Boston: Kisha Ortodokse shqiptare nderon Skënderbeun dhe Nolin

Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston u nderua dje Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me disa kumtesa dhe shfaqje. Në aktivitet u përkujtua edhe 110-vjetori i krijimit të kishës autoqefale shqiptare nga Fan Noli. Kisha vendosi t’i përkujtojë këto dy ngjarje bashkë, duke patur parasysh kontributin e Fan Nolit në studimin e Skënderbeut. Aktivitetin e ndoqi Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës.

Në simpoziumin që u mbajt në një sallë të thjeshtë në katin e dytë të Katedrales folën disa studiues. Profesor Nikolla Pano thotë se Noli e shkroi fillimisht Historinë e Skënderbeut në vitin 1921 me qëllimin e qartë për të bashkuar shqiptarët dhe për të edukuar tek ata ndjenjën kombëtare.

“Duhet të kujtojmë që viti 1921 ishte koha kur Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta Botërore, trupat e huaja sapo ishin larguar nga tokat shqiptare, pavarësia e Shqipërisë po riafirmohej dhe ndërkohë Shqipëria ishte në një rrëmujë politike në një farë mase. Noli donte që të fuste një ndjenjë të fortë patriotizmi, nacionalizmi dhe krenarie te shqiptarët”.

Grant Harris është drejtor i Sektorit të Evropës në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Atë e habit fakti se me sa entuziazëm u pritën bëmat e Skënderbeut në Evropë dhe botë:

“Kjo filloi natyrisht në Itali në fillim të viteve 1500 me librin e botuar nga Marin Barleti, që krijoi një farë legjende për Skënderbeun edhe pse kishte një bërthamë të vërtetë. Këtu ka rëndësi që Peshkopi Fan Noli tha më vonë se bëmat e mëdha të Skënderbeut, duke i rezistuar fushatave osmane për 25 vjet, ndodhën vërtet dhe ishin diçka e shkëlqyer. Por është e habitshme kur mendon që ka patur aq shumë njerëz që shkruan për Skënderbeun, duke përfshirë poetë dhe të tjerë që kanë lënë dorëshkrime, deri në shekullin e 19.”

Disa pjesëmarrës në simpozium i përkujtuan Skënderbeun dhe Nolin në mënyra të tjera.

Xhevat Nimani është themelues i teatrit shqiptar të Amerikës. Prej shumë vitesh roli i Skënderbeut është pasioni i tij i madh. Me zërin e tij buçitës, ai e ka interpretuar heroin kombëtar në skenat e qyteteve nga Evropa në Amerikë.

“Udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga Skënderbeu që t’i falin kundërshtarët e tyre politikë dhe kur është fjala për çështjen e Atdheut, ne jemi një komb, kemi një gjuhë, betohemi në një flamur që Shqipëria të mos shembet kurrë. Dhe ky ishte Gjergj Kastrioti, ky ishte vizioni i tij.”

Një skicë e Skënderbeut e krijuar në vitin 1918 dhe ku shquan detaji i pasur, ka qenë varur vazhdimisht në Kishën e Shën Gjergjit, por deri dje autori ishte i panjohur.

Neka Doko, e cila kujdeset për Bibliotekën e Nolit në këtë Katedrale, tregon për Zërin e Amerikës se pas kërkimeve që disa shqiptarë të Bostonit bënë në Tiranë, arritën të gjejnë autorin:

“Ai është Spiridon Tasi Ilo. Është një patriot shumë i njiohur i kohës së Nolit, shok i ngushtë edhe me Nolin, me (Kristo) Kirkën. Në këtë skicë ai ka shkruar me shkrim dore ‘Më bëri D. T. Shkëmbgur’. Nga kërkimet doli se ky ishte emri i tij artit.”

SHKARKO APP