Dokufest Saz’iso në Lumbardhi, në Prizren
Saz’iso do të mbyllin edicionin e shtatëmbëdhjetë të DokuFest me këngë dashurie dhe trishtimi, me një stil hipnotizues të harmonive emocionuese, vallëzime të gëzueshme dhe vajtime shpirtërore.
Ky event artstik, mbahet për dy netë me radhë në datat 11 dhe 12 gusht në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.
Ky ansambël i përzgjedhur nga producenti Joe Boyd (Pink Floyd, Toumani Diabaté, Nick Drake) dhe bashkë-producentët Andrea Goertler dhe Edit Pula, përbëhet nga disa nga këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të stilit magjepsës Saze, me origjinë nga qytetet e bukura shqiptare të Korçës dhe Përmetit.
Siç thotë Vasil Tole, eksperti kryesor i Shqipërisë për iso-polifoninë: “Saze mbetet sot gjuha muzikore e qyteteve të Shqipërisë së Jugut, ku Lindja dhe Perëndimi u përqafuan kur instrumentet evropiane u ndeshën me magjinë e iso-polifonisë, dhe ku jeta dhe vdekja ende bashkëjetojnë në një tingull që është vërtetë unik”.
Grupi do të performojë albumin e tij të lavdërueshëm “At Least Wave Your Handkerchief At Me: The Joys and Sorrows of Southern Albanian Song”, duke na sjellë këngët që tregojnë për gëzimin, dhembjen, dashurinë dhe humbjen, heroizmin dhe tragjedinë./