Boshnjakët e Shijakut

Nikolla Sudar

Shijaku, ky qytet i vogël me rrethinat e tij, i njohur që në lashtësi, përmendet për histori të madhe. Këtu ia vlen të kujtojmë thënien lapidar të kreshnikut të maleve, Bajram Curri: “Shijaku me të drejtë mund të quhet Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”.

I ndodhur në pastokën e Durrësit, vetëm 11 kilometra larg kësaj qendre të famshme në të gjithë Mesdheun, Shijaku përmendet edhe në regjistrin kadastral turk të vitit 1431-32. Qyteti është ndërtuar mbi një kodrinë të butë me lartësi 30 metra mbi nivelin e detit, ku dikur ka ekzistuar kisha e Shën Jakovit, prej nga e ka burimin vetë emërtimi Shijak, i këtij vendbanimi, të cilin e mban edhe sot.

Lumi Erzen (i njohur që në lashtësi me emrin Argentarum), 91 kilometra i gjatë, e ndan qytetin në dy pjesë, duke i dhënë një bukuri të veçantë. Jo më kot Shijaku i tërhoqi vëmendjen mjeshtrit të madh evropian të fotografisë, Marubit, i cili, në vitet 30 të shekullit të kaluar, do ta quante: “… qytet provincial perëndimor”. Kartolinat e bukura me pamje të qytetit për dekada me radhë do të qarkullonin si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Fiset më të vjetra të Shijakut janë familjet Kërtalli, Deliallisi dhe Keçi. Me ferman të veçantë, në vitin 1880 Shijaku u shpall kaza (nënprefekturë), duke pasur në varësi rreth 64 fshatra, ku përfshiheshin Peza e Vogël, Sauqeti, Ndroqi, Rromanati, vetë Shijaku, Sukthi, Maminasi, Marikaj, Ishmi dhe Preza. (Në vitin 1949 Shijakut iu hoqën arbitrarisht fshatrat e Ndroqit, Prezës dhe Marikaj e iu bashkëngjitën Tiranës).

E tërë kjo trevë historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari. Populli i saj ka dhënë kontributin e vet në të gjitha ngjarjet madhore të vendit. Çetat atdhetare të komanduara nga patriotët Ibrahim Kërtusha, Mak Troplini, Osman Picari etj., mbajtën gjallë frymën patriotike dhe u bënë tmerr për pushtuesit turq gjer në Shpalljen e Pavarësisë.

Në mesin e nëntorit 1912, populli i Shijakut zgjodhi përfaqësuesit e vet për në Kuvendin e madh të Shpalljes së Pavarësisë. Ata ishin patriotët: Ymer Deliallisi, Ali Shahini dhe Xhemal Deliallisi, që në shekuj do të mbeten krenaria e kësaj treve. Por, përcaktimi nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të përmendnim vargjet kuptimplota të shprehura nga personaliteti i shquar dhe njëri nga njerëzit më të ditur të këtij vendi, Fan Noli: “A ke dëgjuar për burrat e dheut/ Me trimëri të Skënderbeut? Për burrat, që u zien gjaku? Zër një shok nga Shijaku”!

Për ta merituar këtë vëerësim të lartë populli I kësaj treve iu desh të kalojë sprova të shumta, të cilat i përballoi më sukses. Njëri nga tiparet më të spikatura të banorëve të kësaj treve, që e shquajnë në tërë Shqipërinë, është mikpritja e rrallë, mbase edhe unikale. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar vjen në Shijak një inxhinier gjerman, i cili u mor me ndërtimin e ujësjellësit të qytetit. Atij i pëlqeu jashtë mase natyra piktoreske e mjedisit, lumi Erzen dhe ura e tij e bukur, por mbi të gjitha mikpritja e banorëve. Mbresat e tij të jashtëzakonshme (siç shprehej vetë), do t’i pasqyronte në njërën nga gazetat më të njohura të Berlinit. Reportazhin ai do ta titullonte: “Çaste të paharruara në qytetin e bukur piktoresk Shijaksbourg, në rrjedhjen e lumit Erzenhausen”.

Gjithmonë fuqitë e mëdha janë munduar t’i përdorin popujt e vegjël si monedhë shkëmbimi për të realizuar interesat e tyre egoiste pushtuese.

