Bergson, të mendosh në kohë ose ç’mistifikimi i logjikës deterministe

Nga Suzanne Guerlac/ Përktheu Elvis Zaimi

Bergson e nis kapitullin e tretë të esesë “Mbi të dhënat immediate të shqisave”, të titulluar “Mbi organizimin e gjendjeve të ndërgjegjies; liria”, duke ngritur në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen kryesore të studimit të tij – liria përkundrejt determinizmit. Ai pohon se të trajtosh botën e brendshme të qenieve të gjalla-botën e ndërgjegjies-sipas modelit të botës fizike-do të thotë të mohosh ekzistencën e lirisë. Rreziku që vjen prej këtej është i madh dhe në përgjigje të tij, Bergson bën një lëvizje radikale. Ai paraqet pretendimin se koha është një nga format e energjisë, e cila nuk i bindet parimit të ruajtjes. Duke marrë për postulat një pohim të tillë, ai vijon më tej të bëjë një ndarje strikte ndërmjet botës shpirtërore dhe joshpirtërore, ndërmjet ndërgjegjies dhe lëndës dhe prej këtej argumenton për ekzistencën e atij që ai e quan, “vullneti i lirë”.

Në këtë mënyrë, Bergson e çel sulmin e tij ndaj psikologjisë deterministe nga një shteg befasues. Ai sulmon premisën shkencore të ruajtjes të energjisë, ose më saktë nën sulmin e tij është “zbatimi universal” i këtij parimi shkencor, prirje kjo që në kohën e tij përforcohej nga zbulimet më të fundit të ligjeve të termodinamikës, të cilat demonstronin se parimi i ruajtjes të energjisë ishte I zbatueshëm mbi tërësinë e fenomeneve fiziko – kimike. Problemi, nga këndvështrimi i Bergson, qëndron se ne nuk arrijmë të shquajmë dhe bëjmë dallimin ndërmjet dy botëve krejt të ndryshme: shpirtërores dhe joshpirtërores. Përkundër prirjes për ta konsideruar parimin e ruajtjes së eneregjisë si një ligj me zbatim universal, ai propozon një formë të re energjie, mbi të cilën ky ligj nuk gjen zbatim- dhe kjo është koha. Aty ku ligji I ruajtjes së energjisë gjen zbatim – thotë Bergson – koha nuk ka ndonjë ndikim. “Besimi I vagullt dhe instiktiv në ruajtjen e një sasie identike lënde, dhe force, varet nga fakti se materia inerte duket se nuk ekziston në kohë [durer], ose të paktën nuk ruan gjurmë të kohës së kaluar [temps ecoule]. Por nuk është ky rasti në botën me jetë. Këtu durata në kohë duket se vepron si një shkak, dhe ideja e rivendosjes së gjërave përsëri në vendin e tyre pas kalimit të një kohe të caktuar është absurde, sepse ky lloj regresioni në kohë [retour en arriere] nuk ka ndodhur kurrë në qëniet me jetë”.

Nëse për qëniet me jetë, durata në kohë vepron si një shkak, atëherë koha është një formë energjie! Kjo është risia radikale e mendimit bergsonian. Koha është një tip i ri energjie, e cila nuk I bindet parimit të ruajtjes. Asgjë nuk mbetet e njëjtë për ne në rrjedhën e kohës, ose siç e shpreh Bergson “asgjë nuk mbetet e njëjtë për ne në kohë”. Lëvizja në hapësirë e gjërave është e kthyeshme, ne mund t’i rivendosim sendet në vendin e tyre në hapësirë. Ndërsa koha lëviz vetëm në një drejtim dhe është e parikthyeshme. Fatkeqësisht unë vetëm mund të moshohem, por me kalimin e kohës nuk mund të rikthehem sërish i ri, ose fëmijë. Hipoteza e kthimit pas në kohë, në botën e ndërgjegjes është e pakuptimtë.

Koha shndërrohet në energji në ndërgjgjen e qënieve të gjalla thjesht duke kaluar. Ajo bëhet energji dhe vepron si forcë në ndërgjegjegje, sepse aty koha akumulohet në kujtesë. Ashtu si panelet diellore mbledhin dhe ruajnë energjinë e diellit, edhe kujtesa dhe trupi ynë ruajnë energjinë e kohës teksa kalon.

Kujtesa pra, është energjia ose forca që shkakton fenomenet e ndërgjegjës të qenieve me jetë. Ajo është një forcë si të gjitha forcat e natyrës, por e cila nuk I bindet ligjeve natyrore, të cilat i përkasin vetëm botës fizike. Nëpërmjet pohimit se koha vepron si forcë në ndërgjegjien e qenieve me jetë, Bergson hapi një abis ndërmjet dy trajtave të materies, lëndës dhe ndërgjegjes. Koha është një forcë që vepron dhe ka ndikim mbi cilësinë, ndjenjat, ose ndjeshmëritë, ato që Bergson i quan “intensitete”. “Intensiteti” për Bergson është një koncept dyfaqësh, I brendshëm dhe I jashtëm, që përshkruan ndjesitë e shkaktuara nga jashtë në ndërgjegje. Ndjesinë e një drite të  shndritshme ne e ndjejmë cilësisht në ndërgjegje, por njëkohësisht ne jemi në gjendje të identifikojmë shkakun e saj të jashtëm p.sh një llampë neoni dhe të masim fuqinë e saj në atë. Ndërgjegjia së brendshmi, u bën rezistencë matjeve sasiore dhe ruan vetëm eksperienca cilësore të ndjesive, p.sh të ndriçimit të një lllampe, dhe jo fuqinë e shprehur në ëat të llampës që së jashtmi e ka shkaktuar atë.

