Ditë miqësie përballë diktaturës së pandemisë
Nga Hamdi Hysuka-
Në jetën tonë kaloi një vit i rëndë pandemie, me pasoja të shumta. Mund të ketë dhe të papritura të tjera që do të na godasin, por masat mbrojtëse dhe vaksinimi sjellin shëndoshjen e jetës. Në këtë kuadër roli i mediave dhe gazetarëve është i pazëvendësueshëm. Ndryshe nga sektorë të tjerë jetësorë, gazetarët nuk njohën karantinim. Detyrë parësore gjatë kësaj krize të shëndetit publik ata kanë informimin e saktë, të shpejtë dhe objektiv, deri në detajin më të vogël.
Tashmë gazetarët shqiptarë e kanë një ditë miqësie dhe solidariteti, 10 Shkurtin. Nëpërmjet takimeve vjetore ata mundësojnë njohjen dhe bashkëpunimin e ngushtë për të gjitha problemet, të cilat lidhen me ushtrimin e profesionit e misionit fisnik të gazetarit, si dhe me përmirësimin e profesionalizmit dhe të etikës së mediave.
10 Shkurti i bashkon gazetarët shqiptarë. Dita e tyre e miqësisë është veprimtari festive dhe mundësi trajtimi për shumë probleme mediatike.
Këtë vit, pas takimit të fundit në Luginën e Preshevës, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të eksperiencave dhe promovimit të vlerave të shumta, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë më 19, 20 e 21 shkurt 2021 “Ditën e Miqësisë së Gazetarëve” e organizoi në Gjirokastër e Sarandë, me temë “Media, Turizmi dhe Pandemia”. Morën pjesë një numër i kufizuar gazetarësh nga Elbasani, Shkodra, Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha, Mati… Jashtë dëshirës, për arsye pandemie, gazetarët nga hapësira shqiptare: Nehxhat Beluli, Rijad Demiri dhe Avalon Gashi nuk arritën të ishin pjesë e veprimtarisë. Kështu, gjatë tri ditëve Gjirokastra dhe Saranda u bënë qendra e gazetarisë shqiptare për problemet e medias në ditët e sotme. Organizues kryesor ishte gazetari Besim Dybeli, drejtues i Degës së Unionit për Qarkun e Elbasanit dhe Xhimi Vila, president i Shoqërisë “Ress Egnatia”.
Ishte mëngjes i datës 19 shkurt dhe në qendër të Tiranës dielli shkëlqente. Kur akrepat e orës shënuan 830, ditën e filluam me përshëndetjet e kolegëve. Sheshi “Nënë Tereza” na bashkoi dhe prej aty nisëm udhëtimin në linjën Tiranë-Elbasan-Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Gjirokastër-Sarandë.
Gjirokastra në jug të Shqipërisë, e vendosur në një pozicion skenografik, rrethuar nga male, pak kilometra larg kufirit grek, është një mrekulli e vërtetë arkitekturore. Legjenda tregon se emri “Gjirokastër” vjen nga princesha Argjiro, motra e drejtuesit vendas Gjin Zenebishi gjatë viteve të pushtimit osman të vendit, në shekullin XV. Sapo arritëm në qytetin e gurtë, ndeshëm në pamje piktoreske, ndërthurur me shtëpi karakteristike dhe rrugica të shumta me kalldrëm. Është nga qytetet më të lashta në Shqipëri, i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ka shumë vende historike: Pazarin e Vjetër, shtëpitë historike otomane, kishat e xhamitë e vjetra dhe kalanë e qytetit. Ky qytet jugor na tërhoqi për ta vizituar, por ndalesa e parë ishte takimi në Universitetin “Eqrem Çabej” për temën “Media, Turizmi dhe Pandemia”. Në fillim u mbajt një minutë heshtje në nderim të gazetarëve Zenepe Luka, Lekë Plani, Sokrat Papadhopulli, Preng Shota dhe Kasem Musabelliu, të cilët ndërruan jetë për shkak të pandemisë. Një tjetër homazh, por me duartrokitje, u mbajt për bardin e polifonisë shqiptare, poetin Lefter Çipa, babai i kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa. Kujtimi i tij u përcuall me duartrokitje, sepse ka kohë që ai është bërë i pavdekshëm, i mishëruar te çdo këngë iso-polifonike pilurjote e më gjerë. Pastaj organizatori kryesor i veprimtarisë, z. Besim Dybeli, theksoi në fjalën e tij se qëllimi i takimit tonë është që, krahas njohjes dhe bashkëpunimit, kësaj dite t’i japim dimensione të reja pjesëmarrjeje, diskutime dhe reagime mes profesionistëve të medias nga të gjitha hapësirat e rajonit Ballkanik, të banuara nga bashkëkombasit tanë shqiptarë. Gjithashtu u debatua për rolin dhe kontributin e veçantë që kanë mediat në dhënien e informacionit të saktë, të shpejtë e korrekt për zhvillimet që lidhen me shtrirjen e pandemisë, për rolin e mediave në rikthimin e normalitetit, veçanërisht në zhbllokimin e situatës në fushën e turizmit. Gjatë debatit gazetarja e njohur, Anila Basha, kërkoi që dhe ne gazetarët të përfshihemi në grupin prioritar të vaksinimit kundër covid-19, sepse punonjësit e medias, theksoi ajo, ndodhen çdo ditë më në kontakt me persona të infektuar apo mbartës të virusit.
