Dashuria e ndaluar në diktaturë sjell Remo Girone në filmin shqip

“Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, kështu titullohet filmi më i ri i regjisorit Namik Ajazi. Pas filmit “Amanet”, ai ndalet sërish në një histori të vërtetë nga vitet e diktaturës.

Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast të zgjedhur aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian. Ngjarjet zhvillohen në fund të viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, tenton të sjellë edhe atmosferën e atyre viteve të vështira për shqiptarët.

Aktori Remo Girone, me bashkëshorten, aktoren Victoria Zinny
Aktori Remo Girone, me bashkëshorten, aktoren Victoria Zinn
Për të ndërtuar këtë histori, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vjet dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme. Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Ai nuk preferon të tregojë emra realë, por ta sjellë këtë histori në formën e një homazhi për atë brez, të cilëve iu censurua edhe dashuria.

Filmi që do të xhirohet kryesisht në kryeqytet, në atë pak Tiranë të “vjetër” që ka mbetur, angazhon një kast aktorësh të zgjedhur. Surprizë është zbritja në sheshxhirim e aktorit italian Remo Girone. Një aktor shumë i dashur për shqiptarët, sidomos për rolin tij të Tano Caridit, në serialin aq të ndjekur “Oktapodi”. Në krah të tij do të jetë aktorja dhe partnerja në jetë, Victorja Zinny. Së bashku do të luajnë rolet e prindërve të vajzës që dashurohet me djalin shqiptar.

Të tjerë aktorë që vijnë nga Italia janë Beatrice Aiello, në rolin e protagonistes, po ashtu edhe Marta Gastini. Ndër aktorët shqiptarë janë Alfred Trebicka, Gulielm Radoja, Raimonda Bulku, Mehdi Malkaj dhe Anton Koëdrinaj në rolin kryesor, atë të Artur Erzenit. Filmi nisi dje xhirimet e para në Tiranë. Regjisori Ajazi tregon disa “sekrete” të “Portretit të pambaruar të Clara Bellinit”.

Regjisori Namik Ajazi, dje gjatë xhirimeve të para të filmit

Dje ishte çaku i parë për filmin tuaj më të ri, ç’histori do të sillni këtë herë?

U bënë tre vjet tashmë që punoj mbi këtë projekt. Kam hulumtuar në ish-Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ku kam qëmtuar katër histori reale, tepër interesante, mbi raporte dashurish të djemve shqiptarë me vajza të huaja. Ne jemi mbështetur mbi to, por gjithsesi është fiction dhe kemi trajtuar bashkë me peripecitë e personazheve, imazhin e Shqipërisë së atyre viteve. Bëhet fjalë për vitet ’70-’80 dhe i kam dhënë një rëndësi të dorës së parë sjelljes së atmosferës së atyre viteve, çka nuk është aspak e thjeshtë. Kjo për shkak të ndryshimit të strukturës së qyteteve, ndërtimeve të reja, por edhe psikologjisë së vet njerëzve. Shpresoj, që duke pasur një kast të mirë aktorësh dhe një prapavijë teknike profesionistësh italianë, do të arrijmë të sjellim një produkt të mirë, që do të pëlqehet jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga ai i jashtë kufijve.

Filmi juaj “Amanet”, por edhe dokumentarët që keni realizuar mbështeten kryesisht në histori reale të së shkuarës komuniste, pse kjo qasje?

Ne kemi shumë histori, të cilat janë edhe kauza të sotshme, por më së shumti ne kemi nevojë të tregojmë historitë e atyre viteve të vështira, nën një diktaturë specifike, që i tejkalonte përmasat e të gjitha sistemeve komuniste, socialiste rreth nesh, të cilat prodhonin drama, histori, pasoja… Me gjithë vlerën e madhe që kanë filmat e realizuar para viteve ’90, ata ishin filma propagandë. Sistemi prodhonte filma për propagandë. Me shumë mjeshtëri kineastët shqiptarë mundoheshin të sillnin copëza së vërtete, ose ta pastronin sa mundnin filmin nga ngarkesa politike e megjithatë, në shumicën e tyre ata ishin filma politikë. Intensiteti dhe ritmet e jetës sot i bëjnë të rinjtë të jenë të pavëmendshëm ndaj së shkuarës, marrin vetëm copëza të treguara nga të afërmit, por edhe ato përciptas, ndaj ne kemi detyrimin t’u tregojmë atë që ka kaluar dikur ky vend, për të treguar ku ishim dhe si arritëm të mbijetojmë, të përshtateshim në ato kushte të jashtëzakonshme. Ndaj, mendoj se është detyrë e jona të tregojmë diçka ndryshe nga filmat e kohës, për atë periudhë.

