Çmimi “Marie Kraja” udhëton drejt Koresë së Jugut

Çmimi “Marie Kraja”, në edicionin e 17-të të Festivalit Ndërkombëtar Operistik, udhëton drejt Koresë së Jugut. Dangho Kim rrëmbeu trofeun për të cilin ishin në garë 15 konkurrentë nga e gjithë bota.

“Nuk mundem ta besoj, të gjithë konkurrentët ishin shumë të fortë dhe unë këtë natë nuk isha në formën time të mirë”, thotë bass-i, Dangho Kim, fitues i festivalit.

Juria ndërkombëtare vlerësoi me çmim të dytë mezzo-sopranon nga Turqia, Ezgi Karakaya. Ndërsa çmimi i tretë u nda mes dy konkurrentëve, sopranos shqiptare Nina Muho dhe tenorit turk Faik Mansuroglu.

Tenori rus Kirill Matveev triumfoi në Garën e Këngës, çmim të cilin e përzgjedh orkestra e TKOB. 8 finalistët për garën e arieve dhe atë të këngëve, u përfaqësuan me materialet më të suksesshme në portofolin e tyre artistik. E sigurisht, nuk mund të mungonin këngë shqiptare.

Ky festival, në këtë edicion solli edhe dy të ftuar special, tenorin me famë botërore Murat Karahan dhe virtuozin e violinës, fituesin e disa çmimeve ndërkombëtare Elvin Hoxha.

Edicioni i 17-të i “Marie Krajës”  solli në skenën e Katedrales Orthodhokse zëra virtuoz dhe vokale brilante. 20 vjet që prej edicionit të parë, themeluesja Zana Çela rrëfeu rrugëtim e festivalit, duke shfaqur për publikun momentet më të bukura. Ndërsa shumica e fituesve ndër vite, të cilët sot performojnë në teatrot më të mëdha në botë, përshëndetën të pranishmit me disa video mesazhe.

SHKARKO APP