Gjirokastra është qytet i vogël, por me bukuri të mëdha, që nuk shijohen të gjitha në një ditë. Gjatë qëndrimit këtu vizituam disa nga muzeumet dhe monumentet, të mbrojtura nga qeveria jonë dhe UNESCO. Nga muret e Kalasë së Argjirosë na u shpalosën pamje të luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. Ndërsa Qafa e Pazarit është ndër pikat më të frekuentuara të qytetit nga vizitorë vendas dhe të huaj. Po para se të shkonim te shtëpia muze e Kadaresë, ndalëm shikimin te shtëpia-muze e Skendulatëve, ndërtuar në vitin 1700, me 44 dyer dhe 64 dritare, 9 oxhakë dhe gjithsej 19 ambiente. Nga Qafa e Pazarit nis ngjitja drejt kështjellës së Argjirosë, e përmendur që në shekullin XIII. Në muret e saj gjen guida të shkruara në shqip dhe anglisht. Obelisku është vendi ku u çel e para shkollë shqipe në Gjirokastër. Më tej ndeshëm dhjetëra banesa karakteristike. Lugina e Drinos numëron rreth 20 vendbanime dhe fortifikime antike, tuma dhe varre monumentale, tempuj e teatro antikë.
Në një rrugë të ngushtë me kalldrëm na priti shtëpia e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Duke u frymëzuar nga romani “Kronikë në Gur” përjetuam përshkrimet e tij për qytetin e gurtë, ngjitëm Sokakun e të Marrëve dhe ndalëm për vizitë te Muzeu “Shtëpia Kadare”, ku u lind shkrimtari ynë i njohur. Shtëpia daton në vitin 1799 dhe ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”, e rikonstruktuar, me status monument kulture. Pak metra larg saj ishte shtëpia dy katëshe e diktatorit Enver Hoxha, e kthyer në muzeum etnografik. Nuk u larguam pa parë dhe shtëpinë-muze të Ficove, me pamje spektakolare mbi Gjirokastrën.
Më pas një përfaqësi e gazetarëve të pranishëm u prit në takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Golemi. Sipas tij, tema e zgjedhur “Media, Pandemia dhe Turizmi” ishte një pikë takimi dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit vendor, një mbështetje që gazetarët i japin zhvillimit të turizmit. Në vazhdim u bashkëbisedua rreth aktualitetit mediatik dhe pandemisë, mbështetjes së medias për turizmin si dhe marrëdhëniet e pushtetit të katërt me strukturat e qeverisjes vendore. Kryetari i Shoqatës Kulturore “Ress-Egnatia”, Xhimi Vila, falenderoi kryebashkiakun Flamur Golemi për kontributin dhe mbështetjen që i ka dhënë organizimit të Ditës së Miqësisë së Gazetarëve me shtrirje mbarëshqiptare.
Duhet theksuar se që nga nisja e veprimtarisë, gjatë gjithë pikave të programit dhe deri në mbyllje të saj, organizatorët u kujdesën për të respektuar protokollet dhe kufizimet e imponuara nga pandemia. Hoteli ku u sistemuam ishte banesë tipike, me restorant tradicional. Menuja përmbante ushqime të shijshme tipike të Gjirokastrës.
