Biblioteka Kombëtare, parajsa e ëndrrave të thyera të intelektualëve shqiptarë
Nga Elva Margariti
Një burrë i urtë dikur arriti të përcillte në imagjinatën e mbarë botës përmes një fraze të tij, përfytyrimin e parajsës, duke e quajtur një lloj biblioteke. Ndërsa unë do të thoja se biblioteka është një lloj parajse. Madje Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do ta quaja një re të madhe ëndrrash, madje, nje spirale që shkon drejt pafundësisë, e ndërtuar me miliona e miliona sirtare ëndrrash.
Në këtë katedrale 100-vjeçare janë strehuar vërtet ëndrrat e shqiptarëve për të shkruar, folur e përcjellë në breza gjuhën shqipe, për të ushtruar besimin fetar, endrrat për të vetëqeverisur, për të shpërthyer zinxhirët e hekurt te izolimit politik e kulturor, për t’u ndier pjesë e Europës, jo vetëm si një copëz gjeografike e këtij kontinenti.
Por këtu janë strehuar edhe ëndrrat e thyera të shqiptarëve, mbetur në dorëshkrime ideologësh e shkrimtarësh, dedikime librash të censuruar, të konfiskuar nga biblioteka intelektualësh e zotërinjsh, të paktë në kohën e tyre, që kostumin dhe papijonin ua ndërruan me rrobat e burgut apo etalonin e dokut komunist.
Kur sapo kishte nisur të ngjizej ideja mbi kete ekspozitë, mbi tavolinën e drejtorit shfletova disa libra të vjetër, pjesë të një kolane, nënshkruar me një shkrim të bukur, dedikuar një zonjushe.. Ndërsa fatin e librave të saj e kisha në duar, nuk e dija fatin as të dërguesit dhe as të zonjushës, që dikur ka shfletuar këto faqe… Dhe e grishur doja të dija më shumë.
E të tillë fate, histori njerëzore, gjurmë të mbivendosura në rrëfime, ruhen e fshihen në mijëra libra në Bibliotekën tonë Kombëtare.
Nuk strehohen aty vetëm klasikë të mëdhenj, nobelistë, shkencëtarë, historianë, albanologë, rilindas, klerikë, mësues, politikanë, grafomanë, diktatorë, agjitatorë.., por dhe histori njerëzore nga më të rrallat, që mund t’i prekim dhe mund t’i jetojmë vetëm përmes librash.
Do mjaftonte kaq pak, që çdokush nga ne të perjetonte mes grimcash kujtese atë pjesë, që e lidh me Bibliotekën tonë Kombëtare, e jam e bindur që në shumë prej jush, këtu prezentë sot, emocioni i kësaj ekspozite kalon sa në krenarinë kombëtare e në lidhjen personale me Bibliotekën.
Sepse ky tempull, është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, trashëgimisë sonë në fushën e letrave, por edhe historisë sonë të njohur e të panjohur, kombëtares dhe madje edhe intimes.
Dhe kjo ekspozitë është vetëm një copë ëndrre, që ne sot mund ta prekim. Jane disa sitarë, shumë prej të cilëve hapen sot për herë të parë, jo si një obligim institucional për kremtimin e një përvjetori, por si vazhdim i rrëfimit mijëravjeçar, që na thotë që parajsën e gjejmë tek fjala e shkruar.
Kjo fjalë sot udhëton në kohë e vjen tek ne, në këtë kremtin, në hapësira të reja, rigjen vetveten këtu, në tempullin e qeverisjes, për të udhetuar me premtimin tonë drejt një tempulli të ri, të merituar, atë të Bibliotekës së re Kombëtare.
Do ishte dashur që ceremonia për kremtimin e 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të zhvillohej me përmasa shumë herë më të mëdha, pasi nuk besoj se ekziston një tjetër institucion kulturor me të tilla dimensione në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Janë të shumtë njerëzit që kanë kontribuuar në vendosjen tullë pas tulle të këtij tempulli, që ashtu si edhe historia e Shqipërisë herë-herë është përshkuar nga fataliteti, siç është edhe kjo pandemi.
E që me siguri një pjesë e atyre që sot janë ende gjallë, meritonin të ishin këtu, në radhë të parë… E gjej rastin t’i falënderoj për përkushtimin dhe për punën e tyre në kohëra të pazakonta.
Një pjesë e këtyre librave që ekspozohen sot kanë mbajtur mbi shpinë gërmën “R”. Kanë qenë libra të ndaluar, të rezervuar… Madje edhe libri i parë shqip, Meshari kalonte përciptazi në tekstet shkollore, si të ishte një ngjarje e dorës së dytë. Pse? Sepse një klerik sillte shqip fjalën e shenjtë.
Por biblioteka me siguri do të ketë të tjerë përvjetorë, madhëshorë ashtu si ajo e meriton, ndonëse e gjej tejet simbolike, që librat, të cilët ndaloheshin me urdhër, pikërisht nga kjo ndërtesë, ekspozohen këtu, duke shënuar një hapje të dyfishtë për publikun.
Dhe është sërish biblioteka që e bën të mundur një tjetër ëndërr.
Gëzuar një shekull jetë e gëzofsh edhe shumë të tjerë pas nesh, në një tjetër tempull, ku të ruhen veprat e saj të pakohshme!