Ishte qershori i vitit 1878 kur fuqitë e mëdha, të mbledhura në Berlin, do të vendosnin edhe për fatin e një popullit të vogël, por me të kaluar të lavdishme, për popullin trim të Bosnjë-Hercegovinës. Dhe ja vendimi i tyre: “Bosnja dhe Hercegovina do të kalonin… në pronësi të Perandorisë së madhe të Habsburgëve”. Ky vendim do të trondiste të madh e të vogël në tërë vendin, ish pjesë e Perandorisë Turke. Kështu do të fillonte pak e nga pak rezistenca e hapur e këtij populli heroik. Mjaft domethënëse do të ishte kjo rezistencë në Mostar dhe rrethinat e tij (Stollac, Ljubushki, Poçitjel etj.). Përplasjet me armë kundër pushtuesit të ri autrohungarez “për vatan e për fe” do të shqetësonin fort autoritetet qendrore të Vjenë. Dhe ja, nga fundi i vitit 1878, me zemër të drithëruar, me qindra familje, me shumicë nga rrethinat e Mostarit) u detyruan të braktisin vendlindjen për t’u larguar përgjithnjë nga trevat e të parëve. Ashtu me shpirt të brengosur, pa i lëshuar armët nga dora, me ato pak plaçka që mundën të mbanin, hipur në anije turke, i thanë: “Lamtumirë atdheut!”, por duke ruajtur thellë në zemër gjuhën, traditat dhe dashurinë e përjetshme për të. Pikësynimi fillestar i të gjithëve ishte… Izmiri.

Pas një udhëtimi sfilitës, anija u ndal në portin e Durrësit (në atë kohë nën sundimin turk) për arsye defekti si edhe për t’u furnizuar. Në administratën e qytetit bënte pjesë edhe një ushtarak boshnjak. Me mjaft dashamirësi ky nëpunës iu drejtua udhëtarëve që të zbrisnin në tokë dhe të njihnin mjedisin përreth; mbase u mbushej mendja të vendoseshin në këtë trevë, për të qenë sa më afër vendlindjes.

Durrësi në atë kohë i ngjasonte një ishulli. Lidhja me pastokën bëhej bëhej vetëm nëpërmjet urës së Dajlanit. Periferia e Durrësit nuk u pëlqye nga të ardhurit; zona kënetore ishte e papërshtashme për të jetuar, për më tepër malarja prej kohësh ishte bërë shumë shqetësuese. Nëpunësi u propozoi të futeshin më thellë, ku kalonte lumi Erzen dhe të shihnin mundësinë për t’u vendosur me familjet e tyre. Propozimi qe mjaft inkurajues. Një përfaqësi nga udhëtarët ashtu veproi. Disa kilometra më larg ndodhej lumi Erzen si edhe një hapësirë e pashfrytëzuar pyjesh afër lumit, territor i përshtatshëm për banim. Të mbushur me optimizëm, pas një konsultimi të gjerë me familjet e mbetura në anije, udhëtarët pranuan të qëndronin.

Autoritetet turke në Durrës, në bashkëpunim me ato të kazasë së Shijakut, morën përsipër të ndihmonin të ardhurit. Kështu në hapësirën ku do të vendoseshin “muhaxhirët“ (siç u quajtën, jo në kuptimin e keq të fjalës nga vendasit) do të krijoheshin dy vendbanime vetëm pak kilometra larg Shijakut, fshatrat Koxhas dhe Borake. Autoritetet u ndanë të ardhurve të boshnjakë nga gjashtë dynym tokë, kryesisht në terren pylli dhe shkurresh (sipas marrëveshjes, dikush e bleu menjëherë, të tjerëve u la afat për ta shlyer vlerën pas një periudhe disavjeçare rimëkëmbjeje).

Shumë vite më parë, më 1971 si pjesëtari i një grupi pune i përbërë nga kolegët arsimtarë boshnjakë, Nazmi Shehu, Ismail Dizdari dhe Haki Baçi, patëm mundësi të komunikojmë me shumë boshnjakë të moshuar për t’u informuar për të kaluarën e tyre. Nga ata do të mësonim shumë gjëra interesante dhe mjaft të avancuara për kohën e që kishin ndikuar mjaft edhe në emancipimin e tërë mjedisit ekzistues shijakas. Nga natyra ata ishin njerëz shumë punëtorë; në fillim u morën me pastrimin e mjedisit, me sigurimin e lëndës së drurit, i cili u përdor për ndërtimin e banesave të para. Kështu, nga kasollet e thjeshta me lëndë druri si fillim, u kalua në banesa me tulla dhe me një strukturë disi të ndryshme nga banesat vendase (me dritare më të mëdha dhe me mjaft hapësirë e dritë.