Të nesërmen vizituam Parkun Kombëtar të Antigonesë. Udhërrëfyes ishte z. Engjëll Serjani, ndër gazetarët kryesorë të Jugut, i cili mban titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës. Gjatë vizitës së paharruar mësuam se Parku arkeologjik i Antigonesë është i ndërtuar me urbanistikë kuadratike, me mure rrethuese të qytetit, me sipërfaqe 45 ha, ku lagjet janë si kutitë e shahut. Këtu ka gërmuar arkeologu i njohur, Dhimosten Budina, Dhimitër Çomo nga Saranda, por dhe matjani Sefer Duka. Nga akropoli i këtushëm vëzhgohej gjithë situata, që nga Tepelena deri në Kakavijë. Pyetjes se pse kaq lart, në mal, ky qytet, Engjëlli iu përgjigj:
-Ana strategjike, se një qytet në fushë pushtohej më lehtë, pastaj klima e favorshme për të jetuar dhe kodrat që shfrytëzoheshin për blegtori. Siç tha ai, mënyra e qeverisjes ishte demokracia e drejtpërdrejtë. Çdo vendim në Antigoné merrej me referendum. Pra, 2300 vjet më parë Antigonea ka patur elementë urbanë qytetërues, të cilët sot i mungojnë Shqipërisë.
Antigonea është qyteti që mbreti i Epirit, Pirro, i bëri dhuratë bashkëshortes së tij të parë, Antigonës, e bija e mbretit të Egjiptit, Ptolemeut. Sipas historianëve, qyteti u ndërtua rreth viteve 297-296 para lindjes së Krishtit. Përveç mbrojtjes së qytetit dhe sigurisë së banorëve, muret ishin tregues i rëndësishëm i fuqisë ushtarake, ekonomike dhe politike të qytetit. Perimetri i tyre arrinte rreth 4000 m, ndërsa lartësia nga 2.5 deri në 3 m. Degë të rëndësishme të ekonomisë kanë qenë tregëtia, zejtaria, bujqësia e blegtoria. Antigonea ishte qendra kryesore ekonomike, politike dhe administrative e luginës, por dhe qyteti më i madh i luginës në antikitet.
Dita e dytë e miqësisë së gazetarëve profesionistë të mediave të shkrura, vizive e sociale, filloi nga pika turistike e “Syrit të kaltër”, monument natyre, më interesanti ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë Malit të Gjerë, i cilësuar si “mrekullia e tetë”. Dhe vazhdoi në Sarandë, një nga qytetet më të bukura e më të vizituara të Shqipërisë, parajsë e vogël, qyteti bregdetar më jugor, afër kufirit me Greqinë. Jo rastësisht është qyteti elitar i turizmit në Shqipëri.
Në mjediset e restorant “Nertili”, në breg të Detit Jon, vazhdoi bashkëbisedimi “Media, Pandemia dhe Turizmi”. Gazetarët e mediave lokale sarandiote na uruan mirëseardhjen. Së bashku u ndalëm te përgjegjësitë dhe angazhimet në promovimin e vlerave tona turistike, në përmirësimin e cilësisë së shërbimit turistik dhe në paraqitjen me vërtetësi të vlerave, por dhe të problemeve që shqetësojnë turistët dhe pushuesit gjatë sezonit turistik. Gjatë diskutimeve u theksua se kriza e shkaktuar nga covid-19 ka prekur rëndë jo vetëm sektorin e turizmit, por dhe sektorë të tjerë, respektivisht hotelerinë, zanatet dhe transportin, investimet në ndërtimtari, shërbimet në sektorin publik e privat. Sipas Institutit të Statistikave, pandemia covid-19 e ka ulur numrin e turistëve të huaj në 60%. Kështu që turizmi, një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit, është në pikëpyetje. Mbyllja e kufijve për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus është goditja me efekt të madh për ekonominë e vendit.
-Duke qënë pjestarë të medias dhe individë të një komuniteti, -theksoi z. Besim Dybeli, drejtues i degës së UG për Qarkun e Elbasanit, -gazetarët duhet ta fokusojmë turizmin për të inkurajuar sfidën mbi pandeminë duke respektuar protokollin që lidhet me shëndetin e njeriut. Ai falenderoi bashkitë e Gjirokastrës dhe të Sarandës që u bënë bashkëpjesëmarrëse dhe përfshirëse në këtë takim vjetor. Drejtuesit e tyre afruan jo vetëm gatishmërinë, por vunë në dispozicion dhe një pjesë të mirë të infrastrukturës. Prezenca e tyre dhe bashkëpërfshirja në këtë takim miqësie që organizon Unioni ynë, është modeli më i shkëlqyer për të qënë të gjithë së bashku. Sepse një shoqëri që po përballet me diktaturën e pandemisë, tubimet dhe unifikimet janë gjëja më e shkëlqyer e triumfit njerëzor.
Më tej, në këtë seancë mediatike, kryetari i UGSH, z. Aleksandër Çipa, shtroi nevojën e forcimit të solidaritetit të gazetarëve për të parashtruar me kurajo gjithë problematikën e situatës së punonjësve të medias, e cila lidhet me informalitetin, pagesat e rrogave dhe sigurimeve të tyre shoqërore.
