Dokumenti i vitit 1881, sipas Alfabetit të vitit 1908: “Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i pjekun e i dalun”
Një dokument i vitit 1881, i zbuluar në Vatikan nga Mark Palnikaj, flet më shumë sesa historia që kemi shkruar deri më sot për shkrimin e shqipes në alfabetin e saj. Dokumenti daton 27 vjet përpara sesa të shpallej ky alfabet nga Kongresi i Manastirit, që u mbajt më 1908-n.
Mark Palnikaj, ka gjetur dhjetëra dokumente për historinë dhe kulturën shqiptare të shkruara në latinisht në periudhën e pushtimit osman të Shqipërisë. Ka gjetur dhe dokumente të shkruara në gjuhën e latine, apo në gjuhën shqipe me alfabet latin, por dokumentet e gjetura në alfabetin e gjuhës shqipe përpara se të themelohej ky alfabet janë të rralla.
Dihet se para Kongresit të Manastirit shqipja është shkruar me disa variante nga rilindësit tanë, derisa u unifikua alfabeti, por shkrimi në dokumentin e zbuluar nga Mark Palnikaj është pikë për pikë si Alfabeti i Shqipes i shpallur më 1908-n, në Kongresin e Manastirit (në përkthimin e atij viti, ndër të tjera thuhet: “Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i pjekun e i dalun”).
Dokumenti në italisht i shkruar nga prifti italian Antonio Peloni është kështu: “Memorie Varie. Alla mia venuta trovai otto fanciulle vendute al turco, ne salvamo quatro e quatro andarono perdute. Allora in una adunanza di tutte Nikaj a Rescpe pregai la tribu a fare la leggie all’intiera. L’Alfiere Bash Bairami all’intiera addunanza dicendo: Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i piekun e i dalun. Sicurta sono quelle della chiesa. Ma questi semibarbari popoli avendo piu a cuore il denaro che la propia religione e meglio l’anima propia, tre case fissare non volare stare alla legge, e tutte tre le feci bruçiare dalla tribu..”
Dokumenti i përkthyer dhe përshtatur në shqipen e sotme: “Ngjarje me rëndësi. Kur unë erdha këtu, gjeta tetë vajza të shitura tek turqit, ne shpëtuam katër, kurse katër i humbëm. Atëherë në një mbledhje të të gjithë fisit Nikaj në Rreshpe ju luta fisit që të bënin një urdhëresë të brendshme. Bajraktari Bash Bajrami, me urdhër të brendshëm, është deklaruar: Kush jep vajzën tek myslimanët, është i djegur dhe i pjekun dhe i nxjerrë jashtë fisit. Garanci për këtë është kisha. Por këta popuj gjysmë barbarë kanë më për zemër paratë se sa fenë e tyre dhe më mirë se sa shpirtin e vet, tre shtëpi fiksuen mos me e zbatue vendimin, dhe të trija këto shtëpi u dogjën nga fisi”. /Shqiptarja/