Dëshmia e Reiz Çiços për Kadarenë: Dalja e tij me Helenën në ‘demonstratën e heshtur’ të janarit 1989-ës, na dha shpresë

I ftuar në emisionin Memorie në Tv Scan të dy gazetarëve të njohur, Dashnor Kaloçi dhe Artjan Tepelena, moderatori dhe gazetari i njohur, i Tv Klan, Reiz Çico, ka rrëfyer një histori të panjohur nga jeta e tij, atë të arrestimit të tij në 28 janarin e vitit 1990, kur në Tiranë u tentua të organizohej një demonstratë e heshtur kundër regjimit komunist në Sheshin “Skënderbej”, ku Sigurimi i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendëshme të asaj kohe, arrestoi pjesën më të madhe të organizatorëve të saj. Në fillim të emisionit, gazetari dhe moderatori i njohur, Reiz Çiço, tregoi një histori të shkurtër të jetës së tij, ku pasi nuk i’u dha e drejta e shkollës së lartë, pasi refuzoi të shkonte në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha”, ai kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe pasi u lirua nga ushtria, me ndihmen e gjeneral-major, Mendu Backa, (asokohe Drejtor i Drejtorisë së Xhenjoës dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore), ai mundi që të fitonte të drejtën për të ndjekur shkollën e lartë në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua me rezultate të larta.

Më pas, me ndihmën e mikut të babajt të tij, Todi Bozo, nëndrejtorit të Kinostudios “Shqiperia e Re”, Çiço arriti që të punësohej në atë institucion, ku fillimisht punoi si asistent operator dhe pas një kursi specializimi, fitoi të drejtën që të punonte si operator dhe regjizor në Kinostudio. Aty nga viti 1989, Çiço tregoi se në bashkëpunim me mikun e kolegun e tij, regjizorin Xhovalin Hajati, vendosën të realizonin një film-dokumentar, ku do paraqisnin gjëndjen e mjeruar ekonomike ku ndodhej Tirana e asaj kohe. Pasi morrën miratimin për realizimin e dokumentarit nga shefat perkatës të Kinostudios, ata filluan nga puna, duke xhiruar kudo nëpër Tiranë, ku mjerimi ishte ulur këmbëkryq. Kështu ata arritën të xhironin lypsat në qëndër të kryeqytetit para Hotel “Tirana” që u kërkonin lëmoshë atyre pak klientëve të huaj dhe vendas që hynin e dilnin aty, rradhat e gjata të njerëzve me bidona vajguri dhe me shishet e qumshtit në orët e para të mëngjezit, dyqanet e bukës, bulmetoret dhe ushqimoret me raftet bosh, ku njerzit shtyheshin për të blerë racionin me tollon, dhoma spitali me të sëmurë që shtriheshin në susta krevati pa dyshekë, ku guzhina dhe lavanteria e tij dukeshin si vënd hedhje mbeturinash, shkolla me dritaret pa xhama e suva të rëna, hallexhinj të komunitetit rom që si hamej prisin para dyqaneve të ngarkonin ndonje mobilje në karrocat me kuaj, autobuzë prodhim Shkodra që gati batoheshin nga pesha e udhëtarëve, kamionë transporti materialesh ndërtimi në rrugët kryesore të kryeqytetit me karroceritë e tyre të mbushura me njerëz, etj., etj.