Prakticiteti i këtyre njerëzve ishte më se i admirueshëm: ata kishin sjellë me vete, të gjitha llojet e drithërave, patate, farëra zarzavatesh (sidomos domaten) që në trevën ë Shijakut njiheshin shumë pak. Këtu mund të theksohet se jo vetëm për atë kohë, por edhe për dekada me radhë, madje edhe sot, ata do të mbeteshin mjeshtrit më të mirë të prodhimit të zarzavate, mbase në të gjithë vendin. Si njerëz që e pëlqenin jashtë mase të bukurën, ata kishin sjellë me vete farëra lulesh nga më të ndryshmet. Pothuajse të gjitha shtëpitë e reja brenda oborrit por edhe në mjedisin e brendshëm mbanin vazo me lule. Të përmendur u bënë sidomos në kultivimin e trëndafilave, zambakëve, selfijonit etj.

Shumë të aftë e treguan veten edhe në blegtori. Nga bagëtitë e imta ata kaluan gradualisht në mbarështimin e lopëve si dhe në përpunimin e produkteve blegtorale, mjaft cilësore.

Ndonëse kanë kaluar rreth 140 vjet që nga ardhja masive nga Mostari i Bosnjë-Hercegovinës i këtyre banorëve boshnjakë, ka shumë për të thënë edhe për kontributin e tyre në lidhje me emancipimin e tërë trevës së Shijakut.

Cilat ishin risitë kryesore që sollën dhe përhapën këta të ardhur që ndryshonin shumë nga vendasit?

Për mikpritjen e bujarinë, vështirë se mund të rivalizonin, sepse për to shijakasit njihen në të gjithë vendin dhe pikërisht ky fakt i bëri të ardhurit ta ndjenin më pak shkëputjen përgjithmonë nga trualli mëmë. Por, banorët boshnjakë sollën me vete një progres të vërtetë që do të habiste, madje herë-herë edhe do t’i revoltonte fanatikët vendas. Marrëdhëniet midis familjeve të tyre ishin tepër të çiltra. Gatishmëria për të ndihmuar njëri-tjetrin, koncepte lidhur me familjen, raportet brenda saj, respektimi i të cilave ishin mjaft progresiv për kohën. Të ardhurit nuk e pranonin gjakmarrjen e cila në trevën e Shijakut, për fat të keq, ishte mjaft e përhapur, sidomos për ditë pazari. Trajtimi i grave dhe i vajzave në familje e jashtë saj “stononte” në krahasim me mentalitetin patriarkal anadollak vendas: burri nuk vinte kurrë dorë mbi të shoqen; gratë dhe vajzat nuk mbanin ferexhe dhe respektoheshin siç e meritonin në familje.

Në fillim, lidhjet martesore boshnjakët i kryenin midis vetë komunitetit, sepse akoma nuk ishin krijuar raporte të atij afiniteti që do të linte gjurmë të veçanta. Të ardhurit e njihnin dhe e vlerësonin marrëdhënien dashurore dhe nuk ia impononin vajzës martesën me të panjohur, aq më pak që në djep dhe me të moshuar. Ata nuk e pranonin shkuesinë. Dukuri e veçantë që do t’i habiste vendasit përbënin “rrëmbimet e vajzave”. Në mjaft raste, ndonëse të rinjtë e pëlqenin njëri-tjetrin, mirëpo familja e vajzës kundërshtonte një martesë të tillë, për shumë arsye. Atëherë djali e rrëmbente vajzën. Ky veprim e zemëronte familjes e vajzës, por asnjëherë nuk sillte pasoja të rënda. Pas pak kohësh familjet pajtoheshin dhe e pranonin krushqinë. Gjithashtu as divorcin nuk e konsideronin dukuri tragjike ne familje. Interesant është evoluimi i këtyre marrëdhënieve në kohë dhe sidomos me vendasit. Do të kalonin dekada dhe pak e nga pak do të krijohej ajo lidhje miqësore, e cila do të thellohej deri në martesë.

