“Ditari i Ana Frank”, copëza reflektive nga jeta e hebrenjve në skenë

Drama “Ditari i Ana Frank” në regjinë e Armela Demaj solli premierën në skenën e Teatrit Metropol mbrëmjen e djeshme për publikun. Kjo vepër teatrore vjen në vijim dhe të tjera shfaqjeve që janë vënë premiera këtë sezon artistik.

Shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett, regjia Armela Demaj erdhi nën interpretimin e aktorëve si Bruno Shllaku, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Ezra Vogli, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Mario Bali, Marius Dhrami, Marjana Kondi, Myzafer Zifla, Paola Xhafa, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Stivi Osmanaj, Valdano Bajram, Vanesa Guri.

Po aq i gjallë sot sa herën e parë kur është shkruar, ditari i jashtëzakonshëm i Ana Frank është bërë një zë thelbësor i mënyrës se si ne e kujtojmë një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore.

Teksti fitues i çmimit “Pulitzer”, shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett i solli publikut një copëz reflektive nga jeta e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944.

Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e 1944-ës, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në radio se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës.

I ati, pas luftës dhe zhdukjes së gjithë familjes në kampet e përqendrimit, vendosi ta botonte këtë ditar, që shumë shpejt u bë një nga dëshmitë më të forta dhe rrëqethëse të “Shoah-ut”.

Pas premierës më së djeshme , shfaqja vijon dhe në datat 16, 17, 18, 21, 22, 23, 24, 25, 30 nëntor si dhe 1, 2, 6, 7, 8, 9 dhjetor, në Teatrin Metropol.

SHKARKO APP