Dielli që na e ngroh VATRËN
Shkrimi është Fitues i Çmimit të Parë në Konkursin Letrar për nder të 110-vjetorit të fillimit të botimit të Gazetës “DIELLI” – Boston – New York – 1909 – 2019
Nga Mal Berisha*
(Variacione mbi një temë Noliane)
Etyd 1 – Aeroporti “Ataturk” Stamboll, 1997
Atë ditë marsi të vitit 1997, po përcillja djalin në aeroportin “Atatürk” të Stambollit. Për një çast m’u duk se do më shkulej zemra prej gjoksit. Ishte vetëm 17 vjeç dhe do të merrte rrugën e kurbetit. Ajo plagë e rëndë, e cila e kishte ndjekur familjen tonë që prej gati pesë dekadash, po përsëritej me tim bir. Do të shkonte në Amerikë e do të përplasej me jetën ballë për ballë. I ri dhe i vetëm. Krejt i vetëm.
Njëmijë pyetje më godisnin tëmthat; Si do të arrinte?! Si do të stabilizohej, si do të jetonte, si do të shkollohej, si do të integrohej në jetën e përditshme…si e si e si…?
Por, për mua, pesha më e rëndë që duhej të mbart’te do të ishin virtytet, ruajtja e tyre në atë botë të ndryshme prej asaj që po linte pas, ruajtja e identitetit dhe “besës” që i kishim dhënë njëri tjetrit. Do të ishte i vetëm, në një botë aq të madhe, kozmopolite e me aq shumë mundësira për të përparuar aq sa edhe për të gabuar! Sa vështirë do ta kishte të zgjidhte udhën e drejtë, atë të duhurën, në kaosin dhe pafundësinë e alternativave?
Përpara se im bir të dilte nga shtëpia i kisha dhënë një copë letër të shkruar bukur me disa këshilla, postulate, të cilat më kishin udhëhequr shpesh herë në jetën time, që kur rashë në kontakt me shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, Uilliam Shekspirin. Në atë letër gjëndeshin këshillat që Polloni i jep të birit Laertit, kur e nis për studime në Francë, tek tragjedia Hamleti. I thashë të “shkruante në mëndje” ato që Noli i kishte përkthyer aq magjishëm në shqip:
Shkruaj në mëndje këto që po të këshilloj
Në kokë ç’ke, mbi gjuhë mos e nxirr,
Mos shfaq me vepër një mendim pa vend!
Ji familjar, po jo vulgar aspak.
Mikun, që ia provove dashurinë,
E lidh në shpirt me rrathë prej çeliku;
Po mos lodh dorën duke përkëdhelur
Çdo shok të ri, çdo zog pa pendë.
Dhe ashtu si babai të birin e këshillova për paranë, për besën, miqtë, virtytet dhe veset njerëzore. Ia lëshova letrën në dorë. I fola butësisht me dashurinë e prindit dhe përkujdesjen e mësuesit, zgjuarsinë e Shekspirit, zërin e Pollonit dhe në shqipen e Nolit, iu luta:
“Mbaji këto këshilla me vete! Lexoji, shikoji, kujtomë dhe medito! Mirë është t’i ngjisësh në murin e dhomës, aty ku do të flesh. Mbaji ndër sy, por jo vetëm; lexoji sa më shpesh dhe përpiqu t’i mbash Besën vetes! Ke shumë peshë për të mbajtur mbi supe atje në Amerikën e Madhe. Do ta ndjesh sapo të jesh atje!”
