësimin me elementin lidhës llaç – gëlqere e stazhonuar në pjesët e degraduara , qepjen e muraturës me kujdes për të eliminuar çarjen vertikale të lokalizuar në një pjesë të fasadës, pastrimin e qemerit të portës dhe muraturës së gurit të fasadave dhe absidës nga gëlqerja me qëllim nxjerrjen në pah të sipërfaqes së gurit dhe leximin e qartë të fugave llaç- gëlqere qull e stazhonuar.
Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Qyteti i Beratiti në vitin 1961 u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.