Interes paraqet vazhdimësia e këtyre raporteve: nëse një vajzë boshnjake futej në një familje shijakase, transformimi i saj do të ishte i dukshëm: ajo do detyrohej të vishte ferexhenë, do të bindej ndaj të gjitha pjesëtarëve të familjes, me një fjalë, do t’i nënshtrohej patriarkalitetit vendas. Fat i veçantë i priste vajzat shijakase që futeshin nuse në familje boshnjake: ato nuk ishin të detyruara të mbanin ferexhe, ishin shumë më të lira, respektohej mendimi i tyre dhe shpëtonin nga dhuna në familje. Këtu vlen të përmendet një këshillë kuptimplote e njërit prej burrave më në zë që ka nxjerrë ky komunitet, Sulë Gallaj. Në biseda ne shijakasit ai i këshillonte: “Lejoni sa më shumë vajza shijakase të futen në familjet boshnjake, por matuni mirë kur të pranoni nuse boshnjake, sepse kanë shumë kërkesa për jetën dhe janë tepër krenare”.

Rol të veçantë luante tek ata veshja. Të ardhurit me fanatizëm e ruajtën traditën në këtë drejtim. Ata nuk hoqën dorë nga veshjet tradicionale të Mostarit, si meshkujt edhe femrat, me material te punuar vetë në mënyrë artizanale, por duke e lehtësuar me kalimin e kohës. Veshjen me të zeza nuk e pranonin, sepse sipas tyre nxiste pesimizmin dhe zymtësinë. Gatimet tradicionale edhe sot janë të përmendura në të gjithë trevën, veçanërisht kaçamaku i famshëm me miell misri dhe gjalpë aromatik boshnjak si edhe byreku i shijshëm me patate. Në historikun e Shijakut do të përmendet gjithmonë mjeshtri i paharruar i kuzhinës boshnjake, Meshan Gjonku. Restoranti i tij në qendër të qytetit ishte i mirënjohur në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Boshnjakët përhapën me sukses pjekjen e bukës masive nëpër furra, prodhimin e ëmbëlsirave nga të gjitha llojet (për këto të fundit përmendet fisi Bukovac, sidomos mjeshtrat Mujo e Shemso Buka) si edhe tregtimin e tyre.

Si besimtarë myslimanë e të brumosur me këtë frymë, jo vetëm e ruajtën në mesin e tyre, por edhe e çuan më tej. Në fillim shërbesat fetare do të kryheshin në xhaminë e Shijakut. Rol të veçantë do të luante këtu myderrizi i xhamisë së Shijakut, Maliq Jakova, me origjinë nga Kosova, por që kishte kryer studimet e larta në Stamboll. Ai u vendos në Shijak në fillim të viteve 1900 dhe arriti të fitojë respektin më të madh si për vendasit, ashtu edhe për të ardhurit. Më pas do të funksiononte xhamia në fshat për tërë komunitetin, ku do të shërbente me dinjitet fisi Kadragiq. Po kështu gjatë sundimit turk do të fitonte respektin e të ardhurve (si i zgjedhur) dhe të autoriteteve vendase, Salko Kllariq.

Aftësitë e të ardhurve do të shfaqeshin në drejtime të ndryshme. Biznesmen me plot kuptimin e fjalës do të bëhej Abdulla Gashi nga Koxhasi. Ai që i pari që ndërtoi në qytet mullirin me motor nafte. Nëpërmjet tij ai mori iniciativë dhe pas një investimi të konsiderueshëm, që nga viti 1928, një pjesë e madhe e familjeve shijakase mori energji elektrike. Abdullai ndërtoi edhe banesën e tij të madhe dykatëshe që qendër të qytetit. Zotërues i shumë gjuhëve të huaja dhe nga natyra i shkathtë, ai e shtriu veprimtarinë e vet deri në Japoni. Nuhatës shumë i mirë i risive teknologjike, bashkë me tregtarin tjetër, tanimë të mirënjohur Cen Kruja, do të sillnin në qytet radiot e para të markave “Fonola” dhe “Telefunken. Gjithashtu me tregti u morën me sukses edhe boshnjakë të tjerë, si Abdulla Malltezi. Në qytet u hapën lokale shërbimi nga Salk Dugaliqi, Muç Muhaxhiri etj. Të njohur do të bëheshin artizanët si Arif Sinjari, Murat Rrahi, Refik Kadra, Tofik Tikvina etj.

Raportet e mirëkuptimit dhe të tolerancës të cilat u vendosën që në fillim me banorët vendas, do të luanin rolin kryesor për marrëdhëniet shumë të mira midis tyre, të cilat vazhdojnë edhe sot.