U ndava me të, por nuk ia hiqja dot sytë. Në mjegull lotësh e ndiqja nga xhamat e këtej kufirit të aeroportit, teksa u ul në një stol dhe e hapi atë letër. Pastaj më humbi nga sytë, ndërsa vazhdoja ta kërkoja në morinë e njerëzve që largoheshin. Kisha shumë besim se do të shiheshim shpejt. Ai ishte i ri dhe historinë e njihte nga leximet, aq sa i lejonte mosha, por asnjëherë nuk peshon ajo dije që nuk është e skalitur mirë në zemër…
Etyd 2 – Ibrik Tepe – Turqi, 1996
…Bashkë me Dr. Xhon Freelyn, një profesor i njohur i Universitetit “Bogazigi” në Stamboll dhe Emin Sahatçiun, botues i revistës “Cornocupia”, u nisëm nga Stambolli për në fshatin Ibrik Tepe, vendi ku ka lindur Fan Noli ynë. Arritëm pas tre orësh. Ai ishte një fshat me pluhur, me fare pak asfalt, vetëm në qendër. Dikur fshati ishte quajtur Qyteza dhe ishte i populluar prej shqiptarësh ortodoksë të vendosur aty nga Jugu i Shqipërisë, pas një ç’popullimi që kishte ndodhur me vendasit që jetonin në Perandornë Osmane. Tani ishte thjesht një fshat tipik turk. Në fakt nuk kishte ndonjë gjë të veçantë mbresëlënëse. Pyetëm ca fshatarë që gjetëm aty, nëse dinin ndonjë gjë për shqiptarët dhe jetën e tyre. Asnjëri nuk dha ndonjë përgjigje të saktë. Ata ishin myslimanë të zhvendosur kohë pas kohe nga Bullgaria dhe të vendosur aty, ndoshta gjatë luftërave të fundit. Vazhduam të ecnim nëpër fshat, deri sa dikush na ftoi të vizitonim disa shtëpi, të cilat kishin dyer shumë të vjetra me dekorime të veçanta. Na lanë të vizitonim tri ose katër prej tyre. Secila i kishte dyert e brendshme me disa ngjyrime që nuk kishin asnjë ngjashmëri me ornamentet myslimane. Ato nuk kishin ikona të pikturuara, por pllakat e brendshme të kornizave të dyerve ishin të mbuluara me vizatime shumëngjyrëshe që të kujtonin jetën e banorëve të mëparshëm jo-myslimanë. Dr. Freely, Emin Sahatçiu dhe unë padyshim, filluam të bënim fotografi. Pastaj u ulëm në një kafe fshati dhe u përfshimë në një diskutim plot pasion, se si duhet të kishte qenë jeta në atë vend për shqiptarët e asaj kohe, të cilët kishin lënë vendin e tyre. Ishin kohërat e perandorisë, kur jeta për ta kishte qenë aq e vështirë. Më pas shkuam te Bashkia e Ibrik Tepesë dhe takuam kryebashkiakun. Ai ishte një burrë i thjeshtë, por jo me aq dijeni rreth historisë. I shpjeguam qëllimin e vizitës sonë. I treguam për një bir të atij fshati, një prift, një poet, muzikant, studiues, shkrimtar dhe përkthyes. Duket se asnjë nga këto nuk i bëri ndonjë përshtypje, deri sa i përmendëm se ai ka qenë edhe politikan dhe madje edhe Kryeministër i Shqipërisë për një farë kohe, në vitin 1924. Ky fakt i preku atij nervin e politikanit të vogël provincial. Ndoshta mendoi se një kryeministër nga fshati i tij mund t’i jepte edhe atij ndonjë shenjë trashëgimie për të bërë karrierë në nivele më të larta politike përtej kasabasë së tij. Menjëherë kërceu dhe gufoi: “Allah Allah! Prej këtij fshati paska dalë një Kryeministër?!”
Më pas diskutuam për mundësinë e vendosjes së një busti të Nolit në fshatin e vogël. Kryebashkiaku ishte dakord me këtë ide, por nuk e dinte se si mund të financohej një projekt i tillë. U ktheva në Stamboll dhe e raportova këtë çështje tek qeveria shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe u largova nga Turqia para se të mund të merresha me vendosjen e ndonjë monumenti të Fan Nolit. Nuk bëra dot asgjë në atë kohë, por fara e një nisme të tillë tashmë ishte mbjellë. Vitet kaluan dhe dëshira e fortë e asaj dite, u bë realitet. Busti, vepër e skulptorit Andrea Demçe, u vendos nga autoritetet shqiptare dhe diplomatët tanë në Turqi për nder të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe 130-vjetorit të lindjes së vetë Fan Nolit. Ky bust qëndron krenar në atë qytezë, siç jemi ne krenarë për veprën që Noli na ka lënë trashëgimi deri më sot.
Vite më vonë, këtë histori të thjeshtë pata nderin ta tregoja përpara grigjës së Kishës së Shën Gjergjit, e themeluar nga Fan Noli në Boston, përkrah At Arthur Liolinit. “Ishin” Noli, Dielli dhe Vatra që gjëndeshin aty atë ditë. Unë i shihja ato në portretin madhështor të At Arthurit dhe fytyrat e gëzuara të shqiptaro – amerikanëve që mbushnin kishën deri tek altari.
