Dorëshkrimi i Lojërave Olimpike së shpejti në ankand
Manifesti që 127 vite më parë do të ishte zanafilla për lojërat olimpike moderne, pritet të hidhet në shitje të mërkurën në Nju Jork. Qëllimi i autorit Pier dë Kubërtë, thonë studiuesit, ishte afrimi dhe matja mes tyre e kombeve në një event paqësor.
Ndërsa atletë nga e gjithë bota përgatiten për medaljet e arta në Lojërat Olimpike 2020 në Japoni, manifesti origjinal i lojërave moderne pritet të nxirret në ankand javën e ardhshme.
Dorëshkrimi në frëngjisht u shkrua nga themeluesi i Komisionit Ndërkombëtar Olimpik, Pier dë Kubërtë, në fundshekullin e 19-të.
Aty autori do të jepte arsyet e rivënies në jetë të garave të huazuara nga Greqia e lashtë dhe pse ato nuk duhet të ishin vazhdim i stërvitjeve ushtarake të kohës.
Lojërat Olimpike moderne debutuan qëllimisht në Athinë katër vite më vonë.
“Ishte viti 1892 kur e hartoi këtë doument, dhe bota po kalonte një ndryshim të jashtëzakonshëm teknologjik. Kishim anijet me avull, telegrafët, telefonat dhe Dë Kubërtë e pa se bota po modernizohej. Ai donte diçka ku të gjitha kombet të mund të merrnin pjesë, të matnin njëra-tjetrën, por jo si me mënyrat e zakonshme, që atëkohë nënkuptonin luftën. Për të, Lojërat Olimpike ishin mënyrë për të promovuar paqen mes kombeve” deklaron shefi i departamentit të librave dhe dorëshkrimeve të Nju-Jorkut, Riçard Ostin.
Dorëshkrimi me 14 faqe vlerësohet se kushton 700 mijë deri 1 milion dollarë, dhe do të qëndrojë i ekspozuar për publikun këtë fundjavë.