Me kalimin e viteve u krijua një stabilitet ekonomik për të ardhurit: u shtuan shtëpitë e reja, u përmirësua dukshëm jetesa dhe pak e nga pak u krijuan raporte besimi e mirëkuptimi të palëkundura me vendasit. Interesant është fakti se nga viti në viti shtoheshin edhe familje të tjera të ardhurish, nga Mostari, duke e thelluar edhe lidhjen martesore me vendin e të parëve. Tashmë komuniteti boshnjak i Shijakut e afirmoi fizionominë e vet dhe meritoi respektin jo vetëm të trevës së Shijakut por edhe më tej. Prodhimi dhe tregtimi veçanërisht i zarzavateve do t’i bënte të famshëm, sidomos në Tiranë dhe Durrës.

Në ngjarjet madhore të kohë do të kontribuonin gjallërisht banorët e ardhur të këtyre dy fshatrave. Pasi përcollën delegatët e Shijakut bashkë me vendasit për në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, mjaft nga meshkujt boshnjakë u bashkuan me batalionin “Erzeni”, prej rreth 800 vetash, të komanduar nga atdhetarët Hasan Deliallisi dhe Maliq Jakova për të mbrojtur Shkodrën, në vitet 1912-13 (siç dihet rreth 120 prej tyre ranë dëshmorë). Disa nga boshnjakët, si vëllezërit Ibrahim e Sali Molla, Sali Zyriqi, Beshir Sabli e Abdulla Kapedani, dhanë edhe jetën. I paharruar do të mbetet akti i trimit boshnjak Sali Molla, nga Koxhasi. Gjatë një mësymje në Gur të Zi, predha i këput njërën këmbë. Në atë gjendje ai i thotë shokut që kishte pranë: “Lidhe fort dreqin, që të mos rrjedh gjaku!” Dhe ashtu, duke u mbështetur mbi pushkën, thirri me të madhe: “Yrysh (në sulm), burra!” (aktin e tij të guximshëm do ta përsëriste i biri, Isuf molla, pas 30 vjetësh, si partizan i brigadës 22 S.).

Vitet do të kalonin dhe përsëri boshnjakët do ta tregonin veten, tashmë në radhët e atdhetarëve shijakas të komanduar nga Kapllan bej Deliallisit, në Luftën e Vlorës. Për t’u përmendur është fakti se pas vendimit të Kongresit të Lushnjës, qeveria e sapoformuar u drejtua në Tiranën e shpallur kryeqytet. Gjatë rrugës, kryeministri Sulejman Delvina bashkë me ministrat, para mbërritjes në Tiranë, do ta kalonin natën në familjen e njohur atdhetare të Gallajve, në fshatin Koxhas.

Tipar i rëndësishëm dallues i banorëve të këtyre dy fshatrave ishte etja e madhe për dituri. Ndonëse me vështirësi për shkak rrugës së papërshtatshme deri në filloren e qytetit, boshnjakët ishin të rreptë në drejtim të ndjekjes së shkollës nga fëmijët e tyre (më vonë edhe në arsimin e mesëm dhe të lartë). Në vitin 1939 mësuesi atdhetar Hasan Ibruli hapi shkollën e parë fillore, e cila pas çlirimit do të shndërrohej në shkollë tetëvjeçare…

…Çlirimi i vendit u prit me entuziazëm edhe nga komuniteti boshnjak. Por, reformat e pushtetit të ri do të sillnin edhe pasojat e veta, që do të pasoheshin me rrënimin e biznesmenëve boshnjakë, madje edhe me dënime me burg. Si mjeshtër të vërtetë në bujqësi, shkëlqimi i tyre do të zgjaste fare pak. Kolektivizimi i bujqësisë dhe parimi i barazitizmit do të ndrydhte në maksimum shpirtin krijues të këtyre njerëzve të talentuar. Megjithatë, ata do të tregonin veten edhe në ato kushte të vështira se ishin mjeshtër të vërtetë të punës dhe prodhimit, sidomos në bujqësi edhe blegtori etj.

Në vazhdën e traditave të trashëguara komuniteti boshnjak i Shijakut do t’i thellonte ato në të gjitha drejtimet. Talentet e tij do të shkëlqenin jo vetëm në bujqësi, por edhe në sfera të tjera të veprimtarisë si në arsim në shëndetësi dhe në degë të tjera të ekonomisë. Një brengë të madhe do t’ju shkaktonte atyre ndërprerja e plotë e lidhjeve me vendin amë. Që nga viti 1948, për dekada me radhë deri në vitin 1991, nuk u lejua asnjë kontakt me Bosnjën, me Mostarin (me përjashtime shumë të rralla). Me gjithë këtë izolim të plotë, komuniteti ruajti me dashuri dhe fanatizëm traditat më të mira të trashëguara, por edhe të pasuruara me ato më të mira vendase. Hapja e shkollës fillore dhe më pas e asaj tetëvjeçare i dha hov shkollimit të banorëve. Bijat dhe bijtë e këtij komuniteti do të ndiqnin shkollat e larta brenda dhe jashtë vendit.

