Ceremonia madhështore e përuljes para Perandorit të Verdhë
Festa “Qingming” është një nga festat tradicionale kineze. Në këtë festë në fillim të prillit, kinezët kanë zakon të pastrojnë varret e të afërmve të larguar nga jeta, duke u përulur me nderim para tyre.
Në festën “Qingming” zhvillohet edhe një veprimtari e rëndësishme, ku marrin pjesë kinezë të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Kjo veprimtari është ceremonia e përuljes para Perandorit të Verdhë (Huangdi). Perandori i Verdhë ka jetuar para rreth 4700 vjetëve dhe është paraardhësi i kombit kinez. Kjo ceremoni filloi në vitin 442 para erës sonë dhe është trashëguar deri sot. Ceremonia e përuljes zhvillohet në mauzoleun e Perandorit të Verdhë në Qiaoshan të provincës Shanxi të Kinës Veriperëndimore. Në vitin 2006, kjo ceremoni u përfshi në listën e trashëgimive kulturore jomateriale e Kinës. Mund të themi se kjo është ceremonia e nderimit me anë të përuljes me përmasat më të mëdha në Kinë. Krahas banorëve të pjesës kontinentale, shumë kinezë jashtë vendit kthehen posaçërisht në atdhe për të marrë pjesë në ceremoni.
Këtë vit në festën “Qingming”, më se 1000 veta morën pjesë në ceremoninë e përuljes para Perandorit të Verdhë, e cila tërhoqi vëmendjen e mbi 100 mediave që dhanë njoftime lidhur me këtë veprimtari. Pas fillimit të ceremonisë, dy rreshta ushtarësh të veshur me uniforma ushtarake të lashtësisë dhe dy rreshta vajzash me veshje të pallatit perandorak ecën në qendër të sheshit. Një përfaqësues lexoi tekstin e përuljes, pastaj pjesëmarrësit u përulën para mauzoleut të Perandorit të Verdhë. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne.
Sipas legjendës, nëna e Perandorit të Verdhë mbeti shtatzënë pasi u godit nga rrufeja. Pas shtatzanisë 20-vjeçare, ajo lindi një djalë, atë që do të quhej më vonë Perandori i Verdhë. Foshnja e sapolindur dinte të fliste dhe ishte shumë i zgjuar që fëmijë. Në moshën 20-vjeçare, ai u bë kryetar i fisit të vet. Nën udhëheqjen e tij, bujqësia e u zhvillua shumë shpejt dhe si rezultat, fisi i tij u fuqizua shumë. Në atë kohë, në pjesën qendrore të Kinës së sotme, kishte shumë fise që luftonin me njëri-tjetrin. Perandori i Verdhë i mposhti më në fund fiset e ndryshme, duke bashkuar kombin kinez. Ai krijoi sistemin e qeverisjes me funksionarë, i mësoi banorët të mbillnin drithëra, të ndërtonin shtëpi e të prodhonin rroba e pajisje. Perandori i Verdhë krijoi edhe mjekësinë kineze. Vepra e tij “Ligji i brendshëm i Huangdi-së” është një nga katër veprat klasike mjekësore kineze dhe përdoret ende gjerësisht sot në qarqet e mjekësisë kineze.
Zakoni i kinezëve për t’u përulur para paraardhësve zgjat prej mbi 2500 vjetësh. Në të kaluarën nuk kishte një ditë të përcaktuar për këtë gjë, derisa në periudhën e perandorit Xuanzong të dinastisë Tang (685-762), u përcaktua festa “Qingming” për përuljen para paraardhësve.
“Qingming”-u, “Duanwu”, Festa e Pranverës dhe Festa e Hënës janë katër festat kryesore tradicionale kineze. “Qingming” bie zakonsisht më 4 ose 5 prill sipas kalendarit gregorian. Krahas një dite feste, “Qingming”-u është edhe një nga 24 fazat diellore sipas kalendarit hënor kinez, që jep referime për mbjelljen e drithërave nga bujqit.
Për shkak që festa “Qingming” është në pranverë, gjatë kësaj periudhe, kinezët e kanë zakon të bëjnë shëtitje jashtë shtëpisë dhe të lëshojnë balona letre. Këtë vit në ceremoninë e përuljes para Perandorit të Verdhë, u lëshua një balonë e madhe në formën e dragoit, që simbolizon se kinezët janë pasardhësit e dragoit./CRI