Dhe në kontrast me atë panoramë të mjerueshme deri në dhimbje, ku ishte katandisur Shqipëria Socialiste e asaj kohe dhe kryeqyteti shqiptar gjithashtu, Çiço me kameran e tij, regjistroj shtëpinë madhështore të Enver Hoxhës e vilat e tjera të Bllokut të udhëheqes së lartë komuniste të asaj kohe. Për realizimin e atij dokumentari ku nuk kishte shumë nevojë për tekst, pasi pamjet flisnin vetë, Çiço tregoi se së bashku me kolegët e tij të grupit të xhirimit, si Hektor Pustina, Kujtim Beqiri etj., u përball dhe me vështirësi të mëdha, pasi Kinostudio e asaj kohe nuk kishte më fonde dhe mundësi teknike për përfundimin e atij dokumentari. Po kështu krahas problemeve të atij institucioni që po shkonte drejt shpërberjes ashtu si gjithçka tjetër në Shqipërinë e asaj kohe që po shkonte në agoni, Çico tregoi se ai dhe kolegët e tij të grupit të xhirimit, u perballën edhe me zemërimin e disa fanatikëve apo njerzëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët nuk i lejuan të filmonin në orët e para të mëngjezit në rradhat e qumshtit, madje duke i kërcënuar me dhunë fizike dhe duke i’u thyer edhe ndriçuesit.

I pyetur nga dy gazetarët e emsionit, Çiço tregoi se në atë kohë, një pjesë e stafit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, (ku spikasnin Spartak Papadhimitri, Ilir Demalia, Hektor Pustina, Kujtim Beqiraj, etj.) ishte kthyer në një ‘celulë’, e cila nga kontestuese, tashmë po kalonte në kritikuese e hapur dhe disidente me regjimin në fuqi, duke grisur publikisht gazetën “Zeri Popullit”. Po kështu në janarin e vitit 1990, Çiço tregoi se ai dhe kolegët e tij të atij grupi kineastësh, filluan të merreshin me organizimin e ‘demostratës së heshtur’, që u vendos të bëhej me datën 28 janar në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Por ata ishin ndjekur nga Sigurimi i Shtetit dhe një ditë më parë, më datën 27 janar, Sigurimi i Shtetit arrestoi Kujtim Beqirin dhe më pas edhe vetë Reiz Çiçon në shtëpinë e tij, në Rrugën e “Kavajës”. Çiço kujtoi i përlotur momentin e arrestimit të tij nga Sigurimi i Shtetit, duke treguar se nënës së tij i ra rë fikët dhe u shemb në tokë pa ndjenja, kur pa djalin e vetëm që i’a rrëmbyen me forcë, njerëz të panjohur, që nga veshjet kuptoheshin se ishin të policisë sekrete (Sigurimi i Shtetit), të regjimit komunist.

Çiço tregoi se atë e mbajtën 17 orë në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës, duke e marrë në pyetje oficerë të Sigurimit dhe hetues të ndryshëm, të cilët i bënin presione psikollogjike me forma nga më të ndryeshme, duke i thënë të tregonte se kush ishin organizatorët e asaj demonstrate që pritej të bëhej në Sheshin “Skënderbej”. Çiço u shpreh gjatë emisionit, duke thënë se ai nuk pranoi asgjë nga ato që akuzohej, edhe pse ata që e pyesnin ishin në dijeni të plotë dhe kishin informacione të sakta deri në detaje, për gjithçka ndodhte në Kinostudio, siç ishte grisja publike e gazetës “Zëri i Popullit” në sheshin kryesor para zyrave të Kinostudios. Çiço tregoj se ai nuk pranoi asgjë, madje duke hyrë në rol dhe bërë të paditurin, (duke u thënë hetuesëve; “Ju nuk më armiqësoni dot me ketë pushtet, që babai im ka luftuar si partizan në Brigadën e VI Sulmuse”), aq sa ata shikonin njeri tjetrin në sy, se mos vertet e kishin arrestuar kot.

Pasi Cico kërkoi ballafaqim me ata që “e kisin akuzuar kot” dhe njeriu që sollën në qelinë e tij tha se nuk e njihte fare atë, ata e liruan nga qelia, duke i thënë që të shkonte në shtëpi dhe duke e kercënuar se: ‘për gjithçka kishte ndodhur, të mos fliste me njeri, se ndryshe do ta arrestonin prapë dhe nuk do ta lëshonin më’. Çiço tregoi se, pasi u lirua, ai shkoi në Sheshin “Skënderbej”, ku pritej të dilnin njerzit për demonstratën e heshtur, ku gjithashtu forcat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, me trupat speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Sigurimi i Shtetit, kishin marrë masat për t’a parandaluar atë gjë. Por edhe pse në atë situatë, Çiço tregoi se atë ditë, sheshi ishte mbushur plot me njerëz dhe dalja aty e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare me bashkëshorten, Helenën, ishte një ngjarje e madhe, që atyre i’u dha shpresë, pasi tregonte se tashmë ishte vrarë frika.

