“Ditënetët e Librit”

Nga Elona Agolli*

Ndihem më tepër se e nderuar të çel sot një ngjarje të tillë, si Festivalin “Ditënetët e Librit”.

E nderuar dhe e përunjur përpara të gjithë atyre që në një mënyrë a në një tjetër, ndihmësojnë ndriçimin e mendjes dhe pasurimin e shpirtit, forcimin e identitetit tonë përmes artit, ata krijues që janë mes nesh, dhe ata që sot nuk janë në jetë. Një urim të gjithëve ju po ashtu, Mirëseerdhët në këtë Festë të Librit!

Të dashur pjesëmarrës,

Ministria e Kulturës, iu gjegj Festivalit me përkrahje të menjëhershme, duke i bërë vend në fushatat mbarëkombëtare ndërgjegjësuese, ndër brezat më të ndjeshëm ndaj mbrujtjes me librin e botimet, e duke e parë sëbashku këtë domen, nga këndvështrimi i krijuesit, autorit, përkthyesit, mbartësit fillestar të vlerës.

Ministria e Arsimit, gjithashtu, përmes bashkëpunimit dhe ndarjes me ne të nismës “Unë Lexoj”, u dha fuqinë leximtarëve dhe shkrimtarëve të rinj që në bankat e shkollës, për të kultivuar pasione dhe zënie të kohës së lirë me krijimtari dhe studim: ndoshta jo të gjithë ata do të bëhen shkrimtarë kur të rriten, por sot le të marrin vëmendjen e botuesve të së ardhmes.

Risitë në mënyrat e mësimdhënies, janë ato që duke shfrytëzuar pasionin e të rinjve për teknologjinë, internetin, smartphone, krijojnë platforma të jashtëzakonshme audiovizuale të mësimdhënies dhe mësimnxënies,  fragmente të të cilave do të përjetohen përgjatë ditëve të Festivalit.

Sfondi Historik i Vitit Mbarëshqiptar të Skënderbeut, thërret “Ditënetët e Librit” që përmes nismave me “libër e penë”, të kontribuojë në promovimin dhe përçimin e trashëgimisë kulturore e të traditave, të përbashkojë diasporën dhe shqiptarët përtej kufijve në një kuvend virtual vlerash, duke kultivuar ndërgjegje e krenari për thesaret e Shqiptarëve të këtej, e përtej Drinit.

Gjatë ditëve të Festivalit, të pasionuarit do të kenë mundësi t’i prekin këto vlera Shqiptare, të shtrëngojnë duart e bashkëbisedojnë me mendjet që i kanë krijuar e trashëguar ato; teksa sonte, në këtë Ceremoni, ndihemi bujarë e zemërplot që Kosova do të mbrrijë mes vargjesh poetësh të dashur të pamoshë, dhe përmes personaliteteve që na nderojnë me praninë e tyre e që mbartin me vehte kontribute me peshë në nismat kulturore përbashkuese.

Botuesit e Tiranës dhe Prishtinës, kanë mirënjohjen tonë të çiltër, jo vetëm që i besuan kësaj sprove të parë të mëvetësishme të Klik Ekspo Group, por edhe që janë përpjekur që me seriozitet t’u ofrojnë lexuesve tituj të rinj dinjitozë në stendat e tyre të ekspozimit të mirëorganizuara.

Një falenderim për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja: ndoshta edhe falë këtij Festivali do të kuptojnë se sa krijues të zotë, sa përkthyes të patemetë, sa studiues kanë dalë e po dalin nga ky Institucion!

Falënderim e mirënjohje për studentët e Fakultetit të Arteve Pamore, të cilët ashtu siç do të keni mundësi të shihni, kapërcejnë konceptet e deritanishme të të lexuarit dhe përjetimit të veprave letrare, përmes zbërthimeve më domethënëse të ilustrimeve dhe krijime të tjera vizuale.

Falenderim i posaçëm për Bashkinë e Tiranës, që jetën kulturore të kryeqytetit e koncepton të pandashme nga libri e leximi. Faleminderit Muzeut Historik Kombëtar që do të kthehet në sfondin natyral të këndit të leximit.

Në mbyllje të kësaj përshëndetjeje, do të uroja “një navigim të mbarë në ditënetët e leximit”!

*Fjala e Znj. Elona Agolli – Drejtore e Festivalit / CEO Klik Ekspo Group, në hapjen e Festivalit Ditënetët e Librit, një event kulturor, ku për 4 dite do të organizohen 70 aktivitete kulturore të larmishme

SHKARKO APP