Dhjetë ditë me aktivitete për Republikën Italiane

Për të kremtuar referendumin institucional të 2 qershorit 1946, në të cilin qytetarët italianë – dhe për herë të parë edhe gratë – votuan për të zgjedhur formën institucionale të shtetit, duke sanksionuar kështu lindjen e Republikës Italiane, Ambasada Italiane organizon një sërë aktivitetesh kulturore në të gjithë Vendin.

“Këtë vit vendosëm të zgjerojmë festimet për Ditën e Republikës duke u përqëndruar te bashkëpunimi dypalësh, formimi dhe mbi të gjitha te kultura si mjeti më i mirë i njohjes mes qytetarëve dhe institucioneve të dy vendeve tona”, thotë ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo.

Aktivitetet do të fillojnë më 26 maj me Mural Fest 2018, një aktivitet i Bashkisë së Tiranës, i cili në këtë edicion të parë shënon pjesëmarrjen e gjashtë artistëve italianë nga laboratori 176B i Lecce-s, të cilët do të pikturojnë muret e kryeqytetit shqiptar, duke përfshirë edhe Rezidencën Italiane.

Më 29 maj, do të hapet Made Together, aktivitet ku do të paraqiten bashkëpunimi dhe historia e madhe të miqësisë, punës dhe zhvillimit midis dy Vendeve tona, me një vëmendje të veçantë në procesin e afrimit të Shqipërisë me Europën.

Më 1 qershor do të mbahen dy aktivitete me fituesin e Festivalit të Sanremos 2018, Ermal Meta, i cili në mëngjes do të takojë disa të rinj italianë dhe shqiptarë në Qendrën për Hapjen dhe Dialogun (COD) për të treguar historinë e tij, ndërsa në mbrëmje – edhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës – do të mbajë një koncert pa pagesë në Sheshin Skënderbej.

Viti 2018 është gjithashtu Viti Rossinian dhe për të kremtuar 150 vjetorin e vdekjes së kompozitorit të madh nga Pesaro, Kuinteti i Orkestrës Simfonike G. Rossini do të luajë në Tiranë dhe Vlorë disa nga ariet më të famshme nga “Berberi i Siviljes”, “Hirushja” dhe “Italianja në Algjeri”.

Së fundmi, për të thelluar një fazë ende pjesërisht të panjohur të marrëdhënieve dypalëshe, do të mbahet më 5 qershor edicioni i dytë i konferencës “Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë”, ku do të paraqiten rezultatet e projektit kërkimor historik të promovuar nga Ambasada Italiane në Tiranë dhe të kryer nga një grup studiuesish italianë e shqiptarë.

KALENDARI I AKTIVITETEVE

 

SHKARKO APP