“Djalë i pashëm dhe fotozhenik”, Kumbaro rrëfehet për Xhevdet Ferrin: Ja pse e zgjodha në rolin kryesor të pilotit në “Gjurmë në kaltërsi”
“Toka më është dukur jashtëzakonisht e qelbur në ajër… Kur fluturoja lart dhe e shikoja prej andej, më krijohej ndjesia se nuk doja të zbrisja më… Ka qenë një emocion i fortë, një impakt gati shokues. Po të më lije në ajër, mund të qëndroja aty…”
Xhevdet Ferri, tri vite më parë, në një bisedë tet-atet me Ad Krastën, i përshkruan kështu emocionet e përjetuara në moshën 20-vjeçare në filmin “Gjurmë në kaltërsi”, të regjisorit Saimir Kumbaro. Ndonëse asokohe, aktori i ndarë nga jeta pak ditë më parë, kishte tërhequr vëmendjen e Kumbaros, me portretin, fizikun dhe sjelljen që kishte me kameran, duket e bërë të ishte i përzgjedhuri për rolin e pilotit të ri, pa qenë nevoja të kalonte kinoprova, duket se impakti i parë i Xhodës pas leximit të skenarit të Llazar Çuçit, s’ka qenë si pritej, raporton Panorama. Fillimisht e ka refuzuar, derisa do të thërritej në zyrat e larta, të cilat pavarësisht justifikimit se po linte studimet pas dore, do t’ia impononin rolin si “detyrë partie”. Një detyrë, që sipas rrëfimit të aktorit, do të ishte një nga eksperiencat më të bukura filmike që ai do të përjetonte në rininë e tij.
“Kur u ktheva në shkollë pas 3 muajsh, kisha përjetuar një eksperiencë fenomenale, në një komunitet të papërsëritshëm, siç ishin pilotët”, do të tregonte ai, duke përshkruar me detaje emocionet e fluturimeve me avionin luftarak MIG. “Në një kohë që ne s’kishim hipur ende në ‘airbus’, kjo ka qenë padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme”. Vështirësitë teknike, siç tregon sot regjisori Saimir Kumbaro për “Panorama”, nuk kanë munguar, por Xhevdet Ferri duket se i ka përballuar më së miri, duke shijuar në maksimum luksin e fluturimeve.
“Kishte ngarkesë psikologjike natyrisht, e shoqëruar dhe nga ajo fizike. Kishte vështirësi për të ngritur dorën kur avioni hynte nëpër figura, koka shkonte nga një cep i kupolës së xhamit në tjetrën, por kur zbrisja, isha i mërzitur që fluturimi zgjati aq pak”, do të rrëfente aktori. “Gjurmë në kaltërsi” përpos vështirësive teknike, është një nga filmat më të shtrenjtë të komunizmit e sipas Kumbaros, zemërgjerësia e qeverisë asokohe, erdhi edhe për shkak se ky do të ishte një prodhim që deri diku i shërbente edhe propagandës. Jo më kot, struktura si Komiteti Qendror, Ushtria etj., do të qenë vigjilente për detajet, aq sa do të detyronin Kumbaron të hiqte disa nga planet brenda në avion. E pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, “Gjurmë në kaltërsi” duke pasur parasysh kontestin e një vendi të vogël si Shqipëria, shpesh krahasohet me “Top gun”, ku si protagonist është Tom Cruise. “Të jem i sinqertë edhe mua vetë më ndodh teksa shikoj ato pamje të mendoj: Vërtetë unë i kam bërë?”, tregon Kumbaro, 36 vite pas realizimit të filmit.
Zoti Kumbaro, duke u përpjekur të kujtojmë aktorin Xhevdet Ferri të ndarë nga jeta pak ditë më parë, ndalemi në një nga filmat tuaj ku ai ishte në rolin e protagonistit. “Gjurmë në Kaltërsi”, i xhiruar në fillimvitet ’80 ishte një prodhim risi për kinematografinë shqiptare, në shumë aspekte. Si u njohët me aktorin Xhevdet Ferri dhe pse zgjodhët atë për rolin kryesor të pilotit të ri?
