Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019, triumfon romani ”Diktatori në kryq” nga Mira Meksi
Janë ndarë çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019. ku si romani më i mirë 2019, është zgjdhur “Diktatori në kryq”, i Mira Meksit. Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Matteo Mandala
Çmimet e ndara si më poshtë
Romani më i mirë 2019, “Diktatori në kryq”, Mira Meksi
Motivacioni: “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më”.
Përkthimi më i mirë 2019, “Iliada”, Llambro Ruci
Motivacioni: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.
Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Matteo Mandala
Motivacioni: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.
Përmbledhje me tregime më e mirë 2019, “Mikrobus”, Romeo Çollaku
Motivacioni: “Për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri”.
Vëllimi poetik më i mirë 2019, “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, Alisa Velaj
Motivacioni: Libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.
Letërsia për fëmijë më e mirë 2019, “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli
Motivacioni: Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë.