Botohet libri “Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër”

“Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër” është libri më i fundit i Dr. Arsim Spahiut, një libër i cili vjen pikërisht në kohën kur maqedonasit e sotëm po përpiqen të krijojnë një histori të cilën ata nuk e kanë, raporton Ora News.

Të pranishëm në promovimin e librit të Dr. Arsim Spahiut ishin botues, shkrimtarë, studiues dhe historianë të shumtë. Libri “Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër”, përbën hapat e parë të mitografisë shqiptare dhe kjo monografi provon qartë se Pellazgët shumë kohë para heleneve kanë pasur epopetë e tyre luftëtare dhe kombëtare, të cilat akejtë i kanë shndërruar në epope kombëtare që gjoja i përkasin Greqisë.

Autori në librin e tij të fundit, provon gjithashtu se mitet dhe feja pellazgjike janë njohur në Pellazginë Jugore e më gjerë shumë kohë para arritjes së grekëve dhe se shumë mite të tjera pellazge të greqizuara i përkasin Pellazgisë, më vonë Shqipërisë. Në këtë botim ka të dhëna të tjera, të vjetra dhe të reja e të padiskutueshme mbi karakterin pellazgjik ose ilir të maqedonasve të vjetër, si dhe provohet që Maqedonia Perëndimore dhe Epiri kanë të njëjtat mitologji dhe fe. “Është një kontribut i rëndësishëm për vendin tim, për popullin tim, i cili duhet t’i mësojë këto gjëra. Mitologjia më e vjetër në Europë, është mitologjia e pellazgëve. Grekët e kanë marrë mitologjinë nga pellazgët, fenë nga pellazgët. Kush e thotë këtë?! E thonë 20, 30 dhe 40 autorë dhe Herodoti sidomos. Herodoti ka diku tek 13-14 citime”, thekson ndër të tjera Dr. Arsim Spahiu.

Mes shumë personaliteteve të njohur në fushën e arkeologjisë dhe historisë, i pranishëm në promovimin e librit ishte dhe arkeologu, i cili – siç transmeton Ora News – tha se, Neritan Ceka tha se ky libër vjen me një metodologji të re dhe se ai nuk shpreh vetëm anën patriotike. “Jemi në një metodologji të re. Nuk janë më mjetet tradicionale, të cilat janë arkeologjia dhe gjuhësia, të cilët gjithmonë kanë dilemat e tyre. Nuk janë konfirmative në këtë drejtim, por kemi një metodologji e cila mbështetet tek një material tjetër shumë i vlefshëm. Teza të cilën po e ndjek prej kohësh Dr. Arsim Spahiu nuk është një tezë patriotike, nuk është deklamative, nuk është e nxitur vetëm nga dëshira, që të interpretojmë patjetër vetëm në favor të mullirit tonë, historinë dhe legjendat e lashta, por duket që ka një mbështetje shumë më të gjerë se sa ajo që kemi besuar deri më sot”, theksoi Ceka.

Ai nuk nguron tëshfaqet dhe si mbështetës i linjës së origjinës pellazgo-ilire të shqiptarëve. Ceka e sjell këtë argument, ndonëse ky nuk mbështetet me dëshmi arkeologjike pellazgjike në Shqipëri dhe ai vetë pranon që pellazgët dhe ilirët mbeten dy kufiza të panjohura. “Mendimi tij është i thjeshtë, pellazgët janë paraardhësit e ilirëve; shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve, kjo është triada të cilën nuk mund ta kundërshtojë askush, por janë të rrallë ata të cilët e atakojnë mënyrën, mjetet, të themi, metodologjinë për ta zgjidhur këtë trinom, ku kemi një të njohur të vetme dhe ky është elementi ai shqiptar; dy të tjerat ilirët dhe pellazgët mbeten gjithmonë në diskutim qoftë të gjuhësisë dhe qoftë të arkeologjisë”, theksoi Ceka.

Pjesëmarrës në promovim ishin studiues dhe personalitete të njohura të historisë dhe arkeologjisë shqiptare, të cilët kanë referuan mbi librin e Arsim Spahiut, duke vënë theksin në kontributin e rëndësishëm. Të pranishmit vlerësuan si të domosdoshme përkthimin dhe promovimin e librit dhe në gjuhë të ndryshme.

Dr. Arsim Spahiu ka botuar një sërë librash, “Pellazgët dhe Ilirët në Greqinë e Vjetër”, një botim i vitit 2005, “Iliriciteti i maqedonasve dhe i epirotëve”, botuar më 2006, “Orakulli i Dodonës dhe Epirotët”, “Gjuha e Epirotëve”, “Shteti Epirot”,“Triptik Epirot” (Numismatikë, antropologji dhe pak etnografi  epirote)”, “Maqedonasit e vjetër dhe arkeologjia e tyre”, “Gjuha e maqedonasve të vjetër”, “ Shteti i maqedonasve të vjetër”,“Diptik maqedonas”, etj..

SHKARKO APP