Etyd 3 – Notes on Albania – Londër, 2014
…Noli dhe Vatra më ndoqën në shumë udhëtime të jetës. Ashtu sikundër ato na dhanë neve aq shumë, mundohesha t’ua ktheja me çdo formë. Ndër to spikaste “mburrja” për kulturën tonë kombëtare. Çelësi për të hapur dyert e njohjes së të huajve me ne shqiptarët ishte gjetur tek “Notes on Albania” të cilën e organizuam disa herë në Londër. Midis shumë artistëve shqipëtarë, shqiptaro britanikë dhe britanikë, spikati edhe shkrimtari anglez, përkthyes i disa veprave nga gjuha shqipe në anglisht, Robert Uillton. Ai u ngjit në skenën e teatrit King’s Place dhe recitoi në gjuhën angleze përkthimin e vjershave shqipe nga De Rada, “Çfarë është më e ëmbël se një puthje”, elegjinë “Vajtimi i Ajkunës” nga Eposi i Kreshnikëve, poemën “Kristal” nga Ismail Kadare dhe këngën “Moj e bukura More!” Salla, plot me anglezë, shpërthente në duartrokitje pas çdo interpretimi të tij. I inkurajuar nga suksesi ai bëri një deklaratë, e cila na bëri shumë krenarë. Ai, pak a shumë tha:
“Nëse ne anglezët do të kishim patur fatin e lumtur që të kishim të përkthyer letërsinë shqipe aq bukur, sa ç’ështe e përkthyer letërsia jonë angleze në shqip, e veçanërisht Shekspiri nga i madhi Fan Noli, atëherë do të kishim kuptuar se shqiptarët kanë një letërsi të madhe dhe shumë të bukur që në shumë raste shkon paralel me letërsinë tone angleze.”
Ishte një vlerësim i madh për letërsinë shqipe. Aq më tepër që ai e zotëron mjaft mirë gjuhën tonë.
…Në rininë tonë Shekspiri dhe Fan Noli ishin sinonim i njëri -tjetrit. Ndërsa i pari për ne ishte i njohur për veprat e tij të shkruara, i dyti shquhej për përkthimet e tij të mrekullueshme. Thuhet se Shekspiri “fliste” në shqip, po aq mirë sa në gjuhën e vet. Përkthimi i Nolit, ku në shumë raste ka futur elemente që nuk gjënden në anglisht, e bëjnë Shekspirin të tingëllojë po aq bukur edhe në shqip. Ai i ka qëndisur me mjeshtëri veprat e Shekspirit, sa shpesh duket sikur vetë origjinali është në shqip. Për shembull, përkthimi i Hamletit nga Noli në disa pjesë mbart një identitet krejt shqiptar:
”Oh le të qajë i plagosur dreri
E le të lozë e pangarë dhia
Se njëri fle e tjetrin e zë vreri
Kështu na qenka bota njerëzia”
Eshtë një përkthim aq virtuoz, sa i bëri shqiptarët, si rrallë ndonjë komb tjetër, të dashuroheshin me Shekspirin.
Etyd 4 – Me vatranët në New York, 2012
…Dashurine për simbiozën Shekspir – Fan Noli, ia kisha shprehur mikut tim, historianit, studjuesit dhe njërit prej koleksionistëve më të shquar të librit shqip për shqiptarët jashtë atdheut, z. Idriz Lama, ish gazetar i Zërit të Amerikës. Ishim në New York. Një ditë të bukur, kur Vatra e Nolit më dha një shpërblim shumë të madh, duke më njohur si ‘Antar Nderi i Vatrës’, z Lamaj më dhuroi një koleksion veprash të Shekspirit, “Jul Qezarin”, ”Hamletin’‘, ”Makbethin”, në botimin e tyre të parë në gjuhën shqipe, atë të viteve njëzet të shekullit të kaluar.
Në morinë e ecejakeve të herë pas hershme nga një vend në një tjetër, një ndër gjërat e pakta që nuk i ndaj prej vetes janë pikërisht këto vepra, një nga thesaret e mia të vogla, që mbushin raftet me libra dhe shpirtin me perla penash e mendjesh të mëdha, si ajo e Shekspirit dhe Nolit.
Etyd 5 – Stratford mbi Avon – Angli, 2015
…Gjatë vizitës në atë që njihet si shtëpia ku ka jetuar Uilliam Shekspiri në Stratford mbi Avon, u ndesha me një ngjarje shumë interesante. Njeriu i parë të cilin takova në atë museum, ishte një burrë i madh, i shëndoshë, i veshur me rroba të kohës së Shekspirit, me xhaketë të kuqe, kapele të madhe dhe killota të gjëra. Ishte i plotë, i buzëqeshur, ndërsa detyra e tij ishte të priste miqtë dhe t’u thoshte mirëserdhët në anglishten e Shekspirit. Fill pas kësaj përshëndetje, ai i pyeste vizitorët:
“Nga jeni ju zotëri?”
