Çmimi Evropian i Letërsisë 2021, Shqipëria kandidade me 5 autorë
Në ditët e para të janarit të këtij viti ka filluar puna për përcaktimin e fituesit të Çmimit Evropian të Letërsisë 2021 (EUPL – European Union Prize for Literature). Ky çmim jepet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit Evropa Krijuese dhe vlerëson shkrimtarë të rinj të shquar nga vendet evropiane.
Shqipëria është pjesëtare aktive prej vitit 2013. Janë me dhjetëra projektet fituese në fusha të ndryshme të artit e të kulturës, ku sigurisht libri dhe letërsia ka një peshë të veçantë. Çmimi organizohet nga një konsorcium prej tre shoqatash: Federata e Shkrimtarëve Evropianë, Shoqata Evropiane e Botuesve dhe Shoqata e Librarëve Evropianë, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian.
Në 2021, EUPL ka edicionin e 13-të dhe do t’i japë çmim një autori fitues nga secili prej 14 shteteve pjesëmarrëse. Në vitin 2014 nga Shqipëria ishte shkrimtari Ben Blushi, me romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, që u shpall për herë të parë fitues i Çmimit Evropian të Letërsisë. Në vitin 2017, fitues ishte shkrimtari Rudi Erebara, me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit”.
Po këtë vit si do të shkojnë gjërat?
Do na duhet të presim muajin maj të këtij viti për ta mësuar këtë. Prej disa javësh po punon juria kombëtare, e përbërë nga zoti Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ben Andoni, gazetar i njohur i kulturës (kryetar i jurisë), Entela Kasi, drejtore e PEN Klubit shqiptar dhe franko-shqiptarja Evelyne Nouage, aktiviste kulturore. Janë lexuar e vlerësuar dhjetëra tituj letrarë, prozë apo poezi, romane apo vëllime me tregime, libra që plotësojnë kriteret e këtij kompeticioni dhe sigurisht duhet të kenë cilësinë e duhur letrare. Pra duhet të jenë autorë, të cilët premtojnë në krijimtarinë e tyre. Ndër kriteret formalë, përmendim që autorët duhet të kenë botuar jo më pak se dy libra dhe jo më shumë se katër; të mos jenë botuar në më shumë se dy gjuhë të tjera dhe vepra e tyre të jetë botuar detyrimisht në gjysmën e vitit 2019.
Autorët dhe veprat e tyre letrare që kanë kaluar përzgjedhjen kryesore
Ndër autorët dhe veprat e tyre letrare që kanë kaluar përzgjedhjen kryesore janë: Ana Kove me librin “Këmbanat e së dielës”, Andreas Dushi me “Pragu i braktisjes”, Brajan Sukaj me “Viti i elefantit”, Liridon Mulaj me “Mos harro të më kujtosh”, Loer Kume me “Amygdala Mandala” dhe Tom Kuka me “Ora e ligë”. Më 8 mars, juria shqiptare duhet të dërgojë në sekretarinë e Çmimit në Bruksel listën me pesë autorë, bashkë me dokumentacionin dhe motivimet përkatëse. Brenda muajit prill 2021 do të përcaktohet nga juria jonë autori dhe libri fitues që do të shpallet në Bruksel gjatë muajit maj, në një ceremoni të veçantë. Kjo praktikë është e njëjtë për të 14 vendet e përfshira në këtë edicion të vitit 2021. /Albanianpost.com/