“Bota turke me gjithë ngjyrat e saj” mirëpritet nga artdashësit shqiptarë

“Bota turke me gjithë ngjyrat e saj” titullohej koncerti i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë me pjesëmarrjen e 70 artistëve nga 11 shtete, në kuadër të festimeve të Nevruzit.

I organizuar nga Instituti “Yunus Emre” dhe Organizata Ndërkombëtare e Kulturës Turke (TÜRKSOY), nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, në koncert ishin të pranishëm kryekëshilltari i Presidentit të Republikës së Turqisë, Yalçın Topçu,  presidenti i Institutit “Yunus Emre”, Prof. Dr. Şeref Ateş, sekretari i Përgjithshëm i TÜRKSOY, Düsen Kaseinov, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, qytetarë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, President i Institutit “Yunus Emre”, Prof. Dr. Şeref Ateş, tha se “Instituti ‘Yunus Emre’ është një urë lidhëse për kulturat e vendeve të ndryshme. Filozofia e tolerancës pasqyrohet nëpërmjet gjuhës dhe aktiviteteve kulturore që ne zhvillojmë. Festa e Nevruzit simbolizon rigjallërimin e natyrës dhe shpresojmë që këtë aktivitet ta pasqyrojmë në shumë vende të ndryshme të botës”.

Kryekëshilltari i Presidentit të Republikës së Turqisë, Yalçın Topçu,  u shpreh se “do të shikoni sesi turqit e kanë sjellë vëllazërinë, paqen dhe sigurinë nga Azia në vendet e tjera. Me këtë shfaqje do të shikoni qytetërimin turk.”

Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i TÜRKSOY, Düsen Kaseinov, u shpreh se “këtë vit festimet e Nevruzit i kanë realizuar në pesë vende të Ballkanit, duke shtuar se artistët pjesëmarrës pasqyrojnë ngjyrat e botës turke. Bashkë me artistët pasqyrojmë të gjithë pasurinë e kulturës sonë të përbashkët”.

Artdashësit duartrokitën performancën e artistëve me këngë dhe valle.

 

SHKARKO APP