Në ato momente që gazetari dhe moderator i njohur, Reiz Çiço tregonte për demonstratën e heshtur dhe Kadarenë, drejtuesi i emisonit, Dashnor Kaloçi, nxorri një dokument arkivor, duke e treguar para kamerave, ku ishte një letër e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, (që mbante datën 6 maj të vitit 1990), e cila i drejtohej Ramiz Alisë, ku Kadare denonconte pikërisht dhunën fizike dhe psikollogjike që ishte ushtruar ndaj punonjësve të Kinostudios “Shqipëria e Re”, duke përmëndur emrat e Reiz Çiços, Hektor Pustinës dhe Kujtim Beqirit. Pas tyre, Kadare denonconte disa raste të tjera, siç ishte dhuna ndaj piktorit nga qyteti i Kavajës, Fatmir Musai, që ishte arrestuar dhe keqtrajtuar, duke i bërë presion për veprimet e vëllait të tij. Po kështu, gazetari Kaloçi në studion e emisionit Memorie, lexoi disa paragrafe të asaj letre, ku shkrimtari i njohur Ismail Kadare, denonconte te Ramiz Alia dhunën dhe veprimet arbitrare që ushtronin ndaj qytetarëve të thjeshtë e të pafajshëm, disa nga kuadrot kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, Sigurimit të Shtetit, Prokurorisë dhe Hetuesisë, si: Zylyftar Ramizi (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendëshme), Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Dilaver Bengasi ish-Kryehetues i Tiranës dhe Drejtor i Policisë, Sokol Koleka, hetues në Hetuesinë e Tiranës etj. Po ashtu, drejtuesi i emisionit Kaloçi, tregoi para kamerave edhe disa paragrafe ku shkrimtari Ismail Kadare, denonconte edhe disa prej anëtarëve të Byrosë Politike, si Spiro Koleka, që ishte në një komision parlamentar, ku kontrollonte punën e hetuesisë ku ishte shef i biri i tij, Sokol Koleka, etj.

Pas kësaj, gazetari dhe moderatori i njohur Reiz Çiço, tha se ishte në dijeni të asaj letre që gazetari Kaloçi po e publikonte për herë të parë në një emsionin televiziv dhe u shpreh se: “Ajo letër që shkrimtari i njohur Ismail Kadare i’a drejtonte Ramiz Alisë, përveç daljes në ‘demonstratën e heshtur’, ishte një akt tjetër madhor i tij, ashtu si dhe vepra e tij letrare ndër vite, që pritej me padurim nga rinia e inteligjienca shqiptare, duke qenë një inspirim për ata dhe duke i’u dhënë shpresë për ndryshimet politike në Shqipëri.

Në fund të emsionit, Çiço tregoi se pothuaj e gjithë puna për realizimin e atij dokumentari, u bë privatisht nga grupi realizues, ai u detyrua ta mbaronte i vetëm, pasi kolegu i tij, Xhovalin Hajati, në korrikun e vitit 1890 u largua familjarisht nga Shqipëria me ambasadat dhe ato pamje të fiksuara me kamerën e tij, janë një dëshmi e gjallë edhe për brezat që do vijnë, që tregojnë mësëmiri se ku e çoi Shqipërinë vija politike e Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alisë. Po kështu, Çiço tregoi se disa pasazhe nga dokumentari i tij janë shfaqur dhe bërë objekt në emsione të ndryshme në televizione të huaja, si RAI, etj. (Tv Scan)

SHKARKO APP