Ky dallim i tij ekziston në varësi të të pranuarit të një dallimi tjetër, atij ndërmjet idesë së “kohës hapësinore” ose “kohëzgjatjes së dukshme” dhe  “kohëzgjatjes reale” apo “duratës”. Ndryshe nga Kanti, për Bergsonin koha nuk është me shtrirje homogjene, por e ndashme në kohën hapësinore dhe duratën.Kjo e fundit është cilësore, momentet e saj janë heterogjene dhe të brendshëm për njëri-tjetrin, dhe ku ndryshe nga shkakësia në botën fizike fenomenale, një shkak asnjëherë nuk e riprodhon pasojën e tij, sepse vetë shkaku nuk përsëritet së dyti.

Kohëzgjatja hapësinore është ajo që vepron mbi materien pa jetë, p.sh mbi atomet dhe i lë ato të pandryshuara, ajo nënkupton praninë e qenies, ndryshe nga “kohëzgjatja reale/durata”, e cila rrjedh në ndërgjegje dhe vepron si forcë apo shkak mbi ndërgjegjen. Paradoksalisht, koha që rrjedh dhe humbet shndërrohet si energji në ndërgjegje nëpërmjet kujtesës, ajo bëhet e tillë thjesht duke kaluar në ndërgjegje dhe duke u regjistruar atje. Nëpërmjet kujtesës ne kemi një shqisë se tashmë ndodhemi në të shkuarën. Ja pra përse përherë Bergson na kujton se eksperienca jetësore duhet shqyrtuar nëpërmjet përshkrimeve të hollësishme të konkretësisë së saj, dhe jo nëpërmjet ideve abstrakte. Abstraksioni e boshëson forcën e kohës.

Të veprosh i lirë, sipas Bergson nuk do të thotë të zgjedhësh ndërmjet dy alternativave veprimi, pikëpamje e mbrojtur nga një logjikë e caktuar mbi lirinë, për t’ia kundërvënë logjikës deterministe që e mohon krejtësisht këtë të fundit. Sipas Bergson, kjo e keqprezanton çfarë ndodh realisht kur veprojmë të lirë. Një këndvështrim apo tezë e tillë mbi logjikën e “veprimit të lirë” ndërtohet mbi një analizë retrospektive të situatës, pasi ajo ka ndodhur, domethënë pasi tashmë e dimë se cilin nga veprimet e mundshme kemi ndjekur. Ky lloj shpjegimi funksionon vetëm nëse e lexojmë situatën në mënyrë prapavështruese, duke ndërtuar një lloj narracioni që lëviz pashtershëm pas në kohë, drejt një veprimi që i kundërvihet veprimit tjetër alternativ, dhe më pas rindërton motivet e “zgjedhjes së lirë” të supozuar, pasi kjo e fundit është bërë fakt. Problemi qëndron se “zgjedhja” në të vërtetë nuk ndodh, sepse alternativat nuk na jepen kurrë realisht si të tilla përpara kohës së veprimit të kryer. Ato nuk janë veçse fiksione të shpikura pas faktit, me qëllim tregimin e një historie që ka një fillim,  mesin e saj, dhe një fund. Fenomeni I vërtetë ka ndodhur në  kohën, e cila ka vepruar si forcë në ndërgjegje, ku kanë ekzistuar “një mori gjendjesh të ndryshme të njëpasnjëshme” dhe të “unit që jeton dhe zhvillohet nën efektin e hezitimeve…derisa një ‘veprim i lirë” është shkëputur nga kjo mori gjendjesh shpirtërore si fryt I pjekur”. Bergson  pra, ja gjen locus (vendin) lirisë tek “hezitimi” dhe jo tek  “zgjedhja”. Liria ndodh ashtu siç ndodh dhe jo sesi rindërtohet pas faktit. Duke u kthyer çiltërsisht në mitin e shpellës së Platonit, Bergson na lë të kuptojmë se nëse “jetojmë jashtë vetvetes”, ne jemi në “mbretërinë e iluzioneve”, pra jetojmë si një projektim fantazmagorik i unit tonë të vërtetë. Ne hyjmë në mbretërinë semiotike të iluzionit nëse vetëreduktohemi në shenja sociale apo reprezentacione të vetvetes, duke i kther shpinën mundësive për të vepruar të lirë. Nëse kjo ndodh, për Bergson, në vend se të jemi qenie të lira ne kemi mundësuar që të tjerët të veprojnë mbi ne, duke shkruar mbi ne diskurse shpjegimesh shkakësore, në vend se të veprojmë vetë lirisht dhe në mënyrë pasionante.

/Burimi: VOX albaniae.com/

 

SHKARKO APP