“Bylisi është qytet grek”! Deklarata e Sgarbit ngjall debate, Neritan Ceka: Më shqetëson mosinformimi i tij

Vizita e kritikut italian të artit në Shqipëri, Vitorio Sgarbi, u shoqërua nga disa pritje, ndërsa postimi i tij, ku e cilëson Bylisin si qytet grek, ka ngjallur debat mes specialistëve të trashëgimisë. Sgarbi i cilëson injorantë ata që e kundërshtojnë, ndërsa një prej zërave më me autoritet në arkeologji, i përgjigjet.

“Kompetenca në art është e padiskutueshme, por është historian i mesjetës, jo i antikitetit. Ajo që më shqetëson është mosinformim i tij. Pra një mik i shtetit shqiptar ftohet për të bërë propagandën, dhe duhet të evidentojë edhe kulturën. Për çdo turist është më interesant të vizitojë Bylisin si qytet ilir, se qytete greke ka me qindra”, thekson Neritan Ceka.

Arkeologu i njohur, duke bërë dallimet mes qyteteve greke e ilire, i vesh një pjesë të madhe të fajit shoqëruesve shqiptarë të Sgarbit.

“Bylisi është dëshmi e përpjekjes së një populli të lashtë për të nxjerrë diçka origjinale. Që është teatri, Sgarbi thotë është i thjeshtë, është teatri më i komplikuar. Nuk i kanë treguar që afër është shëtitorja 140 metër e gjatë arkitektonike. Nuk i kanë treguar që është stadiumi, që është cisterna, kishat paleokristina. E i shoqëruar nga injorantë nuk e ka fajin Sgarbi. Pavarësisht se është afër Apolonisë, sheshi publik është ndryshe. Është shesh i tipit gjeometrik”, shton arkeologu shqiptar.

Sgarbi, personazh i artit dhe medias italiane, ka pasur disa postime për vendin tonë gjatë vizitës së tij.

SHKARKO APP