Biblioteka Kombëtare jashtë funksionit prej 3 vitesh
Biblioteka Kombëtare nuk përmbush dot shërbimet bazë ndaj qytetarëve. Që prej vitit 2017 lexuesit nuk mund të tërheqin asnjë libër pavarësisht se kjo është e drejta e tyre me ligj.
Vend ku jepeshin dhe ktheheshin librat është bërë si aneks ku radha e kartonëve është e gjatë. Pasojat e ndalimit të këtij shërbimi i ndjejnë kryesisht studentët. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha tregon arsyet pse edhe në të ardhmen e afërt ky shërbim nuk do të rikthehet.
“Disa vjet nuk do të ketë. Është një mungesë shumë e madhe në aspektin social, kulturor sepse nuk mund të pretendosh që gjithkush ta blejë librin. Nuk kanë mundësi as financiare për të blerë librat. Por me situatën që thamë, librat e rinj që vijnë mbahen në kuti sepse nuk futen dot më në fond. Kështu që edhe sikur të duam, është e pamundur fizikisht”.