Denatyralizimi i qenies në romanin “Banka e Ankesave” e Zija Çelës
Prof.as.dr. Ermira Ymeraj & Prof.dr. Klodeta Dibra
Romani “Banka e Ankesave” i Zija Çelës, nuk funksionon thjesht si një roman ku artikulohet denatyralizmi i qenies njerëzore në kushtet e shoqërive moderne, po ai vjen si një roman i ngritur mbi strukturën alegorike dhe polifonike, elemente stilistike këto, përmes të cilit zbulohet boshllëku moral i realitetit shoqëror dhe pafuqia e individit për të ndërhyrë në të, ato shfaqen si strukturë nëntekstuale që përmbysin pritshmëritë, duke ekspozuar kontradiktën mes asaj që premtohet dhe asaj që realizohet. Ky mekanizëm ironik lidhet ngushtë me tregimin e vëllimit “Thika pa gjak” me të njëjtin titull “Banka e Ankesave”, në të cilin materiali narrativ nuk mbetet i kufizuar në një situatë të vetme simbolike, por zgjerohet në një strukturë më komplekse, duke e kthyer ironinë në parim organizues të rrëfimit. Nëse në tregimin “Banka e ankesave”, ironia përqendrohet në një situatë të ngjeshur, ku dhuna nënkuptohet dhe efekti i saj është më shumë psikologjik sesa fizik, te romani, kjo logjikë zgjerohet, dhe “Banka” kthehet në metaforën konjuktive që përfaqëson forma të padukshme të dhunës institucionale dhe njëkohësisht në hapësirën ku fatet individuale nuk përcaktohen më nga zgjedhjet personale, por nga logjika e një sistemi që prodhon dhe riprodhon pafuqinë. “Banka e Ankesave artikulon kritikën ndaj një realiteti ku dhuna nuk shfaqet hapur, por vepron në mënyrë të heshtur dhe të institucionalizuar, duke e çuar individin drejt një forme të thellë të denatyralizimit ekzistencial.
Në qendër të narratives së romanit qëndron institucioni i Bankës, i cili materializon këtë formë të re kontrolli, dhe vjen si një hapësirë ku depozitohen zërat e individëve, por pa garantuar zgjidhje, duke krijuar kështu një tension të vazhdueshëm mes shprehjes dhe heshtjes. Në roman ndërtohet paradigma e një lirie që ekziston në formë e jo në përmbajtje, duke e vendosë individin në një raport thelbësisht asimetrik me strukturat që e rrethojnë.
Në prizmin e letërsisë distopike , romani artikulon një rend të deformuar, i cili përqendron mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes në një institucion të vetëm, dhe individi reduktohet në një njësi funksionale brenda kësaj strukture. Institucioni i Bankës së Ankesave, krijon iluzionin e një hapësire ku qytetarët mund të shprehen lirisht, por në realitet kjo shprehje nuk sjell ndryshim. Parulla “Ju flisni, ne ju dëgjojmë”, funksionon si një version i përmbysur i utopisë, duke dëshmuar për një sistem që neutralizon reagimet. Në këtë kuptim, individi reduktohet në një zë pa ndikim, ndërsa pushteti shfaqet si një mekanizëm i padukshëm, i gjithpranishëm, kontrollues dhe orientues i sjelljeve të tij. Fakti që çdo ankesë “depozitohet” krijon iluzionin e funksionimit demokratik, por mungesa e përgjigjes e kthen individin në një subjekt pasiv.
Në strukturën e 15 rrëfimeve dhe me një trajektore që ngërthen trinitetit e qenies hyjnore me atë tokësore, Banka e Ankesave shfaqet si një pushteti tokësor paralel ndaj shtetit, një institucioni që jo vetëm mbikëqyr shtetin dhe shtetarët, përfaqësuesit, ndërtuesit, të dukshmen dhe njëkohësisht të padukshmen. Hetuesi Zamarin, shfaqet që në rrëfimin e parë, është njeriu që përfaqëson një pushtet të ndërmjetëm mes tokësores dhe së mbinatyrshmes. Aftësia e tij për të kaluar nga një kohë në tjetrën (“Një hoplaa dhe ai kalonte nga një kohë në tjetrën”), simbolizon shtrirjen e pakufishme të kontrollit, duke sugjeruar se pushteti nuk është i kufizuar vetëm në një dimension të caktuar, por depërton në çdo aspekt të jetës njerëzore, duke e bërë të mundur edhe pyetjen retorike: “A thua bota mbarë ishte tani në duart e tij?”
