Dita ndërkombëtare e muzikës në Shkodër

Që nga viti 2010 Zhvillohet në Shkodër  Koncerti “VIVA LA MUSICA”  nga Shoqata “ROZAFA EXPRESSION”, duke krijuar kështu  një traditë me shumë domethënie për Festën e Muzikës me Koncertin që jepet çdo vit në diten Nderkombëtare të Muzikës, pikërisht me datë 21 qershor.

Çështë  KONCERTI “VIVA LA MUSICA?

21 qershori është Festa e Muzikës, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Muzikës.   Festa e parë e Muzikës u zhvillua në Francë me 21 qershor  të vitit 1981. Që prej herës së parë është kthyer në një fenomen nderkombëtar  dhe festohet në të njëjten ditë në më shumë se 460 qytete, në mbi 110 vende në të gjithë botën. Në Shqipëri që prej vitit 2010, festohet në qytetin e shkodrës, falë inisiativës së Shoqatës “ROZAFA EXPRESSION” dhe kryetarit të saj prof. Zef Çoba, që është dhe ideatori i ketij aktiviteti.

Edhe këtë vit koncerti festiv tradicional “VIVA LA MUSICA”, u dha në ambientin e hapur të sallës “MARIANNE GRAF” të Qëndrës së Këndimit Koral “ROZAFA EXPRESSION” në Shkodër. Ky aktivitet u realizua edhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Formacioni Koral “ROZAFA EXPRESSION”,- thotë profesor Zef Çoba, themeluesi dhe dirigjenti i këtij kori,- është struktura kryesore artistike që kjo shoqatë e ka bazuar aktivitetin e saj, prandaj repertori përmban kryesisht vepra korale të autorëve tanë dhe këngë korale nga muzika jonë popullore të punuara për kor, si dhe këngë e vepra muzikore të zgjedhura nga vende të ndryshme e autorë të shquar botërorë. I konceptuar si një feste muzikore, koncerti percjellë mesazhe të qarta në vlerësim të trashëgimisë muzikore kombëtare e botërore, si dhe dëshmon rolin pozitiv që lot arti muzikor si eksperiencë e jetës njerëzore për vëllazërimin e popujve, e në mënyrë të veçantë Këndimi Koral si mjet që forcon e konsolidon ndjenjat e solidaritetit njerëzor.

Një larmi do t’i japë koncertit pjesëmarrja e solistëve, të cilët janë formuar e edukuar në laboratorin e punës së bazuar në procesin mësimor teorik e praktik, që zhvillohet në mënyrë sistematike nga dirigjenti e kompozitori i mirënjohur prof. Zef Çoba në tre

seksione: Korin “ROZAFA EXSPRESSION”, Grupin Vokal të Fëmijëve dhe të Rinjëve “LOJA E NOTAVE MUZIKORE”, dhe seksionit të këngës popullore “NE LULISHTEN E KENGES SHKODRANE”.

Solistët Olta Juba, Miranda Gjinaj, Laorjan Ejlli, Niki Mjeda, Megi Toma, Xhorxh Buja, me koloret e pasura vokalistike të llojeve të ndryshme të zërave të sopranove, altit, tenorit e basit, sollen një gamë të pasur penelatash sonore e frekuencë të gjërë brendish e përmbajtjesh timbrike e një botë të pasur emocionale.

Me rastin e 550-vjetorit te vdekjes së heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe 50 vjetorit të vënjes në skenë të operas “SKENDERBEU”, u interpretuan: koralja “KRUJA KRUJA” nga akti i I-rë, tablloja e II-të, dhe “SKENA E PLAKUT” nga akti i II-të, tablloja e V-të.

Koncert maesterit, pianisti i mirënjohur Klevis Gjergji i cili mban titullin Dr., dhe pianistja e re Ledina Hebovija, mbajtën me sukses peshën e shoqërimit, duke krijuar ekuilibre të drejta sonore. Gjithashtu kitarristi profesionist Paskal Maka pjestar i korit, ndertoi marrdhanje e raporte të mira artistike, duke shoqëruar me instrumentin e kitarrës.

Një kontribut të çmuar për realizimin me sukses të aktivitetit, jep gjithnjë seksioni “MIQTE E MUZIKES”, që është edhe seksioni i katert e më i gjërë i shoqatës “ROZAFA EXPRESSION”.

Në koncertin “VIVA LA MUSICA”, këtë vit ishte i ftuar grupi i valleve “MAISTEPDENS”  i përgatitur nga koreografi Vladimir Ahmeti.

Në respekt e mirënjohje të kontributit që kanë dhënë mësuesit e studiuesit e nderuar Ferid Bala, Tonin Zadeja(pas vdekjes) dhe Tonin Daija(pas vdekjes), iu akordua nga shoqata “ROZAFA EXPRESSION” vlerësimi: “ZANI I KULTURES SHKODRANE”.

Duke i qëndruar pranë aktivitetit të kësaj shoqate, kam konstatuar se Kori që  drejtohet nga prof. Zef Çoba i cili është edhe kryetari i shoqatës, ka një jetë aktive artistike në shkallë lokale, kombëtare e nderkombëtare dhe bën një punë sistematike gjith vjetore.

Në vazhdim, kori “ROZAFA EXPRESSION” po përgatitet për të marrë pjesë në Festivalin e 53 Koral që do të zhvillohet në muajin shtator, në qytetin Negotin të Serbisë.

Shoqata ka në Shkoder “Qendrën e Këndimit Koral“ dhe Sallen e Aktiviteteve “Marianne Graf“, mundësuar nga Shoqata Austria  – Albania me qendër në Vienë.

Realizimi i aktivitetit të Shoqatës “ROZAFA EXPRESSION”, bëhet i mundur falë punës humane dhe të palodhur e me pasion të anëtarëve të shoqatës, kontributit të tyre si dhe kontributit të çmuar të donatorëve, sponsorve e dashamirësve të saj, mbështetja e të cilëve ka qenë dhe është një inkurajim i madh, që i shërben gjallërimit e konsolidimit të jetës kulturore e artistike në vend, si dhe dialogut ndërmjet kulturave e popujve të ndryshëm.

Përgatiti : Tonin Çobani

foto nga Koncerti “VIVA LA MUSICA”  në ditën Nderkombëtare të Muzikës (Shkodër, 21 qershor 2018

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP