Çfarë ndodhi 75 vjet më parë në D-Day
Gjatë kësaj jave kanë filluar të zhvillohen përkujtimet për 75 vjetorin e zbarkimit të ‘D-Day’, të njohur edhe si zbarkimi në Normandi.
Për shkak të kësaj ngjarjeje Mbretëresha Elizabeta II, Presidenti i SHBA Donald Trump dhe krerë të tjerë të shtetesh janë në Portsmouth të Britanisë së Madhe.
Por, çfarë ndodhi në qershor 1944 gjatë Luftës së Dytë Botërore?
D-Day është një term ushtarak për ditën e parë të një operacioni.
Trupat nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Franca sulmuan forcat gjermane në brigjet e Francës veriore, më 6 qershor 1944. Ishte operacioni më i madh ushtarak, ajror dhe tokësor, që ishte bërë ndonjëherë dhe shënoi fillimin e fushatës për çlirimin e Europës veri-perëndimore të pushtuar nga nazistët. D-Day përfshiu zbarkimin e njëkohshëm të dhjetëra mijëra trupave në pesë plazhe të ndara në Normandi.
Pas një planifikimi prej më shumë se një viti, D-Day fillimisht ishte caktuar të fillonte më 5 qershor, duke gjykuar se ishte data më e përshtatshme për të kombinuar detin e qetë, hënën e plotë dhe ujin e cekët në agim. Megjithatë, për shkak të stuhive operacioni do të shtyhej me 24 orë deri në 6 qershor.
Në këtë ditë u përfshinë deri në 7,000 anije dhe mjete të tjera për zbarkim, duke transportuar 156,000 njerëz dhe 10,000 automjete në pesë plazhe të bregdetit të Normandisë. Uljet nuk do të kishin qenë të mundura pa mbështetjen e forcave masive ajrore dhe detare, të cilat ishin më të forta se gjermanët.
Vetëm në D-Day, nga forcat aleate vdiqën rreth 4,400 trupa ndërsa rreth 9,000 u plagosën ose u zhdukën. Viktimat nga pala gjermane ende nuk janë të njohura plotësisht, por vlerësohen të jenë midis 4,000 dhe 9,000 trupa. Mijëra civilë francezë gjithashtu u vranë, kryesisht si rezultat i bastisjeve të bombardimeve të kryera nga forcat aleate.
Çfarë ndodhi pas D-Day?
Megjithëse ata kishin përparuar në Francë deri në fund të D-Day, forcat aleate ende ishin në rrezik që të ktheheshin në det. Ata duhet të riorganizonin forcat e tyre më shpejt se sa gjermanët.
Përparimi ishte i ngadalshëm nëpër rrugët e ngushta dhe qytetet e fortifikuara të Normandisë.
Por me një avantazh numerik ndaj gjermanëve dhe të mbështetur nga forca ajrore, aleatët ishin në gjendje të kapërcejnë rezistencën e konsiderueshme – edhe pse me një çmim të rëndë.
Deri në kohën që çliruan Parisin, në fund të gushtit 1944, rreth 10% e dy milionë trupave aleate që kishin arritur deri në Francë ishin të vdekur,plagosur ose të humbur.