Dora D’Istria, midis Lindjes dhe Perëndimit

Ndriçim Kulla

Dora D’Istria urren edhe ligjin lindor politik gërryes, mefshtësinë e popullsisë, sundimin e fatalizmit dhe përtacisë, që prodhojnë lajkatarët dhe fjalamanët me të cilët mbushen oborret mbretërore e princore dhe për shkak të verbërisë politike nuk mendojnë kurrë se bota njerëzore është në ndryshim dhe se nesër do të ketë stuhi.

Qytetërimi për Dora D’Istrian kishte kohë që ishte zhvendosur nga Lindja në Perëndim, pavarësisht nga zigzaget e domosdoshme dhe shpeshherë të dhimbshme. Asaj nuk i shkonte ndërmend të pohonte se roli i Lindjes nuk kishte pasur rëndësinë e vet për qytetërimin botëror. Përkundrazi, kultura lindore e vendeve mesdhetare, ajo greke dhe ajo arabe, kishin qenë ndërmjetëse të fuqishme për botën perëndimore.

Por sot, sipas saj, Lindja është krejt ndryshe. Ajo i dukej se ngjante me një ferr më të rëndë nga ai i Dantes, i cili kishte shkaqet e veta, por nga ana tjetër, thellë brenda saj ajo shikonte një shpirt të fuqishëm përparimtar. E ardhmja e Ballkanit, pra njëherësh e Shqipërisë dhe Rumanisë, dy vendeve të dashura për të, kujt do t’i përkiste? Vetëm perëndimit, dhe për këtë ajo ishte plotësisht e vetëdijshme. Le ta shikojmë se si e shpjegon ajo këtë mendim.

Lufta për progres është themeli i zhvillimit njerëzor, vetëm kështu njeriu mund të bëhet qenie e vërtetë për t’u admiruar. Sa më e përparuar të jetë ajo luftë nga pikëpamja kulturore dhe shpirtërore, aq më tepër shfaqet njeriu i vërtetë. Vendet lindore janë të prapambetura për shkak të një trashëgimie të keqe nga e kaluara me mbresa të rënda e gati të pashlyeshme. Si shkak themelor të kësaj prapambetjeje ajo përcaktonte pushtimet e huaja të zgjatura, të cilat jo vetëm nuk kanë lënë pas asgjë fisnike, por kanë zhdukur edhe gjithçka të mirë të trashëguar nga e kaluara. Ato pushtime i përngjajnë të vdekurit, i cili e mbërthen të gjallin dhe nuk e lëshon. Popujve u ka lënë varfërinë, të shoqëruar me një kllapi e mpirje të paparë.

Një e metë e madhe e kësaj trashëgimie, sqaron ajo më pas, është se në vendet e Lindjes dhe në Ballkan mbizotëron ndrojtja përpara shprehjes së mendimeve. Mendimi i lirë, sidomos në Ballkan, nuk ekziston. Kudo sundon frika dhe janë pushtimet e huaja që e kanë mbjellë këtë pemë shterpë që s’ka furtunë që ta shkulë. Madje ajo është e bindur se frika dhe veset e lidhura me të janë bërë diçka gjenetike për shkak të kohës së gjatë të sundimit tiranik, i cili i bën pushtetarët arrogantë dhe konfirmon ligësinë.

Kjo është arsyeja se në disa libra të saj ajo përdor termin historik “raca pellazgjike”, në të cilën përfshin tërë popujt e nënshtruar dikur nga Perandoria Romake në fillim dhe ajo bizantine më pas në Ballkan, përpara dyndjes sllave. Te kjo racë adhurimi i heronjve është i papajtueshëm me kultin e ideve, i cili është thelbi i regjimeve politiko shoqërore të lira. Ky adhurim provon domosdoshmërisht vezirizmin, ose e thënë ndryshe autokracinë. Kjo prirje për çështjet fetare e bën familjen pellazgjike të varur prej fanatizmit klerikal në sferat më të larta. Popujt e kësaj “race” që janë të dhënë pas mërive të shoqëruara me dhunë dhe si temperamente të lëvizshëm, do të degdisen gjithnjë midis anarkisë dhe despotizmit. Në qoftë se një ditë ata do t’i thyejnë idhujt e tyre, kjo do të bëhet për të ngritur në të nesërmen një kult të shoqëruar me pasione akoma dhe më të forta. Ndihet në këtë mendim ndikimi i fortë i Rusoit, sipas të cilit, të heqësh dorë nga liria është e barabartë sikur të heqësh dorë nga të qenit njeri.

