Dokumenti i vitit ’47: Ushtarët italianë grabitën në Himarë ungjijtë, epitafin dhe një kambanë të rrallë
Ndërsa analizoheshin dëmet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, në fund të vitit 1947, nga Komitetet Ekzekutive në gjithë rrethet kërkohej që të raportoheshin grabitjet e pasurive të trashëgimisë kulturore që ishin bërë prej ushtrive fashiste e naziste gjatë periudhës së pushtimit.
Një prej raporteve që kishte mbërritur nga Himara në Tiranë tregonte grabitjet që ishin bërë asaj ane gjatë luftës italo-greke, pasi fshatarët ishin larguar prej shtëpive për t’iu shmangur rrezikut.
Në shkresën e 9 nëntorit 1947, sekretari i Komitetit Ekzekutiv të prefekturës Himarë thotë se një sërë objektesh me vlera të jashtëzakonshme ishin grabitur prej ushtarëve italianë në kishat e zonës.
Ja raportimi që ai bën:
“Gjatë luftës italo-greke dhe pas largimit të popullsisë të disa katundeve të kësaj krahine , fashistat italianë bënë plaçkitje të ndryshme si ndër pasunitë private ashtu edhe ndër ato kishtare, tue marrë me vete sende shumë të kushtueshme dhe që kishin vleftë të madhe arkeologjike.
Kornizat që ata kanë marrë janë punuar në epoka të ndryshme (arti bizantik) dhe paraqitnin shenjtorë të ndryshëm.
Kambana edhe kjo ka qenë punuar rrotull vitit 1870 në Rusinë Cariste, të cilën e kishte dërguar një patriot prej Dhërmiut dhuratë për kishën Katedrale të katundit.
Ungjijtë kanë qenë të një vlefte të jashtëzakonshme. Koperturat e tyre ishin krejt prej ari me figura shenjtorësh në të dyja anët në formë skulpture. Edhe këta ishin importuar nga Rusia e Carit.
Përveç këtyre nga Kisha Katedrale e Dhërmiut ata muarnë edhe Epitafin (përfytyrimi i varrimit të Krishtit), një vepër jashtëzakonisht e kushtueshme. Ishte krejt prej ari me dimensioni m.1.5X1 apreksimativisht. Edhe ky epitaf ishte dërguar nga Rusia e vjetër si dhuratë e Kishës”.
Shkresat zyrtare nuk zbulojnë më tej nëse regjimi i Hoxhës bëri hetime të mëtejshme apo nëse kërkoi nga Italia t’i ktheheshin këto pasuri të rrëmbyera gjatë luftës. (tesheshi)