Xhevdet Ferri kishte rënë në sy, që gjatë fillimeve të tij në Durrës, për paraqitjen si një djalë i pashëm e fotozhenik, që tek e fundit është një nga kushtet themelore që ekrani kërkon. Filmi dhe ekrani në përgjithësi, veçanërisht për aktorët që janë në role heroike, e duan pamjen e bukur. Përpos kësaj, Xhoda ishte i prerë për të qenë hero, pavarësisht se ai luante në mënyrë të shkëlqyer edhe karaktere, siç është për shembull roli i Asllanit, në filmin e tij të fundit “Delegacioni”, ku ai së bashku me Ndriçim Xhepën dhe Viktor Zhustin formuan një treshe të mrekullueshme aktorësh. S’mund të ndodhë ndryshe, kur është regjisori që zgjedh aktorët dhe jo e anasjella. Kështu ndodhi dhe në rastin e “Gjurmë në kaltërsi”. Unë e kisha parë Xhodën, kur pas teatrit u angazhua në kinema me regjisorë si Dhimitër Anagnosti dhe e kisha kuptuar se ai ishte më tepër aktor kinemaje. Ndodh shpesh të ngatërrohet interpretimi teatror me atë kinematografik. Nëse në teatër dominon dëgjimi e më pas vjen pamja, në film ndodh e kundërta. Dhe në këtë aspekt, interpretimi i tij para kamerës ishte tepër i kujdesshëm, vinte natyrshëm. Pra, gjatë xhirimeve, kamera mund të afrohej për plane të afërta, plane me kokë, plane detaj, të mesme e të përgjithshme dhe rezultatet me të do të qenë shumë të mira. Përpos këtyre, Xhoda kishte aftësi interpretuese, që më bënë mua si regjisor t’ia besoja rolin, pa qenë nevoja për të bërë kinoprova.
Xhevdet Ferri asokohe ka qenë ende student, si e priti rolin? Qetë ju që ia propozuat personalisht?
Ne, asokohe, merrnim aktorë nga shkolla, ende studentë, por edhe jo profesionistë, nga jeta apo klasa punëtore. Ndryshe nga ç’ndodh sot, kur dikush i paraqet regjisorit kandidaturat për role të ndryshme, në atë sistem ishim vetë ne që bënim kasting. Për shembull, unë për filmin “Koncert në vitin 1936”, kam ‘testuar’ mbi dhjetë aktorë për rolin e Donikës apo të Tefta Tashkos, derisa të gjendej aktorja më e përshtatshme. Ndonjëherë ndodhte të vinte dhe një komision në Kinostudio, që bënte sugjerime, pasi siç thonë: Shumë mendje bëjnë një mendje më të mirë. Mirëpo me Xhodën ndodhi ndryshe, siç thashë, unë e dija se ishte ai aktori që më duhej.
Si u përshtat ai me këtë rol, a pati vështirësi?
Xhoda u gjend mirë me rolin e pilotit. Astriti ishte një djalë i urtë, i përkushtuar, por që nuk përmbushte të gjitha pikat për të qenë një pilot shumë i mirë, dhe këtu, sipas skenarit të Llazar Çuçit, krijohet një përplasje me komandantin, të interpretuar në mënyrë të përsosur nga aktori Reshat Arbana. Loja autoriale e Xhevdetit reflektonte shumë mirë karakterin e personazhit, Astriti qe një djalë i ndrojtur që ka luhatjet e veta, dilemat dhe hera herës bie në pesimizëm. Mirëpo dashuria për profesionin dhe ndihma e miqve bën që në fund ai ta ulë avionin.
Jemi duke folur për vitin ’81, si ishte për një djalë të ri, që sapo kishte luajtur rolet e para në kinema, të provonte një eksperiencë të tillë, që tek e fundit duhet të ketë pasur edhe ngarkesa për sa i përket anës teknike, pasi duhet të fluturonte me avion luftarak? A ka pasur një moment që do ta veçonit, për sa i përket vështirësive?
Ajo që mund të them sot, është se Xhoda ia doli. Ai u bë njësh me avionin. Nuk ishte e lehtë, sepse flasim për një avion MIG, një avion dyvendësh që mban qindra, litra karburant. Momenti më i vështirë është kur unë i kërkova komandantit të aviacionit Harilla Rebit, që të avioni të shkëputej, të ulej… në mënyrë që të krijonte idenë e valëzimit në ajër me ulje-ngritje. “Shiko, – më tha, – avioni nuk është top… Ne do të veprojmë ndryshe. Unë do t’i lë dy barqet (dy rezervuarët që kanë pamjen e bombave) bosh, pa i mbushur me karburant. Dhe në momentin që do të ulem, do t’i lëshoj rezervuarët dhe do të vazhdoj…”. Ishte e qartë se edhe ky propozim mbarte një rrezik të madh, sepse nëse goma e avionit, gjatë uljes në tokë, binte mbi bark, do të ndodhte një katastrofë. Do të kishte të njëjtin efekt, sikundër makina që ecën në asfalt, shkel gurin, dhe përmbyset.