Dita e ndërgjegjësimit për përgjegjësitë që kemi, për t’i shpërblyer ata me një të ardhme ndryshe nga e jona
Kultura E Hënë, 12 Gusht 2024 11:11
DITA BOTERORE E RINISE
Albert Vataj
Dita Ndërkombëtare e Rinisë, është dita e ndërgjegjësimit për përgjegjësitë që kemi si prindër dhe si shoqëri, për t’i shpërblyer ata me një të ardhme më të mirë se e jona.
Dhe për të përmbushur këtë qëllim të lartë të detyrës, nga gjithë zemërgjerësitë, me të cilat dashuria jonë duhet t’i ofrojë atyre është shkollimi, është përpjekja për të hedhur në shpirtin e tyre farën e bimës që na u tha në ëndërrime dhe pamundësi.
Ata janë çfarë ne jemi dhe ne duhet t’u mundësojmë atyre çfarë na u ndalua me nënshtrim dhe frikë.
Ata janë çfarë ne nuk mundëm të ishim dhe do të jenë çfarë ne e kemi të pamundur ta imagjinojmë.
Ata janë në sytë tanë drita që sheh thellë, janë në zemrat tona një rrahje e shtuar, në shpirt, dhimbja pa të cilën ne nuk mund t’i kuptojmë, rininë që humbëm, betejat që bëmë, përgjegjësitë që kemi, që ata të jenë vetja, të guxojnë edhe kur u duhet të ndeshen me mendësitë dhe kokëfortësinë tonë për të patur gjithnjë të drejtë.
Kurrsesi ata nuk janë dhe ne nuk duhet të përpiqemi të jenë çfarë ne duam, të bëjnë çfarë ne mendojmë, të binden edhe kur jemi gabim.
Ne përballjen me ta, ne, në pamundësi të jemi shokë dhe miq, të mbetemi prind, të arsyeshëm, dëgjues të vëmendshëm, bashkëpunëtor të zellshëm, tolerant dhe mirëkuptues.
Kjo nuk ka qenë e lehtë, as e prindërve tanë me ne, siç nuk mundë të jetë e jona me ta, as e tyre më trashëgimtarët, pavarësisht përplasjes së brezave që do të jetë gjithnjë në mes.
Gabimet e tyre janë fajet tona. Siç do të jenë arritjet mundi i tyre dhe fitoret tona.
Prindërimi nuk na udhëpriu gjithnjë të bënim për ta më të mirën, gjithmonë çfarë duhej dhe sa duhej. Më kohën dhe mundësitë kundër, u përpoqëm dhe sakrifikuam. Kjo ndoshta nuk mjaftoi, por shembulli ynë është çfarë atyre u duhet.
Ata kërkojnë nga ne më shumë se sa ne jemi gati të japim, por ne duhet të bindemi se ata kërkojnë çfarë është e tyre tek ne.