Dhuroni një buzëqeshje në nderim të Shën Terezës
Nga Gentiana Nishica (Malaj)
5 Shtatori nuk është një ditë si të tjerat. Është dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Jo më kot mitologjia antike greke mahnitëse, tronditëse e njëherësh madhështore, e quajtur me të drejtë shtrati ku lindën kryeveprat letrare të njerëzimit “Iliada” dhe “Odiseja”, krijoi Perënditë e Olimpit. Zeusi, Afërdita, Minerva, Athinaja e Poseidoni ishin të adhuruar në tempuj madhështorë, sepse ishin së pari simbol i pavdekësisë. Vdekja ky simbol i të zezës, tmerrit e disfatës njerëzore e ka shoqëruar racën njerëzore qysh në agimet e qytetërimit. Raca njerëzore kërcënohej kësisoj nga një armik i frikshëm paralizues e asgjësues njëherësh: vdekja na përgjonte në çdo skutë, ajo rrezikonte jo vetëm përditshmërinë, përvojën e trashëgiminë njerëzore, por edhe vetë ekzistencën e njeriut, qenies së vet më inteligjente e humane të projektuar nga Krijuesi i Gjithësisë. Njeriut primitiv e mëkatar i zbritën nga qielli Librat e Shenjtë: Teurati, Ungjilli, Kur’ani e Zeburi. Stërgjyshërit tanë (besimtarët e vërtetë) zbuluan se kishte një Zot të vetëm; quajeni Perëndi, Allah a si të doni sipas besimeve, gjuhëve, racave e kombeve.
Ai është Zoti ynë, Krijuesi i Qiellit e i Tokës, babai i Abrahamit (Ibrahimit) dhe i Evës (Havasë) që na flet nëpërmes Librave të Shenjtë e të dërguarve të Tij, profetëve. Zoti është dashuri, na mësojnë Librat e Shenjtë. Dashuria për botën, familjen, shokët e miqtë tanë nuk mjafton për të na bërë qenie humane e bij të denjë të Krijuesit të botës. Ne erdhëm në këtë planet, pasi Adami (Ademi) dhe Eva (Havaja), babai e nëna e njerëzimit ishin banorë të parajsës tokësore, Kopshtit të Edenit. Zoti u dha atyre “çelësat” e parajsës, të pavdekësisë e sundimit të botës. Babai e nëna e njerëzimit e tradhtuan Krijuesin e Gjithësisë, mëkati e vdekja u bënë të plotfuqishme. Perëndia i Plotfuqishëm nuk e braktisi njeriun, krijesën e Tij. E zgjodhi Abrahamin ndërmjetës mes Tij e njerëzve, Moisiut (Musait) i dha dhjetë Urdhëresat ose siç njihet Dekalogu i popujve. E dërgoi më vonë Jezu Krishtin (Isain), e sakrifikoi për njerëzimin dhe e ngjalli pas tri ditësh për lavdi të emrit të Tij. Gjashtë shekuj më pas i dhuroi njerëzimit Profetin Muhamed (a.s.) dhe i zbriti nga qielli Librin e fundit Hyjnor, Kur’anin e Madhërueshëm. Zoti i ka bërë dhuratë njerëzimit shenjtorët, dishepujt dhe përhapësit e fjalës së Tij, burra e gra, sepse Krijuesi i Tokës e i Qiellit nuk bën dallime mes sekseve, racave, ngjyrave e kombeve. Librat e Shenjtë e thonë shkurt e qartë: “Ne jemi të gjithë krijesa të Perëndisë, të barabartë përpara Tij dhe lindëm të lirë e me të drejta hyjnore, të cilat janë të patjetërsueshme, të panegociueshme e të padhunueshme. Në botën tonë moderne, industriale apo të konsumit, quajeni si të doni, ka shumë dhunë, diskriminim, padrejtësi e shpërfillje ndaj njeriut e sidomos të atyre që janë të braktisur, pa përkrahje dhe radhiten si më të varfrit ndër të varfrit.
Shën Tereza jonë është një dhuratë e Zotit për Shqipërinë e botën mbarë ose e thënë më qartë një Emblemë apo Testament i parimeve të besimit të sinqertë e të vendosur, i humanizmit, solidaritetit e dashurisë njerëzore. Shenjtërimi i Saj është një certifikatë qiellore, për shqiptarët një medalje e merituar në kalvarin e maratonën e gjatë të një kombi nga prehistoria e deri në shekullin e XX-të.