Zbërthimin kuptimor duhet ta fillojmë që te koncepti që shkrimtari na ofron për Bankën, këtë vend që në konceptin e references ekonomike është një institucion me fuqi ndërvepruese mes shtetit dhe individit. Megjithatë, në roman ky koncept zhvendoset dhe rikonfigurohet në funksionin e një modeli të ri pushteti. Banka e Ankesave është hapësira ku depozitohen të gjithë zërat individualë, por pa prodhuar ndërhyrje reale në realitet. Parulla “Ju flisni, ne ju dëgjojmë” përbën formulimin paradigmatik të këtij mekanizmi, që riprodhon në mënyrë artificiale komunikimin, ndërkohë që përjashton efektin e tij.
Dëgjojmë po as nuk nënkuptohet e aludohet zgjidhja. Që këtu nis alegoria, asnjë pizgë zëri, ky institucion nuk e linte pa dëgjuar. Vetë funskionarët e këtij institucioni apo dhe në emrat që rrëfyesi zgjedh janë alegorikë. Akti i dëgjimit institucional synon neutralizimin e reagimeve, duke i dhënë individit ndjesinë e pjesëmarrjes, pa i ofruar mundësinë e ndryshimit. Kështu, çdo “zë” regjistrohet, por asnjë nuk transformohet në veprim, çka e shndërron komunikimin në një proces formal dhe të zbrazët nga përmbajtja. Figura e Nevil Muzinës (Never) funksionon si shenjë e një realiteti ku mohimi dhe pamundësia e realizimit janë të kyçura në vetë strukturën e sistemit. Në këtë mënyrë, alegoria rrëfen. Personazhi i Dorian Kasmit ilustron procesin e nënshtrimit të individit brenda sistemit. Lëvizja e tij e kufizuar brenda ndërtesës në formë ylli me pesë cepa tregon simbolikisht izolimin dhe kontrollin e plotë të hapësirës dhe mendimit. Ai nuk është më një individ i lirë, por pjesë e një mekanizmi që funksionon sipas rregullave të vendosura nga pushteti. Individi në roman nuk përballet me një ndalim të drejtpërdrejtë, por me një sistem që e lejon të flasë, të ankohet dhe të shprehet, pa i dhënë mundësinë reale të ndryshojë gjendjen e tij. Dorian Kasmi, është zbatuesi, i zellshmi i heshtur i ingranazhit të drejtuar nga mëkëmbësi Zamarin që pret të zërë vendin e drejtuesit nën hijen e një nomeklature pa emër të forcës së vërtetë të pushtetit. Doriani Kasmi është personazh i natyrshëm është një identitet i lindur në kohën moderne, mbi të cilin vepron një institucion i paisur me mjete moderne, që mbart sëmundjen e çdo sistemi arkaik, shfrytëzimin e qenies, sidomos atij më të dobtit.
Ndërsa Virion Merko përfaqëson individin mbi të cilin ushtrohet pushteti në mënyrë më të drejtpërdrejtë. Virion Merko është shtetari ai mbi të cilin ngrihet pushtetet në format e saj për ta sunduar, drejtuar dhe vrarë. Sistemi ngrihet në format e veta sa moderne aq dhe groteske. Format janë marramendëse (zmadhohen, tjetërsojnë, zhvasin), ato i përgjigjen një përmbajtjeje që përmbledh kohë të ndryshme në shfaqjet e veta sociale, psikologjike, ekonomike, politike, shoqërore, shtetërore e më pas dhe ndërkombëtare. Ndryshe nga Doriani, Virion Merko përjeton efektet e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke ilustruar procesin e tjetërsimit të subjektit. Identiteti i tij nuk është më një dhënë e qëndrueshme, por një sajesë e krijuar nga kërkesat e sistemit, që çon në zhvendosjen e tij nga një vetje autentike drejt një forme të standardizuar ekzistence. Përmes dy përsonazheve Dorian Kasmit dhe Virion Merkos, autori ndërton një dyzim tipik të qenies, nga njëra anë subjekti që riprodhon pushtetin, dhe nga ana tjetër subjekti që e përjeton atë si detyrim. Kjo ndarje tregon se në një sistem individi njëkohësisht mund të jetë edhe instrument edhe viktimë e pushtetit: I tërë ky udhëtim në cepat e yllit brenda Bankës së Ankesave shtron rrugën drejt Bankës së Rënkimeve oh- eve , klithmave, ku kurrkush dhe kurrë s’ka për t’i ditur pengjet e xanxat që i mundojnë. Udhëtimi i strukturuar në trajektoren e yllit, përfaqëson një itinerar simbolik që çon drejt një tjetër niveli të përvojës njerëzore, që përkufizohet si një hapësirë e brendshme e dhimbjes dhe e heshtjes. Metafora e “Bankës së Rënkimeve” shënon kalimin nga kontrolli i jashtëm institucional drejt përmasës ekzistenciale të individit. Doriani është një nga të shumtët e zinxhirit pushtetar që bukos e vulos heshtjen e gojëve dhe të mendimit në të gjallë, shpesh dhe me heshtje. Ndaj kur të vdesim le të mos na zërë droja se mundemi apo s’mumdemi t’i japim kuptim tokës ku jetojmë, po të bëjmë të mundur që jeta të mos na shkojë kot.