Një ngjarje e pazakontë do ta trondiste komunitetin boshnjak: arratisja e sportistit, tashmë atlet i mirënjohur në të gjithë vendin, Adem Sabli. Ky sportist i talentuar, me të ardhme, arriti të arratiset nga aeroporti i Beogradit. Pasojat e këtij veprimi do t’i provonin në kurrizin e tyre familja dhe të afërmit për vite me radhë, ndërkohë Ademi do të shkëlqente në aktivitete sportive të atdheut të të parëve të vet.

Nga ky komunitet dolën kuadro me rëndësi në të gjitha sferat e jetës. Me respektin më të madh do të kujtohet njëri nga kuadrot kryesore të rrethit të Durrësit, sidomos në sektorin e bujqësisë, i paharruari Sulejman Gallaj. Dikur djalosh i ri bashkë me kinooperatorn e mirënjohur Hashim Berhami hapën të parën kinema në Shijak (“Gloria”), në fillim të viteve 1940. Pas lufte Sula drejtoi bujqësinë e rrethit Durrës dhe për vite me radhë ndërmarrjen bujqësore të Sukthit, njëra nga më të mirat në vend, prandaj me të drejtë u quajt “Babai i bujqësisë shqiptare”; tashmë i madh e i vogël, me respektin më të madh do ta thërrisnin “Babë Sula”.

Nga ky komunitet do të arrinte në organin më të lartë politik të vendit, si anëtar i KQ, kryetari i kooperativës bujqësore të Shijakut, njëra nga më të mëdhatë në vend, Qazim Toptaga. Si kuadër me aftësi të rralla drejtuese në ekonomi dhe bujqësi do të shquheshin ekonomisti i aftë Qazim Zyriqi si edhe mjeshtrat me përvojë të gjatë Ali Kapidani, Osman Sabli, familja Nuhani, Abdulla Dizdari, Halil Tikvina, Mustafa Tabaku, Osman Çeka, Iljaz Buka etj. Vend nderi në historikun e komunitetit boshnjak ka zënë edhe shoferi pararojë dhe i palodhur i parkut të mallrave Durrës, i paharruari Selim Baçi, i cili dha jetën më krye të detyrës.

Të paharruar do të mbeten për popullin e Shijakut dhe më gjërë humanistët e shquar e të paharruar, drejtoresha e spitalit të Shijakut, mjekja e palodhur Rabije Tepshi (Hallapi), mjeku i vegjëlisë, Hamdi Vogli dhe shefi i epidemiologjisë në spitalin e Durrësit, që u nda shpejt nga jeta, i kudondodhuri Rifat Shahi. Specialisti i shquar i bujqësisë Abdulla Kapedani, pasi kreu studimet në Lajpzig, do të shquhej edhe në sferën akademike, ku do të bëhej njëri nga drejtuesit kryesorë të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës (ai ka botuar edhe libra të shumtë të sferës së bujqësisë).

Gjithmonë do të kujtohet me respekt piloti Besnik Shahi, i cili u specializua në BS dhe në Kinë. Gjithashtu i njohur u bë për profesionin e vet dhe për aftësitë e tij të dukshme edhe piloti i helikopterëve Sami Guzina, më vonë si drejtues i shoqatës boshnjake “Zambak”, madje edhe në sferën e letrave. Jo vetëm si specialist agronom, por sidomos në fushën e gazetarisë për vite me radhë do të dallohej intelektuali Ibrahim Baçi. Artikujt e tij të shumtë të sferës së bujqësisë do të lexoheshin me endje nga një masë e madhe njerëzisht për përmbajtjen e tyre dhe për stilin e të shkruarit. Kuadro të dalë nga ky komunitet si Rifat Buka dhe inxhinieri Gani Buka do të drejtonin pushtetin lokal dhe ndërmarrje me rëndësi ekonomike. Në sferën drejtuese të shkollës tetëvjeçare do të dalloheshin Nazmi Shehu, Ismail Dizdari, Esat Kapidani e Bahri Baçi.

