“Cirku Fluturues” i regjisorit Fatos Berisha në festivalin e filmit Karlovy Vary
Projekti filmik “Cirku Fluturues” me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berisha është përzgjedhur në programin “Works in Progress” në festivalin prestigjioz të filmit në Karlovy Vary, në Çeki. Ky film është përzgjedhur mes 11 projekteve filmike nga e gjithë bota që do të garojnë për çmimet në këtë kategori.
Projektet e përzgjedhura në këtë garë të Pitching do të prezentohen para jurisë profesionale dhe një publiku të gjerë profesionistësh nga mbarë bota duke u futur njëherësh në garë për çmimin kryesor prej 100,000 euro në shërbime të postproduksionit.
“Cirku Fluturues” është një komedi e zezë që në vete ngërthen një rrugëtim të një grupi aktorësh, luajtur nga Armend Smajli, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani dhe Afrim Muçaj, të cilët nisen për të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit në Tiranë me shfaqjen e tyre, duke marrë përsipër rrezikun e kalimit të kufirit në mënyrë ilegale në një kohë të rrezikshme pak para luftës së Kosovës.
Projekti filmik “Cirku Fluturues” është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë, ndërsa bashkë producent i projektit është edhe shtëpia filmike Ikonë Studio nga Kosova.
Edicioni i 53-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary do të mbahet më datat 29 qershor deri më 7 korrik, kurse gara “Works in Progress” ku do të prezantohet projekti filmik “Cirku Fluturues”, mbahet më datat 1-4 korrik.