Edhe në Sarandë, kryetari i bashkisë z. Ardian Gurma priti një grup përfaqësues të gazetarëve. Krahas mirëseardhjes, kryebashkiaku falenderoi mysafirët për organizimin e Ditës së Miqësisë së Gazetarëve dhe u ndal në nevojën e bashkëpunimit me mediat lokale e qëndrore për të promovuar vlerat turistike e për të përmirësuar shërbimet jetësore ndaj komunitetit.
Gazetari i njohur Frrok Çupi në këtë takim u ndal te disa fenomene të padëshiruara në punën e mediave shqiptare, siç janë lajmet e rreme, sulmet e pabazuara në fakte, “gjobat” e gazetarëve ndaj përfaqësuesve të strukturave të qeverisjes vendore etj. Ndërsa për nevojën e forcimit të bashkëpunimit media-pushtet vendor folën drejtuesit e degëve të UGSH në Elbasan, Fier e Shkodër: gazetarët Besim Dybeli, Vladimir Muçaj dhe Gaspër Marku.
Në listën e 10 vendeve më të mira për t’u vizituar, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit të Sarandës zë vendin e parë, i vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit. Që nga viti 1992 mbrohet nga UNESCO. Teatri, tempujt, bazilika, pusi i nimfave dhe kështjella e bëjnë Butrintin nga më të frekuentuarit për vizitorë të shumtë vendas e të huaj.
Afër tij është Ksamili, skaji më jugor, me pasuri të shumta natyrore dhe arkeologjike, një nga perlat e natyrës shqiptare. Përshkruhet si një vend që ngjan me parajsën. Në Sarandë bashkia e Konispolit nuk ka qendër kulturore, as e Finiqit. E vetmja qendër arti, me moshë 21-vjeçare, që rrezaton kulturë, është Qendra e Artit “Dea” në Ksamil, e drejtuar nga kompozitori i talentuar Limoz Dizdari. Është ndër të paktët që ka lënë metropolin e Tiranës dhe ka ardhur në Ksamil për të ngritur Qendrën e Artit “Dea”, të cilën e ka kthyer në qendër kulturore me dhjetra aktivitete artistike cilësore. Në lulishten e saj ka vendosur statujën e Bethovenit, statujën e Naimit dhe të Fan Nolit.
Ishte pasioni, puna dhe kontributi financiar i tij që mundësuan kompleksin kulturor “Dea”. Këtu kompozitori i mirënjohur ka hapur një bibliotekë model me më shumë se 8500 tituj librash, sallonin e librit “Migjeni”, sallonin e veprave të artit “Abdurrahim Buzo” me mbi 150 vepra, ndërsa në mjediset e jashtme janë mbi 25 vepra skulpturore. Si çdo visitor, edhe ne u befasuam me këtë mjedis. Gazetari dhe analisti Frrok Çupi e cilësoi këtë artist të merituar panteon i shpirtit të kombit, që bën një jetë të thjeshtë në një qendër arti.
-Në dashurinë time, -tha kompozitori, -kam respekt për gazetarët, se miqësitë e mira me gazetarët janë. I dua shumë, por kam dhe frikë prej tyre. Pyetjes se “Pse nuk jeni më deputet?”, iu përgjigj:
-Pse duhet të jemë? Kam ca mangësi…
Ndërsa pyetjes tjetër, se pse këtë mjedis të bukur tuajin qeveritarët duan ta tjetërsojnë, nuk i dha përgjigje. Por heshtja e tij foli më shumë se fjalët.
Gazetari është mbrojtësi i opinionit publik dhe i shoqërisë demokratike. Prandaj dhe institucioneve shëndetësore u takon të kenë zëdhënës zyrtarë, me përgjegjësi dhe profesionalizëm për informim të saktë të gazetarëve.
Në mbyllje të veprimtarisë “Media, Pandemia dhe Turizmi” shkuam te “Manastiri i 40 Shenjtorëve”, i cili gjendet përballë kalasë së Lëkurësit. Sipas gojëdhënave, ky manastir i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës. Është një nga 103 monumentet e kulturës të rajonit Jugperendimor të vendit, që rikujton historinë e dyzet ushtarëve kristianë që nuk pranuan të hiqnin dorë nga besimi i tyre.
Gjatë kthimit në Tiranë zgjodhëm rrugën bregdetare nga Saranda deri në Vlorë, ku na mahnitën pamje magjike. Udhëtuam dhe pamë nga afër vendet më të mbrekullueshme turistike të Ksamilit, Lukovës, Borshit, Qeparoit, Porto Palermos, Himarës, Jalës, Dhërmiut, Orikumit dhe Vlorës. Mirupafshim miqësi e bukur!