Për vite me radhë pedagogu Haki Baçi do të drejtonte shkollën tetëvjeçare të Katundit të ri, më pas gjimnazin e Shijakut dhe, para largimit për në SHBA, do të punonte si specialist i gjuhës shqipe në Institutin e Studimeve pedagogjike. Kuadro të shumtë të tjerë do të jepnin kontributin e tyre për dekada me radhë si Eqerem Kapidani, Skënder Zyriqi, Murat Kllari, Adem kllari, Daut Guzina, Abdulla Shehi, Ramazan Guzina, Fatmir Hallapi, Ruzhdi Rama, mjeshtri mekanik Iljaz Tabaku etj. Tashmë është bërë i njohur në tërë vendin studiuesi, analisti dhe pedagogu i mirënjohur Agim Baçi.

Në arsim gjithashtu do të shquhej matemakani i rrallë dhe për shumë vite radhazi drejtor i gjimnazit të Shijakut, Ismet Kapidani. Mbështetje të gjithanshme në ngritjen dhe funksionimin për vite me radhë të muzeut historik të Shijakut do të jepte historiani i palodhur dhe i kudondodhur Aqif Buka (Çiku). Gjurmë do të linin boshnjakët edhe në sferën e kulturës dhe të sportit me talente në muzikë, si Zydi Sabli, Matilda Guzina apo në sport sportistë me emër si atleti Isuf Zyriqi, mundësit Gani Tukuri dhe Mujo Jamaku, futbollisti Shaban Çeka, volejbollisti Indrit Buka dhe basketbollisti Bujar Gashi. Për dhjetë vjet me radhë ruajti titullin kampione e vendit në ping-pog, sportistja e talentuar Elda Zyriqi. Fakt kuptimplotë është se rreth 150 të rinj e të reja të këtyre dy fshatrave kanë kryer studimet e larta brenda dhe jasht vendit.

Kthesa më e madhe në historinë e vendit do të ishte përmbysja e sistemit komunist. Mbase këtë ngjarje madhore më tepër se kushdo tjetër e priste me padurim komuniteti boshnjak i Shijakut. Hapja me botën do të sillte ndryshime rrënjësore për të gjithë vendin. Për herë të parë boshnjakët e Shijakut do të shkelnin në vendin amë, në Bosnjë-Hercegovinë. Për herë të parë pas shumë dekadash do të vinin në jetë amanetin e të parëve të vet. Ndërkohë dëshira sidomos e të rinjve për ta parë dhe prekur atdheun e të parëve të tyre, ishte e jashtëzakonshme. Mjaft prej tyre përkohësisht edhe do të punësoheshin atje. Ndonëse në fillim u bënë përpjeke për t’u kthyer në Mostar, por situata e ndezur e cila shpuri në luftën civile 1991-95 në Bosnjë dhe mirëqenia ekonomike pak a shumë e konsoliduar prej vitesh këtu, i bëri të gjenin zgjidhjen e drejtë, duke mbetur përfundimisht në periferi të Shijakut. Kryesore u bë për ta rivendosja e kontakteve të shkëputura pothuajse plotësisht për më se gjysmë shekulli.

Shumë i rëndësishëm është fakti se si njerëzit e thjeshtë në Bosnjë, deri tek autoritetet më të larta të vendit, do të habiteshin dhe entuziazmoheshin për “mrekullinë boshnjake të Shijakut”, në drejtim të ruajtjes fanatike të identitet në kushte jashtëzakonisht të vështira të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ruajtja e gjuhës, e fesë, e traditave dhe e dashurisë së thellë për vendlindjen e të parëve të tyre, Bosnjë-Hercegovinë, do të përbënin domethënien e këtij komuniteti e që do të vlerësoshej lart. Kontakte do të mbaheshin edhe në rang zyrtar.

Përfaqësues të komunitetit boshnjak të Shijakut, të grupuar në shoqatën atdhetare “Zambak”, do të krijonin lidhje edhe me sferat më të larta të republikës, deri edhe me presidentin e parë, Alija Izetbegoviq. Edhe në periudhën shumë të vështirë të luftës civile 1991-1995, nuk u shkëputën lidhjet me Bosnjën, madje u dërguan ndihma materiale dhe në të holla për të dëmtuarit nga lufta. Në historikun e komunitetit vendi i nderit do t’i mbetet përgjithmonë punonjësit trim të policisë, Ali Shika, i cili dha jetën në krye të detyrës, më 1997.