Megjithatë, mendimet e Dora D’Istrias për veset racore të popujve të Ballkanit nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por janë kalimtare. Me të marrë fund njëherë e mirë shtypja orientale, përparimi do të jetë i shpejtë. Ashtu si dikur Hygoi kur tha: “Qëllimi ynë është që popujt të shkrihen në një të vetëm me një përqafim të përbashkët, duke ruajtur traditat dhe autonominë kombëtare, ku Italia do t’i përkasë Italisë, Polonia Polonisë, Hungaria Hungarisë”, rilindësja paraprirëse shqiptare kishte të njëjtin mendim, e bindur se edhe Shqipëria do t’i përkiste Shqipërisë si anëtare e denjë e shoqërisë perëndimore.

Ndoshta atëherë kishte njerëz të cilëve u dukej se kjo dëshirë ishte krejt e parealizueshme, por një ide e tillë kishte zënë rrënjë të thella në zemrën e saj, pasi ajo mendonte se Shqipëria s’ishte shkëputur kurrë nga Perëndimi me dëshirën e vet.

Në veprën “Myslymanët shqiptarë” ajo spikat aftësinë e popujve të Ballkanit për të nxjerrë nga gjiri i tyre udhëheqës të lëvizjeve kombëtare. Akuzon Pashain e Janinës për pasion të pashfrenueshëm në krahasim me Mehmet Pashë Bushatlliun. I pari u mbërthye kot me bashkëpatriotët e tij suljotë, ndërsa i dyti nuk u prish aspak me bashkëkombasit e vet katolikë, sepse për ta kombi ishte gjithçka. Sipas Dora D’Istrias kjo aleancë u dha të kuptonin se çfarë ishte në gjendje të bënte Shqipëria kur arrinte të shuante mosmarrëveshjet e saj. “Një komb”, shkruan ajo për shqiptarët, “i aftë për të bërë mrekullira, nuk mund të pajtohet lehtë me pushtuesit. Si edhe Roma, Stambolli nuk do t’ia dalë dot”.

Tomas Maserik, në librin “Rusia dhe Evropa” pohon me forcë se e para duhet të zbresë në Perëndim dhe jo kjo e fundit të ngjitej në Lindje. Po njëlloj, edhe rilindësja jonë pohon se Evropa në procesin e saj historik do të gjejë rrugën e zgjidhjes së bashkimit të saj të plotë. Ajo do ta ndihmojë Ballkanin, por me kusht që ky të jetë në gjendje të ndihmojë vetveten. Të mrekullon afria e mendimeve të tyre.

Ja se si shkruan Nikolla Jorga për të: “Tërë jetën ajo mbrojti çështjen e drejtësisë, propagandoi reforma politike dhe shoqërore për të ardhmen, u shkri në revolucionin e mendimit. Për këtë mund të quhej jo vetëm udhëheqësja shpirtërore e Rilindjes, por edhe filozofe e historisë. Veçanërisht proverbiale ishte neveria e saj ndaj regjimit tiranik. Ky regjim, sipas saj, është një shoqëri Kainësh, që zhduk vëllezërit e tij, të cilët megjithatë, nuk janë të gjithë Abelë. Kjo aftësi nuk është guxim, as trimëri, por vetëm pabesi. Po njëlloj, në kulm shkon kjo neveri edhe për karakterin oriental aziatik. Në Azi, stuhitë e revolucionit akoma nuk kanë kaluar dhe plehrat shpirtërore kanë mbetur në këmbë rrugëve. Sundimtarët aziatikë detyrë të ditës kanë përdhosjen e karaktereve nëpërmjet përhapjes së skamjes dhe varfërisë, ndërkohë që të mëdhenjtë nuk janë veçse parazitët, zvarranikët… Tirania e tyre është mbretëria e bollave dhe bretkosave”.

Dora D’Istria urren edhe ligjin lindor politik gërryes, mefshtësinë e popullsisë, sundimin e fatalizmit dhe përtacisë, që prodhojnë lajkatarët dhe fjalamanët me të cilët mbushen oborret mbretërore e princore dhe për shkak të verbërisë politike nuk mendojnë kurrë se bota njerëzore është ne ndryshim dhe se nesër do të ketë stuhi.

