Dom Mark Pashkja na fton muzeun e kujtesës dhe qëndresës në Shkodër, “Me kujtue e mos me harrue..”

Nga Albert Vataj

Në një postim që tingëllon si thirrje ndërgjegjeje dhe si një kambanë kujtese që nuk duhet të heshtë kurrë, Mark Pashkja shkruan: “Me kujtue e mos me harrue… muzeu që na thërret kujtesën.” Një fjali e shkurtër, por e ngarkuar me peshën e një historie që nuk mund të tretet në harresë, një ftesë që shkon përtej vizitës fizike dhe bëhet një akt reflektimi moral.

Në këtë komunikim me besimtarët dhe me çdo njeri që kërkon të kuptojë të shkuarën për të ndriçuar të tashmen, Pashkja na drejton kah një hapësirë që nuk është thjesht muze, por një arkiv i gjallë i qëndresës shpirtërore. Një vend ku objekti nuk është vetëm relike, por dëshmi, ku çdo send bart në heshtje një histori sakrifice, dhimbjeje dhe besimi të pathyeshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe kjo thirrje na çon në Shkodër, në atë truall ku historia shqiptare është përplasur me fatin e saj më dramatik. Një qytet që ka qenë jo vetëm kryeqendër e besimit, por edhe altar i përplasjes së ideologjive, ku në një kohë të errët, ajo që mund të quhet pa drojë një “ulkonjë ideologjike” e komunizëmit u përpoq të shqyejë çdo shenjë të shpirtërores. Në këtë hapësirë, dhuna nuk ishte vetëm fizike, por mbi të gjitha metafizike, një përpjekje për të zhveshur njeriun nga një dimension thelbësor i qenies së tij, besimi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Është pikërisht këtu ku qëndron paradoksi i madh historik, në qytetin ku u ngrit i vetmi muze ateist i një shteti që shpallej i vetmi ateist në botë, sot ky realitet muzel është i kujtesës dhe i besimit. Pranë Katedralja e Shën Shtjefnit, Kisha Katolike ka ndërtuar një hapësirë që është më shumë se ekspozitë, më shumë se muze, më shumë se një shenjë e kontributit të të gjithëve për të dhënë një rreze dritë në diellin e kujtesës, është një akt rikthimi i dinjitetit të shkelur, është një rikthim, një zgjim, një thirrje e çdo frymëmarrje dhe objekt në këtë muze që na kushtron në dëgjim dhe ndërgjeje, të mos harrojmë. Aty ruhen me përkushtim objekte të fshehura për dekada nga besimtarë të të gjitha feve.

Në vijim të këtij komunikimi, Dom Mark Pashkja e artikulon qartë thelbin e kësaj kujtese: “Të privosh besimin te Zoti, do të thotë të heqësh një prej shtyllave të dinjitetit njerëzor.”

Dhe më tej, ai thekson: “Liria për të besu hyn në ato realitete që i japin dinjitet njeriut.”

Këto nuk janë thjesht deklarime teologjike, por një përkufizim antropologjik i lirisë. Sepse besimi, në këtë kontekst, nuk është vetëm akt fetar, është akt identitar, është një mënyrë për të mbrojtur integritetin e qenies njerëzore përballë një sistemi që kërkonte ta reduktonte atë në funksion, në masë, në heshtje.

Në këtë vend, ku ata që besuan u përndoqën dhe ata që predikuan u martirizuan, muzeu pranë katedrales nuk është vetëm një vend kujtese, por një tribunë e heshtur e së vërtetës. Çdo objekt i ekspozuar aty është një fragment i një narrative më të madhe, një histori që, sa është e mbushur me dhimbje, aq është edhe burim krenarie për qëndresën e saj katolike dhe, më gjerë, njerëzore.

Kjo ftesë e Pashkjas nuk është thjesht për të vizituar një muze. Është një thirrje për të hyrë në dialog me historinë, për të kuptuar se kujtesa nuk është luks, por detyrim. Sepse një shoqëri që harron, rrezikon të përsërisë; ndërsa ajo që kujton, ka mundësinë të ndërtojë vetveten dhe progresin mbi të vërtetën dhe dinjitetin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?