“Ditët e Radios”, transformimi dhe sfidat e programeve radiofonike në erën e internetit
Të mërkurën ka nisur eventi “Ditët e Radios – 2018″, një seri veprimtarish deri ditën e shtunë, 17 nëntor 2018, dedikuar 80 vjetorit të fillimit zyrtar të transmetimeve radiofonike në gjuhën shqipe, 1938 -2018.
E gjithë agjenda do të realizohet në mjediset e një ekspozite pamore në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, që jo vetëm do të kujtojnë fillimet e Radio Tiranës më 28 Nëntor 1938, por dhe do të fokusohen në dinamikën e tregut radiofonik shqiptar në 8 dekada.
Gazetarë, redaktorë, bashkëpunëtorë të redaksive, ish punonjës të këtij sektori, por dhe studentë dhe pedagogë të gazetarisë dhe komunikimit do të përfshihen në diskutime mbi sfidat dhe problematikat e redaksive të radios në erën digjitale. Do të ketë prezantime nga stacione lokale dhe kombëtare, si dhe shkëmbime të përvojave për realizimin e produktit valor dhe virtual. 4 ditë të eventit janë një tërheqje vëmendje për performancën e tregut radiofonik në Shqipëri, në kuadër dhe të festimeve të 80 vjetorit të Radio Tiranës.
Vendndodhja në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nuk është rastësore nga organizatorët, pasi pikërisht në këtë territor më 28 nëntor 1938 ndodhej ish ndërtesa e bashkisë së kryeqytetit, ku një nga zyrat e saj shërbeu për një kohë si redaksia dhe studio e parë e Radio Tiranës.
Në ceremoninë hapëse përshëndetën dhe kryetarja e komisionit parlamentar të medias, Albana Vokshi, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, shefi i departamentit të gazetarisë dhe komunikimit në UT, Mark Marku, drejtori i programeve në AMA, Arben Muka etj. Pas kësaj ceremonie hapëse të pranishmit morën pjesë dhe në forumin e diskutimit “Transformimi dhe sfidat e programeve radiofonike në erën e internetit”, ku u prezantuan performancat e disa radiove lokale në Burrel, Shkodër, Sarandë e Tiranë.