Kuptimplotë është fenomeni Fatmir Baçi në sferën e letërsisë. I lindur dhe rritur në komunitetin boshnjak të Shijakut prej vitesh është bërë i njohur në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë si dhe në Novi Pazar ku edhe jeton me familjen. Ai ka botuar disa vëllime shumë të suksesshëm në poezi dhe në prozë, në të dyja gjuhët. I vlerësuar lart për krijimtarinë e vet, tashmë është zgjedhur akademik i Akademisë së Shkencave të Bosnjë-Hercegovinës.

Të mëkuar qysh në djep me dashurinë e thellë për vendin e të parëve, komuniteti boshnjak ka sfiduar për dekada me radhë edhe vetë diktaturën. Me gjithë presionet e gjithanshme të regjimit, në këto dy fshatra flitej lirshëm gjuha boshnjake; në çdo familje gjatë tërë ditës dëgjohej muzika e mrekullueshme popullore boshnjake, e transmetuar nga Radio Sarajeva etj.

Por, dëshirat e tyre do të realizoheshin vetëm pas kthesës së vitit 1991. Tashmë është bërë i njohur, jo vetëm brenda vendit por nami i tij është përhapur edhe jashtë vendit, sidomos në Bosnjë. restoranti i parë dhe i famshëm “Sarajevo”, i ngritur dhe administruar për t’u marrë shembull nga çifti tashmë i njohur, Vezire dhe Harjo Miço (Miçeviq), pikërisht afër godinës madhështore të ish-drejtorisë së fermës së Sukthit. Në fillim një godinë njëkatëshe, ndërsa tashmë një godinë e madhe dy dhe trekatëshe është bërë e mirënjohur për mikpritjen dhe asortimentet e shumta, cilësore dhe tradicionale boshnjake, që ofron ky lokal impresionues…

Fjalë të mira mund të thuhen për drejtuesin e shoqatës “Zambaku” të komunitetit boshnjak të Shijakut, konsullin e nderit të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës për Shqipërinë, Fikret Kllariq. Shoqata “Zambak” e krijuar në vitin 1994, për dekada me radhë ka zhvilluar aktivitete të shumta për njohjen sa më të mirë të atdheut mëmë, por edhe për popullarizimin në Bosnjë të komunitetit të mrekullueshëm boshnjak të Shijakut, madje duke bërë edhe dokumentarë, botime, përkthime të shumta të autorëve boshnjakë si dhe artikuj e reportazhe të shumtë. Për këtë arsye drejtues të shoqatës janë ftuar në Sarajevë personalisht nga presidentët e asaj kohe, Alija Izetbegoviq dhe Haris Silajxhiq. Shoqata ka pritur e përcjell me dhjetëra delegacione të rangjeve të ndryshëm. Ngjarje e shënuar për komunitetin u bë pritja festive, që iu bë skuadrës së futbollit të Bosnjë-Hercegovinës.

Në kushtet e krijuara mjaft nga të rinjtë e të rejat e familjeve boshnjake të Shijakut kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë në institucionet e larta të Bosnjë-Hercegovinës. Hapja e klasave në gjuhën boshnjake u bë ngjarje me rëndësi për këtë komunitet. Por mungesa e vazhdimësisë së mësimit të kësaj gjuhe u vihet detyrë si komunitetit boshnjak, por sidomos pushtetit vendor për ta normalizuar sa më parë situatën.

Specifik është rasti i tim eti, Petar Sudar, lindur dhe rritur në Mostar, me profesion këpucëtar. Ai u arratis për arsye politike, më 1921, në Shkodër, ndërsa në vitin 1924 u vendos në Durrës. Me disa prej boshnjakëve luftoi në radhët e Brigadës IV S. Babai krijoi lidhje të ngushta me burra të shquar të komunitetit boshnjak të Shijakut, si Abdulla Gashi, Salk Dugaliqi, Sulë Kadra, Ibrahim Zuriqi, Ali Kapedani, Sulë Gallaj, Shemso Buka, Abdulla Malltezi, Hysni Shaqiri, Muç Muhaxhiri, Mujo Baçi dhe Omer Çeka.

Historia e komunitetit të mrekullueshëm boshnjak të Shijakut ia vlen të studiohet në shumë aspekte. Ajo është edhe dëshmi e fortë virtyteve më të larta edhe të shijakasve që në momentet më të vështira ndanë kafshatën me të dhe dhe në të mirë e në të keq iu ndodhën pranë njëri-tjetrit. Ajo është edhe një model i vërtet i mirëkuptimit human midis popujve të Ballkanit, që kanë provuar historikisht pasojat negative të së kaluarës, më tepër se kushdo tjetër në Evropë.

SHKARKO APP