Pata fatin qiellor të takoj para 25 vjetësh Shën Terezën në një nga misionet e saj humanitare në atdheun e Saj. Isha një vajzë e vogël e adoleshente dhe më bëri përshtypje portreti i Saj. Një grua e vockël, e kërrusur e me fytyrë të rrudhosur, ajo kishte njëherësh sy engjëllorë dhe shkreptitës, që depërtonin tej horizonteve.
Ecte me një hap të lehtë e të kujdesshëm për të mos e lënduar tokën e Saj të lashtë, të dashur e martire. Nënë Tereza, Nobelistja e Paqes dhe njëherësh gruaja më e madhe e shekullit të XX-të e ndoshta e të gjitha kohërave, përfaqësonte më së miri vuajtjet, brengat e humanizmin e tokës së shqiponjave. Trupvogël dhe e kërrusur ashtu si atdheu e brengat e tij të mëdha të viteve ’90, Nënë Tereza kishte njëherësh një besim të patundur se atdheu i Saj i vogël çuditërisht i vetmi shtet ateist në botë, ku ndalohej me ligj e kushtetutë besimi, do të hapte më në fund shpirtin ndaj Zotit. Para se të vizitonte për herë të parë Shqipërinë ku preheshin më të dashurat e Saj, nënë Dranja e motër Agia, Ajo pati kurajën t’i drejtohej vetë Jezu Krishtit me besim të patundur e guxim mbinjerëzor: “Eja, ji drita Ime!”. Nënë Tereza lindi në një familje të pasur, të arsimuar e patriote. Asaj s’i mungonte asgjë për të qenë e lumtur në familjen e Saj, por e “braktisi” atë për t’i dhënë lumturi, shpresë e kurajë miliona njerëzve në mbarë botën.
Ajo e themeloi Mbretërinë e Saj në Kalkutën e largët, kryeqytetin e të varfërve “për të pushtuar” me motrat e saj, misionare të bamirësisë të pestë kontinentet. Nuk qenka e thënë të bëhesh nënë për të ndjerë në çdo qelizë dhimbjen dhe brengat e botës, për të ushqyer mijëra fëmijë të braktisur e për t’u dhënë dashuri, përkujdesje vetëmohuese. Ka miliona prindër të përkushtuar që u japin kaq shumë dashuri dhe përkujdesje atyre që i sollën në jetë, por sa pak ka njohur bota burra apo gra shenjtorë të cilët kane luftuar me vetëmohim për të shëruar plagët e një bote. Çfarë do të ishte bota, morali e humanizmi i saj pa Franceskun e Azisit, San Antonin apo Padre Pion?! Po Shqipëria pa shenjtorët e krishterë, pa Dede Ahmetin, Babë Sufën apo Dede Reshatin e shumë të tjerë?!
Nënë Tereza dhe Motrat e Saj misionare e bënë përkujdesjen ndaj të varfërve dhe të braktisurve, kauzë të jetës së tyre dhe e shndërruan humanizmin e solidaritetin njerëzor në institucionin më të rëndësishëm humanitar e moral që ka njohur njerëzimi.
Përkundër nderimit e mirënjohjes, dekoratave më të larta e urdhrave me të cilët e nderoi mbarë bota, Nënë Tereza manifestoi deri në frymën e fundit përvujtërinë e modestinë, virtytet më të shquara të krishterimit dhe atdheut të saj martir. Ajo nuk dinte as të mburrej e as të mallkonte, vese këto që shfaqen shpesh e rëndom në shoqërinë tonë. “Jam një laps në duart e Zotit,” shprehej Shenjtorja jonë e diku më tej në postulatet e famshme të besimit e filozofisë së Saj brilante shprehej: “Është më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën.”
5 Shtatori është pasaporta qiellore e kombit shqiptar. E ka firmosur vetë Ati i Shenjtë me shenjtërimin e Nënë Terezës. Jemi në Jubileun e Heroit Kombëtar e nëse Gjergj Kastrioti është alfa e përjetshme e historisë së kombit, Shën Tereza është omega e saj.
E bekuara Shën Tereza është tashmë një avokate e popullit të Saj te Zoti.