Nga pikëpamja narratologjike, toni narrativ, shpesh ironik dhe herë-herë i ftohtë, krijon një distancë mes rrëfimit dhe lexuesit, duke e detyruar këtë të fundit të reflektojë mbi realitetin e paraqitur dhe jo thjesht ta përjetojë emocionalisht. Kjo distancë ndërtohet edhe përmes përdorimit të një gjuhe me ngjyrim burokratik dhe formal, siç vihet re në formulimin “Ju flisni, ne ju dëgjojmë”, e cila në sipërfaqe sugjeron komunikim, por në thelb fsheh mungesën e veprimit dhe indiferencën institucionale.
Edhe përdorimi i strukturave sintaksore të shkurtra dhe i pyetjeve retorike “A jemi të kënaqur me aktualitetin?”, krijon një ritëm të prerë dhe reflektues, duke e zhvendosur tekstin nga emocionaliteti i tepruar drejt racionalitetit kritik. Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje të drejtpërdrejtë, por funksionon si nxitje për vetëdijësim te lexuesi, duke e vendosur atë në pozicionin e një subjekti interpretues.
Në përdorimin e simbolikës dhe emërtimeve me ngarkesë alegorike, si figura e Zamarinit apo vetë institucioni i Bankës, e zhvendosin rrëfimin nga niveli individual në atë universal. Fraza “A thua bota mbarë ishte tani në duart e tij?” ndërton një tension të brendshëm që nuk shpërthen emocionalisht, por mbetet i përmbajtur, duke e bërë lexuesin të reflektojë mbi përmasat e pushtetit dhe pasojat e tij. Edhe në këtë rast, gjuha nuk e shpjegon drejtpërdrejt realitetin, por e sugjeron atë përmes nëntekstit.
Në këtë mënyrë, marrëdhënia mes gjuhës së përmbajtur, ironisë së nënkuptuar dhe përdorimit të simbolikës, krijon një distancë të vetëdijshme estetike, që e nxit lexuesin të interpretojë dhe të vërë në dyshim realitetin e paraqitur. “Ah, ai lot, loti që të kujton një glob, çfarë tmerri po të shkojë kot!”, është një reflektim thellësisht njerëzor, ku përtej strukturave të pushtetit dhe mekanizmave të kontrollit, mbetet drama e individit për të mos e lënë jetën të rrëshqasë pa kuptim. Figura e lotit, krahasuar me globin, përmbledh në mënyrë simbolike gjithë përvojën e qenies njerëzore, një botë e vogël brenda vetes, e brishtë dhe e rrezikuar nga zbrazëtia. Në këtë kuptim, frika më e madhe nuk është thjesht nënshtrimi ndaj sistemit, por mundësia që përjetimet, vuajtjet dhe vetë ekzistenca të shkojnë kot, pa lënë gjurmë. Kështu, romani nuk mbetet vetëm një kritikë ndaj pushtetit, por shndërrohet në një thirrje të heshtur për vetëdijësim: që njeriu, pavarësisht kufizimeve, të përpiqet t’i japë kuptim jetës së tij, në mënyrë që “ai lot” të mos humbasë në boshllëkun e një realiteti që shpesh e tejkalon.
KOHA JONË SONDAZH