Janë shumë pak filmat që flasin për diktaturën. Më së shumti, kineastët trajtojnë tema të bashkëkohësisë. A vjen kjo për shkak të vështirësisë që ju përmendët pak më herët, për shkak të ndryshimeve të shumta që ka pësuar Shqipëria?

Zgjedhja e tematikës nga ana e regjisorëve, bashkë me ekipin krijues, skenaristin dhe skenografin, që është shumë i rëndësishëm në film, është i detyruar. Ne punojmë me buxhete qesharake. Kostot e një filmi janë të larta dhe nëse vihesh përpara dy zgjedhjeve, do të detyroheshe që për mungesë buxhetesh, dekoresh, për vështirësi eksterierësh dhe interierësh, të shkosh te historitë e sotshme. Kthimi në kohë është i kushtueshëm në mund, në kohë, në kostume, sepse ne nuk kemi as atë kostumografi modeste të Kinostudios. Ç’ka qenë e vlefshme është marrë, pjesa tjetër është shkatërruar, është keqpërdorur. Dhe përballë këtyre vështirësive bën një kalkulim dhe zgjedh më të thjeshtën. Kjo është arsyeja pse këto tema janë pak të preferuara nga kineastët.

Si ia keni dalë të rindërtoni Shqipërinë e viteve ’70-’80?

Kam kthyer në kinema Fatbardh Markun, një nga skenografët më në zë të filmit shqiptar, i cili ka realizuar skenografitë e dy prej filmave më të arrirë për atë kohë “Plumba Perandorit” dhe “Udha e shkronjave”. Kam kërkuar të punoj me të, që kur punoja me skenarin dhe ka pranuar me dëshirë të jetë pjesë e stafit. Kemi shëtitur Tiranën më këmbë për të gjetur 6-7 lokacione që na kthejnë në kohë, që janë ruajtur relativisht mirë dhe që sjellin rrugica të vjetra Tirane, ndërtesa të vjetra që ne do t’i rijetësojmë, por do të ndërhyjmë edhe në postproduksion nga ana dixhitale, për të “manipuluar” atë që nuk e ndryshon dot sot, si tabelat e rrugëve, fasadat e ndryshme, deri te linjat e internetit që i kemi si merimanga mbi kokë. Do të na duhet të sforcohemi pak, për të sjellë atë periudhë kohore që filmi merr përsipër të tregojë.

Kush e financon filmin?

Janë buxhete të mbledhura nga disa burime. Kemi marrë një buxhet modest nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, pasi filmi ishte mbështetur nga Departamenti i Filmit në Ministrinë e Kulturës Italiane. Kemi konkurruar në Eurimages, ku po ashtu morëm një pjesë buxheti. Duke futur edhe mbështetjen e sponsorëve të ndryshëm do t’ia dalim të sjellim një film që ka kosto shumë të lartë, me financa modeste. Me këtë rast, do të doja të kërkoja mirëkuptimin e stafit të aktorëve dhe ekipit teknik italian, për të përballuar këto vështirësi që kemi në pagesat e tyre. Ata do të vijnë sepse besojnë në këtë projekt, besojnë te filmi, duke lënë mënjanë kontratat normale që ofron shteti italian apo vende të tjera të Europës.

Ju folët për katër histori të vërteta, a mund të dimë emrat realë të atyre të rinjve të dikurshëm që kanë përjetuar këto drama?

Po, kemi hulumtuar katër histori. Njëra prej tyre është shumë e afërt me historinë që sjell filmi, por nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e tij. Por është një histori e vërtetë, që u bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte. Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situata të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër.

Nga e kemi “nusen”, ruse, bullgare, italiane…?

“Nusen” e kemi italiane. Bëhet fjalë për historinë e dashurisë së një djaloshi shqiptar me vajzën e një diplomati të lartë italian në vitet ’80.

Mund të na e zbuloni kastin e aktorëve?

Kemi bërë një zgjedhje të kujdesshme aktorësh bashkë me mikun tim, që luan edhe në film, Alfred Trebicka. Tre “muskëtierët” e këtij projekti jam unë, Alfred Trebicka dhe Ruzhdi Pulaha, i cili mori përsipër të shkruante skenarin dhe e falënderoj shumë. Pas “Amanetit”, ky është bashkëpunimi ynë i dytë. Kemi bërë një kasting në Itali. Remo Girone dhe Victoria Zinny, të cilët interpretojnë rolet e prindërve të vajzës, Beatrice Aiello, një aktore e re me perspektivë do të jetë në rolin e protagonistes, po ashtu edhe Marta Gastini. Kemi një kast të mirë aktorësh shqiptarë, që nga Alfred Trebicka, Gulielm Radoja, Raimonda Bulku, Mehdi Malkaj dhe një djalosh i ri shqiptar, Anton Kowdrinaj, që banon në Firenze dhe i kemi besuar rolin kryesor, atë të Artur Erzenit.

SHKARKO APP