Besnik Çinari “mungon me leje” në 60-vjetorin e Estradës së Shkodrës, kolegët: Rikthehu shpejt

Në Shkodër u festua 60-vjetori i krijimit të estradës profesioniste.  Në një mbrëmje gala, u përkujtuan ata që nuk janë më, ndërsa urime për shërim të sa më të shpejtë dhe rikthim në skenë shkuan për Besnik Çinarin që pak ditë më parë pësoi një atak kardiak.

Estrada profesioniste e Shkodrës festoi ditëlindjen e 60-të. Një rrugëtim i gjatë, i bukur dhe i mbushur me suksese, të një shkolle të vërtetë humori, prej ku dolën emrat e mëdhenj të skenës shkodrane dhe asaj shqiptare.

I gjithë rrugëtimi erdhi i përmbledhur në mbrëmjen festive në një dokumentar të regjisorit Arjan Çuliqi, e pagëzuar “Humoriada shqiptare”.

Ata i vunë vulën humorit shqiptar, duke mbushur me të qeshura spektatorin, e duke u bërë ngushëllues të çdo familje edhe në ditët e vështira.

U kujtuan ata që ishin dhe ata që nuk jetojnë më, edhe të munguarit me arsye, apo ata që ja bënë me hile estradës, duke u sëmurë në premierën e saj, si mjeshtri i madh Besnik Çinari, të cilit njëzëri të gjithë i uruan rikthim të shpejtë në skenë.

Zyliha Miloti: Për mua është një vlerë kombëtare estrada e Shkodrës.

Zef Deda: Shkodra vetëm humor ka dhe nuk e harron kurrë këtë humor që kemi bërë dhe këta artista.

As mysafirët nuk munguan në këtë natë, të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë për të nderuar estradën e Shkodrës.

Luftar Paja: Lum populli i Shkodrës për këtë estradë që ka.

Zyrtarisht estrada profesioniste u krijua në vitin 1958, me regjisor Paulin Sekuj.

/Ora News

SHKARKO APP