Kështu pasi pyeti disa vizitorë, të cilët qëlluan të ishin amerikanë, na erdhi rradha edhe neve. Iu përgjigja se ishim shqiptarë.
“Mirëdita”, ma ktheu ai në gjuhën shqipe.
“Mirësevini në këtë shtëpi!”
Mbeta i shtangur… Ai burrë aty të më fliste shqip?!
“Mirësejugjeta!” -iu përgjigja.
Pastaj ai vijoi në anglisht, ndërkohë që e kishte kuptuar shikimin tim të befasuar nga “shqipja” e tij.
“Po, ju, hmm, si ka mundësi… sa mirë që dini shqip!” – i thashë në gjuhën angleze por me një lloj krenarie të brendshme shqiptare.
“ Oh, jo jo, unë di disa fjalë”, – më tha, “por jo se mund të flas mirë shqip. Ju a jeni nga Tirana?” – më pyeti në anglisht.
E gjeta me vend t’i gjegjesha! – “Po andej jam”.
“Shumë mire!” më tha.
“A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri? – e pyeta.
“Jo”, – ma ktheu, – por kam dëshirë të shkoj. Dua të shoh Skutari, Kruxha (Kruja) dhe Elbasani.
“Sa mire”, – i thashë, “po çfarë të bën të ndjehesh kështu, i interesuar për Shqipërinë?”
“Hëm, keni të drejtë. Unë jam shekspirollog. Kjo më ka bërë që të hulumtoj se si është përkthyer Shekspiri në gjuhë të ndryshme të botës. Ju keni patur një përkthyes të famshëm, një prift ortodoks me emër Fan Noli. Falë tij, mendohet se Shekspiri tingëllon në shqip më mirë se në shumë gjuhë të tjera të botës. Këtu vijnë nganjëherë turistë shqipëtarë. Unë bisedoj me ta. Kam mësuar se Kruja është qyteti i Heroit tuaj Kombëtar, Skënderbeu, ndërsa Sheshi kryesor në Tiranë mban emrin e tij. Kaq di, por kam një dëshirë të madhe të di më shumë për të. Shekspiri ju ka përmendur edhe juve ilirëve, në Iliri”, shtoi ai.
“Oh”, – vazhdova me një pasthirrmë që nxitoi të më dilte, “kjo është shumë e vërtetë. Ai e gjeti frymëzimin në Iliri për një ndër veprat e tij më të bukura, “Nata e Dymbëdhjetë”. Lidhur me këtë vepër të Shekspirit, Kenneth Muir ka shkruar një libër analitik, me titull “Udhëtim në Iliri”. Në kapitullin e njëzet e nëntë, libri analizon pikërisht veprën në fjalë. Edhe Teatri ynë kombëtar ka luajtur dhe luan pjesë të Shekspirit. Një prej tyre, Henry i IV është interpretuar edhe në Teatrin Globus, në Londër, në vitin 2012.”
Në të ikur e pyeta për emrin. Quhej Paul Earl.
Biseda me të nuk mund të zgjaste më, por edhe unë nuk mund të isha kurrsesi më i kënaqur, se sa të flisja për një emër të dashur shqiptar, Nolin, dhe ku? Në vendlindjen e Shekspirit!
Etyd 6 – Amaneti, New York, 2019
Pas kaq vitesh e ngjarjesh, i kthehemi shpesh asaj letre-amanet, të vitit 1997 në Stamboll. Takohem shpesh me tim bir, tanimë burrë, familjar, shtetas i Amerikës dhe e kujtojmë atë ditë të mbushur me dhimbjen e ndarjes, që Amerika e ktheu në të ardhme fatlume. Në harkun e një jete, ato që kishte shkruar Shekspiri dhe përkthyer Noli:
Këtë përmbi të gjitha: mbaji besë vetes!
…ishin Këshilla që na vlejtën aq shumë, mes gjërave të tjera të vyera që i gjetëm në Amerikë.
Aty, gjetëm edhe DIELLIN që na e ngroh VATRËN.
(FUND)
Studimin e plotë të diplomatit Mal Berisha mund ta lexoni në gazetën “Koha Jonë” në linqet më poshtë.