Ajo e pranon se në historinë e popujve të veçantë ka disa momente, sidomos periudha më të vështira, kur njerëz jo të paktë, të gjendur para një mpirje fizike dhe krize morale, vijnë në përfundimin se janë të dënuar për t’u nënshtruar dhe për t’u rropatur. Por kjo është një periudhë e shkurtër. Etja për qytetërim te popujt është e pafundme. Lufta për lumturinë nuk ndërpritet, pavarësisht nga kthesat e dhimbshme të historisë. Popujt nuk janë një racë e ulët, as e fëlliqur, ata u përngjajnë Llazarëve që me vështirësi çohen nga varri.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i mendimit të saj është besimi se toleranca dhe mendimi i lirë janë një. Të braktisësh botën e arsyes dhe të shkencës është të japësh provën e një mendje të dehur dhe karakteri të ulët. Asnjë shoqëri evropiane nuk mund t’i shpëtojë progresit, sepse gjithçka i nënshtrohet transformimit të përjetshëm.

“E ardhmja i takon demokracisë, deklaron ajo, domosdo mbi bazën e një edukate të lartë, e cila është më e rëndësishme se arsimi dhe fitorja e së cilës është shumë më e vështirë nga fitoret e korrura në fushat e betejës”. Vihet re te ky mendim një unitet i brendshëm me një tjetër mendimtar të viteve ‘30, Branko Merxhani, i cili i mëshonte shumë dallimit midis mësimit dhe edukimit. Ja si e shpjegon ajo këtë ide. Nuk mjafton ta bësh arsimin të detyruar. Ai u duhet besuar njerëzve të zgjuar e të nderuar dhe me karakter të shëndoshë e të vendosur për edukimin njerëzor. Ajo hedh poshtë në këtë pohim mendimin e Rusoit, sipas të cilit njeriu sa më pak i kulturuar që të jetë aq më pak i padjallëzuar është. Përkundrazi, shprehet mendimtarja, kultura e vërtetë e transformon njeriun. Demokracia s’ është gjë tjetër veçse regjimi politik që pajtohet plotësisht me instinktin e pandalshëm të popullit drejt progresit pambarim. Vihet re në këtë besim një pathos i spikatur i iluminizmit më përparimtar të kohës.

Po tekefundit, nëse do ta përmblidhnim vizionin e mendimit të saj, do të thonim se ajo ishte një nga personalitetet më njerëzorë dhe më demokratë të diasporës shqiptare. Nuk lëshonte kurrë rënkime dëshpëruese për gjendjen e mjeruar të popujve të shtypur, por britma lirie. Nuk ka asnjë vepër të vetme ku zonja jonë e madhe të mos ndalet në problemin e thesarit të shpirtit njerëzor, siç e shprehte ajo problemin e lirisë. “Liria e shkruar me lulen e çiltërsisë dhe ligjshmërisë është ilaçi më i mirë për të kapërcyer pengesat që i dalin përpara demokracisë. Vetëm kështu ajo nuk do të kthehet në shthurje”. Ç’largpamësi dhe ndërgjegje rrezaton edhe sot ky mendim. E pranë tij ajo vendos edhe një tjetër, po kaq tematik dhe të theksuar në vitet ‘30, siç është rëndësia e punës si domosdoshmëri jo vetëm për progresin, por sepse pa të jeta njerëzore do të mbetej krejt pa kuptim, pa asnjë zhvillim, kënaqësi e gëzim. Tek ajo njerëzit gjejnë vetveten, me punën ata zgjohen në mëngjes, përqendrohen ditën, ëndërrojnë natën. Puna është një ngazëllim e mrekulli, më krenarja nga të gjitha magjepsjet e magjistarëve të Thesalisë, forca e saj e kapërcen atë të harkut të Apolonit, çomangës së Herakliut apo shpatës së Perseut. Toni prej zotash e hyjnish që ajo përdor për të theksuar domosdoshmërinë e punës të kujton një tjetër mendimtar të madh si Lumo Skëndo që shpëtimin e shqiptarit nga veset e shihte te puna dhe formimi i një karakteri të shëndoshë. Nga të gjitha këto pikëtakime që gjetëm në analizën e mendimit të kësaj autoreje me mendimtarët e viteve ‘30, mund të themi me plot të drejtë se trajektorja e vijueshmërisë së këtij mendimi shkon shumë më thellë në histori, duke mbërritur deri te mendimi paraprirës iluminist i Dora D’Istras.

SHKARKO APP